Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi mori pjesë në hapjen e Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2024”

29 Maj, 2024

 

Prishtinë, 29 maj 2024

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, mori sot pjesë në hapjen zyrtare të Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2024″, që zhvillohet gjatë datave 29-31 maj, nën organizimin e Odës Ekonomike të Kosovës.

Në fjalën e tij hyrëse, zëvendëskryeministri Bislimi tregoi se panairet si kjo, ndihmojnë në promovimin, rrjetëzimin e bizneseve lokale, ofrojnë mundësi të zgjerimit të tregut, tërheqin investitorë të rinj, dhe njëkohësisht shërbejnë si platformë për prezantimin e risive në prodhim, dhe shkëmbimin e njohurive.

Duke potencuar mbështetjen për 250 biznese në promovimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre në 41 panaire ndërkombëtare, ai shtoi se “Kosova është ende një shtet i ri, por me një potencial shumë të madh për rritje. Përkushtimi dhe puna jonë si Qeveri është e drejtuar rreth shfrytëzimit maksimal të këtij potenciali, e vizioni i së cilës është një ekonomi e qëndrueshme dhe e zhvilluar”.

Më tej, ai përmendi disa prej sukseseve e të arriturave përgjatë tre viteve të fundit në fushën e ekonomisë, si rritja mesatare ekonomike prej 6.2%, dyfishimi i investimeve të huaja direkte, rritjen e numrit të vendeve të punës për 20%, veçanërisht dyfishimit të punësimit të të rinjve, si dhe punësimin e mbi 12 mijë grave, 550 milionë euro të ekzekutuara në shpenzimet kapitale duke arritur nivelin më të lartë në historinë e vendit, rritja me 58% e qarkullimit të bizneseve në 2023 krahasuar me vitin 2019 duke arritur një total prej 20 miliardë eurove si dhe subvencionimi i rreth 500 bizneseve, e ku 450 bizneseve u janë subvencionuar kreditë investuese në vlerë prej 12 milionë euro, ndërkaq 1,000 bizneseve u janë garantuar kreditë në vlerë totale prej 67 milionë euro.

“Secilit biznes që ka vendosur të bëhet pjesë e këtij panairi, i dëshiroj tri ditë produktive dhe përkthim të kësaj pjesëmarrjeje në më shumë prodhim, në më shumë punësim dhe më shumë fitim.” përfundoi zëvendëskryeministri.

Në këtë ngjarje përveç kompanive dhe bizneseve vendore, morën pjesë ndër të tjera edhe kompani nga Finlanda, Luksemburgu, Gjermania, Austria, Republika Çeke, si dhe Arabia Saudite.

Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi:

I nderuar ministër Peci,
I nderuar Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Rafuna,
I nderuar Dr. Almufarreh,
Të nderuar përfaqësues të ambasadave që janë prezentë këtu,
Të nderuar përfaqësues të USAID-it amerikan,
Të nderuar përfaqësues të bizneseve që keni vendosur të prezantoni këto 2-3 ditët e ardhshme produktet e juaja në panairin ”Prishtina 2024”, si nga Kosova ashtu edhe nga Finlanda, Luksemburgu, Gjermania, Austria, Republika Çeke, Arabia Saudite, e të tjera,
Zonja dhe zotërinj,

Panairet si kjo, ndihmojnë në promovimin dhe rrjetëzimin e bizneseve lokale, ofrojnë mundësi të zgjerimit të tregut, dhe tërheqin investitorë të rinj, duke shërbyer njëkohësisht si platformë për prezantim të risive në prodhim, por dhe shkëmbim të njohurive. Gjithashtu, ngjarje si kjo nxisin eksportet dhe diversifikimin e ekonomisë sonë, tërheqin turistë dhe gjenerojnë të ardhura për bizneset lokale, duke kontribuar kështu në një ekonomi më të fortë dhe më dinamike në Kosovë.

Më vjen mirë që shoh një pjesëmarrje kaq të madhe të kompanive nga sektorë të ndryshëm, ashtu edhe si pjesëmarrje të kompanive që vijnë nga vendet e huaja partnere. Besoj që ka hapësirë dhe do të jem shumë i lumtur kur shoh rritje të kësaj pjesëmarrje në të ardhmen. Për ne është shumë me rëndësi që bizneset e vendit tonë, qofshin ato biznese në pronësi vendore qofshin investime të huaja, dhe produktet tona, të kenë një pozicionim sa më të fortë në treg për çka edhe kemi mbështetur deri më tani mbi 250 biznese në promovimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre në 41 panaire ndërkombëtare, duke rritur kështu dukshmërinë dhe konkurrencën e tyre jashtë Kosovës.

