Podgoricë, 26 prill 2024
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimin e radhës ministerial të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në për Planin e Rritjes.
Pas takimeve të fundit të zhvilluara në Tiranë në fund të muajit shkurt, ai i sotmi u zhvillua në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, e ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të ministrive që mbulojnë fushat e integrimit evropian dhe të financave e ekonomisë, nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, bashkë me përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Përgjatë tryezave të diskutimit dhe sesionet e zhvilluara në kuadër të ngjarjes së sotme, bisedat u fokusuan rreth prioriteteve të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. U theksuan veçanërisht aksesi në Single Euro Payment Area (SEPA), fuqizimi i shkëmbimeve tregtare dhe përmirësimi i infrastrukturës, si dhe avancimi në fushat e teknologjisë, digjitalizimit e inovacionit.
Në adresimet e tij, zëvendëskryeministri Bislimi i vlerësoi ato si nisma të mirëpritura, e ku vendi ynë po angazhohet intensivisht. Më tej, ai theksoi rëndësinë e Planit të Rritjes dhe të bashkëpunimit rajonal, kontributin dhe punën e bërë nga ekipi ynë në këtë proces, si dhe nënvizoi veçanërisht përkushtimin për përfundimin e agjendës së reformave, finalizimin sipas planit rajonal që është në muajin e ardhshëm e përfundimin e ligjeve të nevojshme për aderim në SEPA. Në përfundim, zëvendëskryeministri shtoi se Republika e Kosovës është e gatshme që në të ardhmen e afërt, organizime të tilla si ngjarja e sotme, të zhvillohen edhe në vendin tonë.
Last modified: 26 Prill, 2024