Prishtinë, 12 gusht 2010
I nderuar z. Kryetar i Parlamentit të të rinjve, z. Avdullah Hasani,
Te nderuar deputetë të Parlamentit të të rinjve,
Të nderuar pjesëmarrës,
Jeta parlamentare e një vendi e stimulon pjesëmarrjen në vendimmarrje përmes përfaqësimit të interesave të qytetarëve të një vendi, por pjesëmarrja e energjisë dhe pasionit të të rinjve në vendimmarrje, me synimin për të ndërtuar vlerat themeltare të një shoqërie, si dhe për t’i kultivuar ato, është synim vetëm i vendeve demokratike. Prandaj, më lejoni, ju lutem, të shpreh para jush kënaqësinë që ndjej teksa m’u dha rasti që t’ju drejtohem sot ju, në “Ditën botërore të të rinjve” dhe t’ju përshëndes në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ju jeni sot pjesëmarrës këtu sepse besoni në vlerat tuaja përfaqësuese, sepse besoni se me fuqinë tuaj mund të shtyni vendimmarrësit sot që të fuqizojnë themelet e shtetit të Kosovës, si dhe të krijojnë politika të qëndrueshme të cilat brezave të ardhshëm përfaqësues do t’u mundësojnë që të punojnë të përqendruar në zhvillim dhe mirëqenie. Ju, sidomos besoni se me përfaqësimin tuaj në parlament do të ndikoni që të identifikohen dhe të stimulohen politika përkrahjeje për të rinjtë. Dua t’ju siguroj ju sot se ka më shumë rrugë në të cilat mund të dëgjohet zëri juaj, por përfaqësimi në parlament dhe jeta parlamentare përgjithësisht ju ka krijuar një rast të shkëlqyer për të qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i jetës demokratike dhe vënies së themeleve të fuqishme në procesin e shtetndërtimit, të cilin ne po e zhvillojmë me përkushtim.
Ju duhet të stimuloni pjesëmarrjen e të rinjve në garën për përfaqësim, sepse kjo i shumëfishon energjitë tuaj, e rrit vullnetin për përmirësim të vazhdueshëm të politikave dhe ndikon drejtpërdrejtë në dialogun kulturor, aq i domosdoshëm për një shoqëri.
Të nderuar deputetë,
Ne ndihemi krenar me formën e organizimit tuaj, të bindur se kjo ndikon në rritjen e vazhdueshëm të nivelit të vendimmarrjes, por se ndikon edhe në krijimin e praktikave të reja, sipas modelit euroatlantik të jetës parlamentare. Jam i bindur madje, se prania juaj në këtë forum kaq të rëndësishëm do të ndikojë që zëri juaj të jetë një zë aktiv në shoqëri, i cili përveç se do të ndikojë që të përfillen interesat e gjeneratës suaj, do t’i japë gradualisht një shtytje të veçantë zgjerimit të kufijve të demokracisë parlamentare në vend.
Prania juaj këtu, për më tej, tregon se sa larg kemi shkuar në thellimin e këtyre kufijve dhe në ndërtimin e jetës plurale demokratike për dy dhjetëvjetësha, nga instalimi i jetës paralele më 1989 dhe themelimi i Parlamenti të Republikës së Kosovës e deri te pavarësimi i vendit dy vite e gjysmë më parë. Jam i sigurt se sot jemi në gjendje që politikanët e rinj t’i konsiderojmë si zë i fuqishëm i cili synon ndërtimin e së ardhmes në demokracinë moderne të Kosovës. Tashmë Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Fuqizim dhe Pjesëmarrje dhe po kështu po punojmë me Departamentin e Rinisë në MKRS që të fuqizojmë këtë pjesëmarrje. Ju kujtoj se sot do të nënshkruhen katër udhëzime administrative të cilat do ta mundësojnë një pjesëmarrje gjithnjë e më të fuqishme të të rinjve në jetën publike. Por, ne duam të besojmë po kështu se hapësirat për veprim në një demokraci të konsoliduar janë të shumëfishta, prandaj ju inkurajoj ju që të shndërroheni në zë gjithnjë e më aktiv për konsolidimin e mëtejmë të saj. Kosova ka mo
shën më të re në Evropë dhe kjo është një mundësi, por edhe një sfidë për zhvillim. Edukimi i mirëfilltë dhe stimulimi i një shoqërie të mbështetur në dije dhe në shumësinë e ideve, prandaj, mund dhe duhet të jetë synim i juaj për të ardhmen.
Ju dëshiroj suksese në jetë dhe në punë tuaj!
Zoti e bekoftë Kosovën!
Zoti i bekoftë të rinjtë e saj!
Last modified: 12 Gusht, 2010