Prishtinë, 15 prill 2013
Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi:
I nderuari kryetar Mustafa,
I nderuari komandant dhe deputet Ahmet Isufi,
Të nderuara të gjithë ju deputetë të Republikës së Kosovës, autoritetet komunale
Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë të luftës, përfaqësues të luftës,
Të nderuar qytetarë, ju të pranishëm të Zhegocit me rrethinë,
Zonja dhe zotërinj,
Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’ju përshëndes të gjithëve.
Jam jashtëzakonisht i privilegjuar që sot, jam në mesin tuaj, për të shënuar 14 vjetorin e Betejës së Zhegocit dhe të Marecit, me nderimet më të larta institucionale dhe shtetërore.
Beteja e Zhegocit dhe ajo e Marecit ishin kulm i rezistencës, trimërisë dhe gatishmërisë për sakrificë qytetarëve të këtyre anëve për të realizuar ëndrrën shekullore të lirisë.
Jeni ju qytetarë të nderuar, ata që në momentet më të vështira përkrahë djemve dhe vajzave tuaja, duke e bërë çdo shtëpi të kësaj ane strehë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ju strehuat, ushqyet bijtë dhe bijat tuaja, duke u bërë pjesë e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, para 14 vjetësh po shënonte kapitullin më të ndritur të historisë sonë kombëtare.
Vullneti liridashës, pozicioni gjeografik, mbështetja popullore, veprimtarët e devotshëm dhe mbi të gjitha përcaktimi i qartë në rrugën drejt lirisë, para 14 vjetësh ishin bërë një pjesë e rëndësishme e Kosovës dhe gjithë kombit.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte shënuar rezultate operacionale dhe politike në tërë vendin, duke u bërë zëri më autentik i kërkesave të popullit tonë për liri dhe pavarësi.
Si e gjithë Kosova, edhe Gjilani, Dardana dhe Vitia me rrethinat e tyre do t’i bashkoheshin vizionit dhe artikulimit të programit më serioz politik dhe ushtarak që kishte krijuar Lëvizja Kombëtare për liri dhe pavarësi.
Zonja dhe zotërinj,
E gjendur ndërmjet Zonës Operative të Llapit dhe asaj të Nerodimes, Zona Operative e Karadakut luajti rol të rëndësishëm operacional, mbështetës dhe furnizues në kuadër të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe me beteja të drejtpërdrejta kundër ushtrisë dhe policisë serbe.
Shpirti heroik dhe morali flijues i ushtarëve dhe popullatës së Karadakut do të kulmojë më 15 prill 1999 në Betejën e Zhegocit, si dhe me vazhdimin e Betejës së Marecit nga 18 – deri më 23 prill 1999.
Në Betejën e Zhegocit ranë heroikisht 25 dëshmorë lirie, duke u përballur me ofensivën e armatës serbe, ranë 22 martirë, të cilët sot si gjithmonë i kujtojmë me krenari dhe nderim të lartë.
Po ashtu, me nderim të përjetshëm kujtojmë rënien heroike të 27 luftëtarëve dhe 16 martirëve nga popullata civile në Betejën e Marecit.
Zonja dhe zotërinj,
Tri Brigadat e Zonës Operative të Karadakut me krenari dhe dinjitet bartën emrat e dëshmorëve Kadri Zeka, Isa Kastrati dhe të Gursel e Bajram Sylejmanit.
Në saje të qëndresës së të gjithë qytetarëve, në saje të flijimit të dëshmorëve të lirisë dhe popullatës civile, Kosova realizoi ëndrrën shekullore, çlirimin nga robëria shekullore.
Duke dëshmuar vendosmërinë për ecje përpara, me ndihmën e miqve ndërkombëtarë, Kosova me sukses e tejkaloi periudhën e pasluftës, duke përmbushur të gjitha parakushtet për të qenë shtet i lirë, demokratik dhe i pavarur si shtet
Sot, 14 vjet pas çlirimit, Kosova ka hyrë në vitin e pestë të pavarësisë.
Me të drejtë Kosova nga miqtë vlerësohet si storie e suksesit të plotë.
Kosova ka shënuar suksese të qëndrueshme si në planin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar.
E dimë se para nesh ka sfida jo të lehta, por Kosova dhe institucionet e saj janë të vendosur që të arrihet edhe objektivi i tretë madhor, integrimi euratlantik i vendit tonë.
