Vendimi i parë i Qeverisë së Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka qenë vendimi për emërimin e shtatë ndërmjetësve për çështjet nga e drejta e autorit, përkitazi për kontestet lidhur me marrëveshjet e parapara nga Ligji për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtave të Përafërta.
Sipas vendimit, ndërmjetës janë emëruar:
1. Ilir Gaxha, ndërmjetës;
2. Mentor Hajdaraj, ndërmjetës;
3. Besim Kajtazi, ndërmjetës;
4. Albana Tigani, ndërmjetës;
5. Destan Bujupi, ndërmjetës;
6. Jusuf Jahmurtaj, ndërmjetës;
7. Faton Morina, ndërmjetës.
Në vazhdim të mbledhjes, ministri i Zhvillimit Ekonomik ka prezantuar një informatë për punën e Komisionit Qeveritar për Privatizimin e PTK-së. Ministri ka njoftuar kabinetin qeveritar se në hapje të ofertave janë prezantuar dy oferta dha aktualisht procesi gjendet ne shkallën e vlerësimit ligjor të ofertave. Shumë shpejt do të bëhet edhe hapja e ofertave financiare, e cila do të jetë transparente dhe publike.
Ministri ka shprehur bindjen se procesi do të ketë përfundim të suksesshëm.
Në mbledhjen e vet, Qeveria e Kosovës ka aprovuar Deklaratën e Politikave Afatmesme Prioritare, e cila përcakton kornizën e politikave dhe projekteve të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës planifikon t’i zbatojë gjatë periudhës së ardhshme afatmesme 2014-2016. Ky dokument do të jetë mekanizmi kryesor i cili do të udhëzojë Qeverinë në planifikimin e buxhetit të Kosovës dhe në orientimin e burimeve të tjera buxhetore për periudhën e ardhshme tre vjeçare. Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2014-2016 është dokumenti kryesor që bën ndërlidhjen mes politikave dhe prioriteteve qeveritare me planin buxhetor të vendit.
Deklarata përcakton politikat ekzistuese dhe të reja në fushat kyçe për zhvillimin e vendit, të cilat ndërlidhen me objektivat e Qeverisë në aspektin fiskal, ekonomik dhe social. Ky dokument planifikues është hartuar nga Zyra për Planifikim Strategjik nën mbikëqyrjen e Grupit Drejtues për Planifikim Strategjik dhe në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet e tjera të fushave përkatëse. Deklarata paraqet një bazë të qartë dhe progresive mbi zhvillimin e punës së Qeverisë drejt arritjes së objektivave të përcaktuara me programin e miratuar në vitin 2011.
Zbatimi i politikave prioritare të paraqitura në Deklaratë do të kryhet nëpërmjet burimeve të buxhetit të cilat mbulohen nga të hyrat tatimore dhe të hyrat jotatimore të prezantuara në Kornizën Makro-fiskale 2014-2016. Fillimi i implementimit të rregullës fiskale, e cila nga viti 2014 e tutje kufizon deficitin e Buxhetit të Kosovës në 2% të BPV-së, si dhe rritja e kufizuar e të hyrave të përgjithshme në harmoni me rritjen ekonomike kërkon maturi të shtuar në përfshirjen e politikave të reja në kuadër të kornizës buxhetore. Në kornizën buxhetore përfshihen edhe kreditë e kontraktuara dhe të negociuara me institucionet financiare ndërkombëtare dhe si të tilla janë përfshirë brenda kufijve të prezantuar buxhetorë.
Dokumenti synon të përcaktojë edhe politikat të cilat kërkohen të financohen nga burime të ndryshme duke përfshi donatorët, partneret e tjerë zhvillimorë apo edhe format e përziera të financimit (Partneriteti Publik Privat) të cilat nuk janë identifikuar ende gjatë tri viteve të ardhshme ose që do të fillojnë brenda tri viteve të ardhshme.
Deklarata gjithashtu parasheh politika dhe projekte të cilat mbështeten nga ana e donatorëve dhe burimeve të tjera alternative, si financimi nga ana e sektorit privat apo forma të kombinuara të financimit. Politikat të cilat nuk mund të mbulohen nga korniza aktuale e paraparë buxhetore do të jenë orientim për burimet tjera financiare alternative dhe ende të paplanifikuara.
