Prishtinë, 16 gusht 2010
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, vizitoi Kuvendin Komunal të Rahovecit, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Qazim Qeska.
Kryeministri Thaçi u shpreh se është inkurajuar me implementimin e punëve jashtëzakonisht të rëndësishme për interesin e gjithë qytetarëve të Rahovecit, projekte këto që ndërlidhen drejtpërdrejt për një jetë më të mirë të qytetarëve, për të cilën punë, kryeministri Thaçi, tha se është rezultat i kryetarit Qeska.
“Këto janë projekte që ndërlidhen me infrastrukturën rrugore, ndërtimin e objekteve të reja shkollore,
gjithashtu edhe investime në bujqësi, por edhe projekte të tjera që janë edhe këtu në qytet, por edhe në gjithë territorin e komunës së Rahovecit”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se edhe projektet tjera që ndërlidhen edhe me çështjen e ujësjellësit, të implementohen sa më shpejt.
“Do të vazhdojmë një bashkëpunim të mirë mes institucioneve qendrore dhe autoriteteve komunale kudo, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha komunat, të cilat janë duke i kryer obligimet e veta karshi përgjegjësive që kanë”, theksoi kryeministri Thaçi.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Qazim Qeska, pasi falënderoi kryeministrin për vizitën e tij, u garantoi qytetarëve të kësaj komune se me përgjegjësitë profesionale, morale dhe njerëzore, do të jetë në shërbim të tyre.
“Ne kemi besim të plotë tek Kryeministri, që të gjitha projektet do të realizohen, ashtu siç janë paraparë me buxhetin e komunës së Rahovecit”, theksoi kryetari Qeska.
Last modified: 16 Gusht, 2010