Të nderuar të pranishëm,
Duke shënuar Betejën e Zhegocit, po në të njëjtën kohë duke shënuar muajt dhe ditët më të rëndësishme të historisë kombëtare të para 14-viteve, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftonte anekënd Kosovës, ku të gjithë shqiptarët kudo që jetonin, në Shqipëri, Maqedoni, në Preshevë, Medvegjë e Bujaovc, në Mal të Zi dhe gjithë diaspora, ishin bashkuar si kurrë ndonjëherë më parë në mbështetje të UÇK-së dhe kur të gjithë shqiptarët u bashkuan rreth saj, ne fituam edhe mbështetjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe arritëm që të lidhim partneritetin e përjetshëm pra të Kosovës dhe botës perëndimore; arritëm të shënojmë suksese të konsiderueshme që ky partneritet yni, besim dhe kjo vlerë e jona, të shndërrohet në rezultat konkret, ky partneritet yni u shndërrua drejtpërdrejtë në luftë të UÇK-së me mbështetje të plotë të NATO-s.
Kjo ndodhi për herë të parë, sepse ne i kultivuam vlerat tona liridashëse, çlirimtare – ne kishim të drejtë dhe fituam.
Tani po ndërtojmë shtetin tonë. Kemi pesë vite të pavarësisë, jemi vend sovran, po konsolidohemi dhe forcohemi çdo ditë, po lëvizim përpara, jemi njohur nga rreth 100 shtete më të fuqishme të botës demokratike, jemi në rrugë të sigurt për t’u integruar edhe në NATO, BE dhe OKB.
Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar familje të dëshmorëve, bashkëluftëtarë, invalidë të luftës,
Të gjithë të pranishëm, që çdo shtëpi këtu e kishit shndërruar në një shtab të UÇK-së, e kishit shndërruar në rezistencë heroike të UÇK-së.
Ne sot, institucionet e Republikës së Kosovës përulemi me respektin më të lartë për ju, për sakrificën tuaj edhe në këto momente kur Kosova po shënon një kthesë tjetër, atë të perspektivës evropiane, euroatlantike.
Sot institucionet e vendit janë si kurrë ndonjëherë më unike në realizimin e plotë të aspiratave të qytetarëve të Kosovës, e këta pa dallim partie janë të bashkuar në avancimin e vlerave evropiane, liridashëse, në konsolidimin e shtetit, të bashkuar që të punojnë edhe më tepër dhe më shpejt dhe më mirë që të anëtarësohemi në NATO dhe BE.
Të nderuar të pranishëm,
E di se ndokush nga ju do të pyes në këtë moment se çka po ndodh në takimet në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe, natyrisht unë do të përgjigjem: Po ndodh ajo që s’ka ndodh në 100 vite, po ndodh, që për herë të parë takohemi në nivel të shteteve, në nivel të barabartë, në mënyrë që përfundimisht edhe juridikisht të ndodhë njohja reciproke mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
E di që ka pasur opinione të ndryshme aty-këtu, por edhe ata njerëz që kanë qenë të zhgënjyer, dëshpëruar, apo që kanë pritur që Kosova nuk do të del mirë, sot, ju them lirisht janë të dëshpëruar. Por, populli i Kosovës është i gëzuar, sepse qëndrimi i shtetit të Kosovës është 100 për qind i njëjtë me atë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Është folur ‘Republika Srpska’, ku është ajo ‘Republikë Srpska’ sot? Është folur për ndarje, ku është ajo ndarje? Është folur për autonomi të Serbisë në Kosovë, ku është ajo autonomi sot? Është folur për status special, ku është ai status special? Është folur për gjëra jo të mira që do t’i ndodhin Kosovës, por unë ju them sot këtu, të gjithë juve dhe përmes juve të nderuar të pranishëm, gjithë qytetarëve të Kosovës, se edhe në hapat e mëtejmë që do t’i ndërmarrim, do të respektohet në plotëni Kushtetuta e Kosovës, ligjet e saj, standardet evropiane, do të respektohet lufta e shenjtë e UÇK-së, sakrifica e të gjithë qytetarëve të Kosovës për avancimin e shtetit tonë në proceset integruese, për t’u anëtarësuar sa më shpejt në NATO dhe BE.
Unë ju falënderoj për durimin dhe besimin tuaj, ju falënderoj shumë për mbështetjen tuaj dhe të jeni ët sigurt se çdo marrëveshje që do të arrihet, do të jetë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe do ta shndërrojmë atë në një vend të krenarisë për të jetuar ju qytetarë të Republikës së Kosovës.
Lavdi dëshmorëve të lirisë!
Last modified: 15 Prill, 2013