Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Liria e Kosovës ka qenë ëndërr e të gjithëve – kjo ëndërr është shndërruar në realitet, në bazë të sakrificave dhe përpjekjeve tuaja të palodhshme

4 Prill, 2013

Prishtinë, 4 prill 2013
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ka vizituar Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës, me rastin e fillimit të aplikimit për njohjen e statusit të të dënuarit, të burgosurit dhe të përndjekurit politik të Kosovës.
 
Me këtë rast, kryeministri Thaçi tha se ndihet tepër i emocionuar dhe jashtëzakonisht krenar që sot është në mesin e njerëzve prijëtar të lëvizjes së Kosovës për liri dhe pavarësi, në krah me simbolin e rezistencës kombëtare për çlirimin e Kosovës, z.Adem Demaçi, me simbolin e viteve para ’80-ta, ’81-ta, z.Hydajet Hyseni, z.Ilmi Ramadani, z.Braha, si dhe gjithë të tjerë që kanë sakrifikuar jashtëzakonisht shumë jetën, familjen dhe shëndetin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
 
“Nuk ka kënaqësi dhe krenari më të madhe sesa kur shteti kujdeset për njerëzit e sakrificës, të mundit, për njerëzit që, gjithçka kanë pasur në potencialet e veta, e kanë shkrirë për atdheun e vet, për lirinë e vendit të vet”, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se  liria e Kosovës ka qenë ëndërr e të gjithëve dhe kjo ëndërr është shndërruar në realitet, në bazë të sakrificave dhe përpjekjeve të palodhshme, gjithmonë duke filluar që nga paslufta e Dytë Botërore, nën udhëheqjen e bacës Adem.
 
“Prandaj, i shpreh mirënjohje të thellë për kontributin, sakrificën, që gjithmonë ka qenë simbol edhe i udhëheqjes, mobilizimit, por edhe inspirimit dhe, unë personalisht ndihem krenar, që e kemi pasur simbol të rezistencës bacën Adem dhe të gjithë ju ish të burgosur politik, që keni qenë burim inspirimi në përpjekjet tona finalizuese politike dhe ushtarake për çlirimin e Kosovës dhe largimin e Serbisë nga Kosova”, theksoi Kryeministri.
 
“Ndihem mirë që këto ditë kemi marrë vendime të rëndësishme. Është përmbyllur procesi i aplikimit për verifikimin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës dhe, nuk do tu hyhet në hak për asnjë moment sakrifice. Ne si shtet do të respektojmë secilin dhe do të marrin përgjegjësinë e përkujdesjes institucionale”, theksoi kryeministri Thaçi.
 
“Sot kur jemi këtu në Shoqatën e të Burgosurve Politikë, pas një pune të palodhshme që ka bërë edhe zëvendëskryeministri Kuçi, edhe z.Hyseni, fillojmë aplikimin e verifikimit të të burgosurve politikë në Kosovë, në mënyrë që shteti i Kosovës të fillojë përkujdesjen institucionale për të gjithë të burgosurit politikë të Kosovës, për familjet  dhe fëmijët e tyre. Natyrisht, sakrifica e tyre është më e madhe se çdo përkujdesje, në kuptimin material, por është një obligim që shteti dëshiron ta marrë per të respektuar dhe implementuar” – tha z.Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se në njëfarë mënyre edhe unë jam koleg me të burgosurit politikë, por kam qenë i dënuar në mungesë, por me ju kam qenë kudo në përpjekjet dhe sakrificat e përbashkëta për liri dhe pavarësi të Kosovës.
 
Duke shprehur mirënjohjen më të lartë, kryeministri Thaçi tha se edhe qytetarët e Kosovës, institucionet e saj, përulen me respektin më të lartë për ju, për sakrificën tuaj, përpjekjet tuaja maksimale që keni bërë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe, vizionin perëndimor për Kosovën që e keni pasur gjithmonë.
 
Nënshkrimin e aplikacionit të parë për njohjen e statusit të të dënuarit, të burgosurit dhe të përndjekurit politik të Kosovës e ka bërë simboli i rezistencës kombëtare, z.Adem Demaçi, i cili ka shprehur falënderime për përkujdesjen institucionale të Qeverisë së Kosovës për ish-të përndjekurit politikë.
 
“Jam këtu me ju, por mendjen e kam me ata, dëshmorët tanë dhe nuk ka para që mund t’i paguaj ata njerëz, të cilët me vetëdije shkuan drejt vdekje, që ne sot të jetojmë të lirë, shprehemi lirshëm dhe të përpiqemi të bëjmë diçka për popullin tonë. Pa dashur ky popull të sakrifikohet për lirinë e tij, unë, Adem Demaçi, vetëm nuk kisha mundur të bënte gjë, prandaj kjo është fitore e popullit tonë heroik, i cili kaloi gjithnjë nga lufta e pabarabartë në luftën e pabarabartë dhe përfunduam luftën e tillë“ – tha z.Adem Demaçi.
 
Ndërkaq, në emër të Shoqatës së të Burgosurve Politikë, kryetari i kësaj shoqate, Hydajet Hyseni tha se po fillojmë rregullimin me ligj të një padrejtësie të gjatë, të gjerë, të thellë, shumë të veçantë –  realizimin e të drejtave të një të burgosuri politik.
 
“Sot po fillon procesi i aplikimit për këtë të drejtë, pasi që janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura ligjore dhe institucionale dhe, sot është rasti për të shprehur mirënjohje për gjithë ato sakrifica që janë bërë dhe veçanërisht për dëshmorët e lirisë, të të gjithë brezave, të gjitha mënyrat e sakrificës deri tek Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare, në mesin e të cilëve ka edhe shumë ish të burgosur politikë.

Last modified: 4 Prill, 2013

Comments are closed.