Bruksel, 15 maj 2024
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel.
Edhe në këtë takim ishte paraparë të bisedohej mbi gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë, nga komuniteti serb në Kosovë, i prezantuar dhe si mundësia e fundit që palët të dakordohen. Fatkeqësisht, edhe ky takim i radhës u keqpërdor nga pala serbe e nuk solli rezultat.
Paraprakisht, nga palët pritej që të vijnë me komente në draftin e propozuar nga emisari Lajçak në takimin e mbajtur në fund të muajit prill, komente të cilat do të tregonin gatishmërinë tonë që të lëvizim drejt propozimit të ndërmjetësuesit.
Pala kosovare ka bërë komentet e saj, përmes të cilave ishim afruar drejt një zgjidhjeje finale brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht pa prekur substancën e propozimit të z. Lajçak. Serbia, i është përgjigjur me komente tërësisht të reja, si propozim i ri, dhe jo vetëm duke u larguar nga propozimi i emisarit, por edhe nga vetë pozicionet e mëparshme të palës serbe.
Vullnetit tonë për një zgjidhje funksionale që garanton vazhdimin e mbështetjes për qytetarët e komunitetit serb, pala serbe iu përgjigj me propozime që në tërësi synojnë legalizimin e strukturave të saj paralele e ilegale që operojnë në Kosovë e rrjedhimisht jashtë kornizës së bisedimeve për çështjen.
Përpjekjeve tona për integrim të komunitetit serb, pala serbe iu përgjigj tani me kërkesën eksplicite që të kalohet nga një sistem paralel ilegal, në një sistem paralel, por legal. Pra kalimi në një sistem ku paralelizmi siguron mosintegrim dhe prezencë të Serbisë në Kosovë përmes institucioneve të saj, gjë kjo e papranueshme për palën tonë.
Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes kryenegociatorit të saj, shprehu keqardhjen për këtë regres, ndërkohë që gjatë negociatave ka qenë e dukshme tërheqja e qëndrimeve të Serbisë edhe nga vetë pozicionimi i saj dhe komentet të dërguara në këtë javë, andaj bëhet e qartë se ka qenë taktikë e Serbisë që të pamundësohet një zgjidhje për këtë situatë.
Last modified: 15 Maj, 2024