Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi priti në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg

13 Dhjetor, 2023

Prishtinë, 13 dhjetor 2023

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg.

Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu falënderimin e tij për rolin aktiv e të rëndësishëm të Norvegjisë përgjatë viteve, dhe veçanërisht për mbështetjen e saj të vazhdueshme ndaj vendit tonë. Me qëllim intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale, u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit dhe thellimit të marrëdhënieve dypalëshe në fusha të ndryshme.

Me theks të veçantë u diskutua mbi fushën e ekonomisë, ku zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi përfaqësuesin Blankenborg me të arriturat dhe sukseset e Kosovës në vitin që po lëmë pas si dhe masat e ndërmarra nga qeveria.

U diskutua edhe për raportet me Serbinë e procesin e dialogut. Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi vlerësimin për mbështetjen e Norvegjisë për Republikën e Kosovës dhe për kontributin e vazhdueshëm për zhvillimin dhe sigurinë e rajonit.

Last modified: 13 Dhjetor, 2023

Comments are closed.

×