Prishtinë, 2 tetor 2024
Me organizim nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare në bashkëpunim me Komitetin Lindor të Ekonomisë Gjermane, u mbajt në Prishtinë Forumi i Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar. Pjesëmarrës ishin dhe Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri foli për historinë e suksesit të Kosovës, zhvillimin dhe përparimin e vendit, dhe veçanërisht avancimin ekonomik përgjatë qeverisjes sonë.
“Në fund të shkurtit 2021, organi tatimor i Kosovës kishte regjistruar 355,001 të punësuar. Në korrik 2024, i njëjti autoritet ka regjistruar 425,000 persona, një rritje prej 70,000 të punësuar, në më pak se katër vjet. Cili vend tjetër në terma të përqindjes në Evropë, ka arritur të tregojë këtë rritje mbresëlënëse të nivelit të punësimit? Rritja e punësimit ishte premtimi kryesor që kjo qeveri u bëri qytetarëve krahas rritjes së drejtësisë”, u shpreh zëvendëskryeministri.
Ai theksoi dhe matjet e renditjet ndërkombëtare të cilat tregojnë se Kosova është duke avancuar në luftën kundër korrupsionit, e cila është vendimtare për bizneset që vendosin të investojnë në Kosovë, dhe se vendi ynë është demokracia më e gjallë në Ballkanin Perëndimor, ku të gjithë treguesit e rëndësishëm e tregojnë Kosovën si performuesin kryesor në rajon.
“Në përfundim, kam vetëm një pyetje për t’iu drejtuar: a është e mundur të kesh normën më të lartë të rritjes në rajon, të kesh rritjen më të lartë të të hyrave, të kesh rritjen më të lartë të investimeve në energjinë e ripërtërishme, të kesh rritjen më të lartë të nivelit të punësimit, në një mjedis që nuk ofron siguri dhe stabilitet? Sepse zakonisht siguria dhe stabiliteti përdoren si faktorë kyç që ndoshta i bëjnë të hezitojnë disa nga bizneset kur e konsiderojnë Kosovën si alternativë. A është e mundur të performoni pozitivisht në të gjitha këto fusha nëse ka shqetësime reale për stabilitetin dhe sigurinë? Pra, mendimi im është se Kosova po rritet, që do të thotë se këta faktorë, në këtë pikë, janë në favor të më shumë investimeve, dhe jo e kundërta”, përmbylli fjalën e tij zëvendëskryeministri.
Last modified: 2 Tetor, 2024