Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të jetë në shërbim të komunitetit të biznesit

10 Gusht, 2010

Prishtinë, 10 gusht 2010

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri për Integrime Evropiane, z. Besim Beqaj  sot ka vizituar Odën Ekonomike të Kosovës dhe ka përgëzuar kryetarin e ri z. Safet Gërxhaliu.

Në takim me udhëheqësit e OEK,  kryeministri Thaçi ka thënë se një nga objektivat e  para si Kryeministër, por edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka qenë, është dhe do të mbetet thellimi i partneritetit mes institucioneve të vendit dhe komunitetit të biznesit, në mënyrë që të krijojmë kushte dhe mundësi më të mira për punën e tyre.

“Aktualisht po ndodhin ndryshime shumë pozitive, vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës kanë të bëjnë me reformat në ekonomi, vendime këto që kanë qenë të konsultuara edhe me komunitetin e biznesit, në mënyrë që të jenë vendime të një partneriteti të qëndrueshëm, si dhe efektive dhe funksionale në punën e tyre”, theksoi z. Thaçi.

“Diskutuam edhe për angazhimet e përbashkëta edhe si Qeveri e Republikës së Kosovës, por edhe për krijimin e kushteve për komunitetin e biznesit, të integrimit të tyre në projektet madhore të rëndësishme për zhvillimin e ekonomik të vendit, për krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe për rritjen e mirëqenies sociale”, pohoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se është jashtëzakonisht inkurajues partneriteti që kanë treguar bizneset dhe kompanitë lokale të integruara në procesin e ndërtimit të autostradës Vërmicë-Prishtinë – Merdare. Pres që diçka e tillë të ndodhë edhe në procesin e koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

“Dje Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për ofertimin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” në të cilin projekt do të ketë investime miliardëshe dhe presim që edhe biznesi lokal të jetë partnerë”, tha z.Thaçi. 

Kryeministri Hashim Thaçi ka ritheksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të jetë në shërbim të komunitetit të biznesit dhe thellimit të partneritetit.

Last modified: 10 Gusht, 2010

Comments are closed.