Implementimi i politikave të parapara në Deklaratë do të krijojë kushte për reformat e domosdoshme në sektorë të caktuar, nëpërmjet të cilave do të bëhet plotësimi i parakushteve ekonomike, sociale dhe institucionale për përafrimin e Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, NATO-në dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë.
Me vendimin e miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është formuar Grupi i punës për avancimin e politikës së punësimit për komunitetet të cilin do ta drejtojë Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës dhe ministër i Pushtetit Lokal, zoti Slobodan Petroviq.
Grupi i punës do të jetë në këtë përbërje:
1. Srdjan Popoviq –Këshilltar i lartë i Kryeministrit –Drejtor i Zyrës për çështje të komuniteteve -ZKM;
2. Përfaqësuesi i Një përfaqësues ZPS-ZKM;
3. Përfaqësuesi i Një përfaqësues SKQ-ZKM ;
4 .Përfaqësuesi i Zyrës ligjore,ZL-ZKM;
5 Përfaqësuesi i Këshillit konsultativ për komunitete;
6 Përfaqësues i Ministrisë së Administratës Publike;
7 Përfaqësuesi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale
8. Përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme;
9. Përfaqësuesi i Ministrisë së Pushtetit lokal;
10. Përfaqësuesi Ministrisë së Drejtësisë;
11. Përfaqësuesi i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim;
12. Ombudspersoni;
13. Përfaqësuesi i Kuvendit;
14. Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës;
15. Përfaqësuesi i Asociacionit të Komunave të Kosovë
16. Përfaqësuesi i Doganave të Kosovës;
17. Përfaqësuesi i Hekurudhave të Kosovës;
18. Përfaqësuesi i Korporatës Energjetike të Kosovës;
19. Përfaqësues i Post-Telekomit të Kosovës;
20. Përfaqësues i Radio Televizionit të Kosovës;
21. Agjencia kundër Korrupsionit;
22. Agjencia e Statistikave e të Kosovës
Ndërsa në cilësinë e ekspertëve dhe të ndihmës së jashtme ftohen:
1. Përfaqësuesi i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë;
2. Përfaqësuesi i Ambasadës së Norvegjisë në Kosovë;
3. Përfaqësuesi i Ambasadës së Britanisë ë Madhe në Kosovë;
4. Përfaqësuesi i Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë;
5. Përfaqësuesi i Ambasadës së Zvicrës në Kosovë;
6. Përfaqësuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë
7. Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë / Përfaqësuesit special të BE-së ,
8. Përfaqësuesi i Programit për zhvillim të Kombeve të Bashkuara;
9. Përfaqësuesi i Qendrës Evropiane për Çështje të Pakicave.
Me qëllim të përparimit në zbatimin e ligjeve të cilat rregullojnë punësimin e komuniteteve jo shumicë, grupi i punës do të përgatit rekomandime, masa dhe direktiva të tjera të nevojshme për fuqizimin dhe rritjen e kapacitetit të efikasitetit të mekanizmave që rregullojnë punësimin e komuniteteve jo shumicë.
Qeveria ka miratuar edhe Rregulloren për Implementimin e Standardit të Klasifikimit të Veprimtarive Ekonomike. Me këtë Rregullore përcaktohet nomenklatura e veprimtarive ekonomike si standard unik sipas të cilit bëhet klasifikimi gjegjësisht radhitja e bizneseve dhe organizmave tjera në regjistrin unik si evidencë e automatizuar për klasifikim në tërë territorin e vendit.
Nomenklatura e veprimtarive ekonomike zbatohet për mbledhjen, klasifikimin dhe publikimin e të dhënave zyrtare. Elementi themelor i sistemit të integruara ndërkombëtarë të klasifikimeve ekonomike është i bazuar në klasifikimet e Komisionit Statistikor të Kombeve të Bashkuara, Eurostatit dhe të klasifikimeve nacionale fuqishëm të lidhur me njëri tjetrin, duke lejuar krahasueshmërinë e statistikave ekonomike të prodhuara nëpër tërë botën nga institucionet të ndryshme.
