Prishtinë, 8 prill 2013
Qeveria e Republikës së Kosovës është e zhgënjyer me refuzimin që pala Serbe i bëri propozimit të dhënë nga Baronesha Ashton për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Propozimet e dhëna nga BE ishin në funksion të paqes, stabilitetit dhe evropianizimit të rajonit dhe do të shënonin fillimin e përmbylljes së një konflikti historik në rajon.
Kosova tashmë ka bërë një varg kompromisesh që kulmuan me Pakon Gjithëpërfshirëse të Presidentit Ahtisaari.
Po ashtu, edhe përgjatë tërë këtij procesi Qeveria dhe Institucionet e Kosovës kanë qenë të gatshme për vendime jo të lehta, por në dobi të Kosovës dhe të ardhmes së sajë evropiane.
Qeveria e Kosovës vazhdon të besojë që dialogu është zgjidhja e vetme, dhe mbetet e përkushtuar në këtë proces.
Last modified: 8 Prill, 2013