Prishtinë, 26 shtator 2022
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Shefin e Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë, z. Agim Gashi, të shoqëruar nga znj. Martina Fava, Koordinatore për Personat e Zhdukur dhe Familjet e tyre në Ballkanin Perëndimor.
Temë qendrore e takimit ishte çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë ku zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi përkushtimin e Qeverisë në prioritizimin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve, vendosjes së drejtësisë dhe urgjencës humanitare në lidhje me këtë çështje.
Duke theksuar se Kosova e ka ngritur çështjen e personave të zhdukur me forcë edhe në Bruksel, z. Bislimi e falënderoi Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për përkrahjen e vazhdueshme dhënë Qeverisë së Kosovës, për mbështetjen e familjeve të personave të zhdukur me forcë dhe punës së bërë në këtë drejtim.
Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi shoqërohej nga z. Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, njëherit Kryetar i Delegacionit për Bisedime për Çështjen e Personave të Zhdukur.
Last modified: 26 Shtator, 2022