Rregullorja për strukturën organizative të Zyrës së Kryeministrit ka për qëllim përcaktimin e organizimit të brendshëm të Zyrës së Kryeministrit dhe organeve tjera të administratës shtetërore nën mbikëqyrjen e saj. Kjo rregullore zbatohet për Zyrën e Kryeministrit dhe organet tjera të administratës shtetërore nën mbikëqyrjen e saj.
Detyrat dhe përgjegjësitë e Zyrës së Kryeministrit, dhe organeve tjera të administratës shtetërore nën mbikëqyrjen e saj, janë të përcaktuara në Rregulloren Punës së Qeverisë dhe Rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive si dhe në legjislacionin përkatës në fuqi.
Për kryerjen efikase të përgjegjësive, autorizimeve dhe detyrave të punës që i janë caktuar, Zyra e Kryeministrit përbëhet nga strukturat në vijim:
• Kryeministri;
• Zëvendës Kryeministri/at;
• Kabineti i Kryeministrit, duke përfshirë Zyrat apo njësitë që veprojnë në varësi të Kabinetit të Kryeministrit, përfshinë:
1. Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;
2. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur;
3. Zyra e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal;
4. Zyra për Çështje të Komuniteteve;
5. Zyra e Komisionarit për Gjuhët;
6. Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike;
7. Koordinatori për të Drejtat Pronësore;
8. Njësia për Auditim të Brendshëm;
9. Zëdhënësi i Qeverisë;
Organet qendrore të administratës shtetërore që veprojnë në varësi të Zyrës së Kryeministrit, janë:
1. Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ);
2. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK);
3. Agjencia Shtetërore e Arkivave (ASHA);
4. Agjencia e Kosovës për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguria bërthamore (AKMRRSB);
5. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV);
6. Sekretariati i Këshillit të Sigurisë (SKS);
Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit mbikëqyrë zyrat që ndahen në: Zyrat në nivel të organeve qendrore të administratës shtetërore, që veprojnë në varësi të Zyrës së Kryeministrit dhe që ushtrojnë kompetenca në të gjitha ministritë dhe organet tjera të ekzekutivit, me qëllim të mbështetjes së Kryeministrit, për të siguruar që të gjitha Ministritë të veprojnë në pajtim me politikat qeveritare dhe që të bëjnë zbatimin e ligjeve si në vijim:
1. Zyra për Planifikim Strategjik (ZPS);
2. Sekretariati Koordinues i Qeverisë (SKQ);
3. Zyra Ligjore (ZL);
4. Zyra për Komunikim me Publikun (ZKP);
5. Zyra për Qeverisje të Mirë (ZQM).
Dhe zyrat e ZKM-së që veprojnë në varësi të Sekretarit të Përgjithshëm të ZKM-së dhe që shërbejnë për mbështetjen e njësive përkatëse në kuadër të ZKM-së për kryerjen e detyrave administrative dhe detyrave tjera të përcaktuara me legjislacionin në fuqi:
1. Zyra për publikimin e Gazetës Zyrtare të Kosovës (ZPGZ);
2. Zyra për buxhet dhe financa (ZBF);
3. Zyra e prokurimit publik (ZPP);
4. Zyra e Administratës Qendrore (ZAQ), dhe
5. Zyra për Burime Njerëzore (ZBNJ).
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për kryerjen e obligimit financiar në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal për vitin 2012. Shuma është përcaktuar formalisht në takimin e Tryezës Rajonale të Paktit të Stabilitetit për Evropën e Juglindore në Bukuresht, në nëntor të viti 2006 dhe kontributi vjetor i Republikës së Kosovës është 4 për qind i shumës totale të vendeve të Evropës Juglindore.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, i ka rekomanduar Komunës së Skenderajt, që kërkesën për heqje nga lista e pronave për privatizim, të pronës në zonën kadastrale në fshatin Runik ta adresojë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe pronën ta bartë në pronësi të komunës së Skenderajt për interes publik.
Last modified: 5 Prill, 2013