Kosova është ende një shtet i ri, por me një potencial shumë të madh për rritje. Përkushtimi dhe puna jonë si Qeveri është e drejtuar rreth shfrytëzimit maksimal të këtij potenciali, e vizioni i së cilës është një ekonomi e qëndrueshme dhe e zhvilluar.

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se në tre vitet e fundit Kosova ka arritur një rritje mesatare ekonomike prej 6.2% – tregues ky i potencialit dhe energjisë së vendit tonë. Kemi dyfishuar eksportet dhe kemi përmirësuar ndjeshëm raportin e tyre me importet, që tregon se produktet dhe shërbimet tona janë gjithnjë e më të kërkuara në tregjet ndërkombëtare.

Investimet e Huaja Direkte janë dyfishuar në këtë periudhë, duke e rritur kështu numrin e vendeve të punës për 20% që nga viti 2021. Ajo që veçanërisht na bën krenar është rritja apo dyfishimi i numrit të punësuarve tek të rinjtë. Ndërkaq, në anën tjetër, është mbështetur edhe në mënyrë direkte punësimi i mbi 12 mijë grave, duke kontribuar kështu në fuqizimin e rolit të gruas si në shoqëri ashtu edhe në ekonomi.

Vitin që lamë pas, shpenzimet kapitale kanë arritur nivelin më të lartë në historinë tonë, me 550 milionë euro të ekzekutuara. Këto investime janë thelbësore për zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë ne.

Qarkullimi i bizneseve gjatë vitit 2023 është për 58% më i lartë se në vitin 2019, duke arritur në total prej 20 miliardë eurove – një tregues i qartë i vitalitetit dhe dinamizmit të sektorit tonë privat. Kjo vjen edhe si rezultat i mbështetjes së vazhdueshme që ju kemi ofruar bizneseve përmes iniciativave të ndryshme gjatë periudhës. Vetëm në kuadër të objektivit të rritjes dhe zgjerimit të kapaciteteve të bizneseve tona në tregjet ndërkombëtare, janë subvencionuar rreth 500 biznese, ndërkaq 450 bizneseve u janë subvencionuar kreditë investuese në vlerë prej 12 milionë euro; ndërkaq 1,000 bizneseve u janë garantuar kreditë në vlerë totale prej 67 milionë euro.

Aktualisht, me Komisionin Evropian, jemi në prag të finalizimit të Planit të Rritjes, i cili mund t’i sjell Kosovës në total 947 milionë euro si rezultat i implementimit të suksesshëm të reformave për të cilat jemi duke u dakorduar, ku ndër të tjera parashihen edhe lehtësimi i investimeve në sektorin privat, përmirësimi i mekanizmave për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte në sektorët strategjikë; përmirësimi i klimës së biznesit, lehtësimi i dialogut mes Qeverisë dhe sektorit privat; mbështetja për krijimin dhe zgjerimin e bizneseve fillestare (apo start-ups) dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme të specializuara në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikacionit dhe ekonominë e gjelbër dhe qarkore, si dhe përvetësimin e teknologjive të gjelbra përmes Fondit të Inovacionit dhe inkubatorëve të biznesit.

Paralelisht jemi duke punuar për t’u inkuadruar në tregun e përbashkët me Bashkimin Evropian në kuadër të këtij plani, me disa iniciativa konkrete fillestare, si për shembull Zona e Vetme e Pagesave në Euro apo SEPA, e cila do të zvogëlojë ndjeshëm koston e transfereve bankare për bizneset tona, aleanca me Bashkimin Evropian për medikamentet kritike, e cila pritet të definohet në muajt në vijim, kuleta apo portfolio digjitale e Bashkimit Evropian ku Kosova veçse e ka bërë planin fillestar, pastaj edhe përputhshmëria me standardet e Bashkimit Evropian për produktet që prodhohen në Kosovë, e që do ta lehtësonte jashtëzakonisht eksportin e këtyre produkteve në Bashkimin Evropian.

Njëkohësisht, jemi duke planifikuar projekte ambicioze infrastrukturore të cilat në total e kalojnë vlerën e 7 miliardë eurove, përfshirë energjinë e ripërtëritshme, projektet në transport, mjedis dhe energji. Pritet të bëhen edhe planifikimet për sektorin e digjitalizimit dhe kapitalin human. Në kuadër të zhvillimit dhe ruajtjes së kapitalit human jemi duke bërë përafrimin e sistemit të arsimit me nevojat e tregut të punës, përmes bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin e biznesit dhe përmes rishikimit të kuadrit tonë ligjor për Formimin e Arsimit Profesional.

Krejt në fund, secilit biznes që ka vendosur të bëhet pjesë e këtij panairi, i dëshiroj tri ditë produktive dhe përkthim të kësaj pjesëmarrjeje në më shumë prodhim, në më shumë punësim dhe më shumë fitim.

Ju faleminderit shumë!

Last modified: 29 Maj, 2024

Comments are closed.