Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi u takua me deputetët zviceranë Cedric Wermuth e Roger Golay dhe Kryetarin e Këshillit Nacional, Eric Nussbaumer

1 Maj, 2024

Bern, 1 maj 2024

Në Bundeshaus, në Bern, ditën e djeshme Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u takua me deputetët zviceranë, pjesë të Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Zvicër, Cedric Wermuth dhe Roger Golay, si dhe me Kryetarin e Këshillit Nacional, Eric Nussbaumer, i cili ka qenë më herët pjesë e këtij grupi.

Ky takim e bisedë miqësore u fokusua në trajtimin e çështjeve që ndërlidhen me thellimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve tona, si në aspektin ekonomik, social e kulturor. U theksua dhe roli pozitiv e i rëndësishëm i mërgatës sonë në kontributin e tyre në jetën shoqërore në Zvicër. Zëvendëskryeministri Bislimi foli dhe për progresin që ka njohur vendi ynë, politikat e ndërmarra dhe potencialin tonë për rritje të vazhdueshme e të qëndrueshme.

Më tej u bisedua dhe rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ku zëvendëskryeministri Bislimi theksoi rëndësinë që bart anëtarësimi i vendit tonë në këtë organizatë për shtetin tonë por edhe për demokracinë evropiane.

Duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen e vlerësimin e lartë për miqësinë e partneritetin mes dy vendeve tona. Përfaqësues të Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Zvicër pritet që së shpejti ta vizitojnë dhe vendin tonë.

Gjatë qëndrimit në Bundeshaus, zëvendëskryeministri Bislimi u takua dhe me Sekretaren e Shtetit për çështje ekonomike, Helene Budiger Artieda, ku u theksua veçanërisht fuqizimi i bashkëpunimit në rrafshin ekonomik dhe thellimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Zvicrës.

 

 

 

Last modified: 1 Maj, 2024

Comments are closed.