Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Shoqatës Kulturore dhe Humanitare të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bursa të Turqisë

23 Prill, 2025

Bursa, Turqi, 23 prill 2025

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë ditën e djeshme në ceremoninë e hapjes së Shoqatës Kulturore dhe Humanitare të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bursa të Turqisë.

“Për ne në Kosovë, Bursa zë një vend të veçantë si qyteti me komunitetin më të madh shqiptar. Një komunitet që brez pas brezi për më shumë se një shekull ka vazhduar të kultivojë dhe të bartë gjuhën, kulturën dhe vlerat shqiptare. E një nga këto vlera shumë të rëndësishme për ne është mikpritja të cilën sot po e ndjejmë fuqishëm këtu.” tha zëvendëskryeministri Bislimi gjatë fjalës së tij.

Ai shtoi se Turqia është shteti me të cilin ne ndajmë një marrëdhënie të fortë e të thellë, gjersa përtej lidhjeve tona kulturore e njerëzore, raporti i Kosovës me Turqinë po lulëzon edhe në rrafshin ekonomik.

“Turqia tanimë është një nga investitorët dhe partnerët tregtar më të mëdhenj që ka Kosova. Vëllimi tregtar mes Kosovës dhe Turqisë e ka arritur shifrën prej 1 miliardë euro. Bizneset turke kanë investuar në Kosovë mbi 400 milionë euro, duke u kyçur në sektorë shumë të rëndësishëm si infrastruktura, energjia, financa, shëndetësia dhe arsimi. Janë diku 10 mijë vetë që kanë gjetur punë nëpër korporata dhe ndërmarrje që kanë për pronarë biznese turke.” u shpreh zëvendëskryeministri.

Theksoi se bashkëpunimin ekonomik duhet ta kultivojmë secilën ditë e më shumë duke e institucionalizuar përmes iniciativave si ajo e fundit e komitetit të përbashkët ekonomik e tregtar mes Kosovës dhe Turqisë, që pritet të fuqizojë edhe më shumë raportet tona, duke sjellë mundësi të reja edhe për komunitetin shqiptar dhe bizneset shqiptare në Bursa.

“Kjo mënyrë e organizimit e komunitetit shqiptar, si shoqata që po e përurojmë sot, janë iniciativa të vlefshme që e zgjerojnë bashkëpunimin tonë në vazhdim. Shoqata që po përurohet sot është më shumë sesa një organizatë kulturore e humanitare: ajo është edhe një emblemë që unifikon identitetin, përkatësinë dhe vlerat e komunitetit shqiptar në Turqi.” tha zëvendëskryeministri.

Ai e përfundoi fjalën e tij duke uruar të gjithë për hapjen e kësaj shoqate kulturore e humanitare si dhe duke i falënderuar për punën e vlefshme, gjersa si institucione të Republikës së Kosovës qëndrojmë të gatshëm në mbështetjen e kësaj iniciative dhe të tjerave, në mënyrë që bashkërisht ta nderojmë historinë tonë dhe të lartësojmë arritjet e përbashkëta.

Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi:

Të nderuar të pranishëm,

Nga shtrëngimi i duarve që pata me secilin prej jush ishte kënaqësi që për pak minuta të mund të njoftohem me qytetarët shqiptarë nga pothuajse të gjitha viset e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, e që për mua ishte një emocion shumë i veçantë. Për mua është një nder jashtëzakonisht i madh që sot bashkë me konsullen tonë znj. Novoberdali, konsullin e nderit z. Gülener, me deputeten e sapo betuar të Kuvendit të Kosovës, znj. Liza Gashi dhe këshilltaren time Agnesa Jashari, të jem pjesëmarrës dhe dëshmitar i një momenti historik, atë të hapjes së Shoqatës Kulturore e Humanitare të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.Më lejoni që duke falënderuar përfaqësuesit e Bursës, në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, t’i falënderoj përzemërsisht për faktin që me punën dhe angazhimin e tyre dekadë pas dekade janë munduar që komuniteti shqiptar dhe komunitetet tjera nga Ballkani të ndihen këtu si në shtëpinë e tyre, të prosperojnë ekonomikisht dhe tani të jenë në gjendje që duke bashkëpunuar me komunat e Kosovës të ndihmojnë shkollat atje dhe secilën komunë me të cilën bashkëpunojnë.

Më lejoni që duke falënderuar z. Recep dhe z. Gulcen, të falënderoj secilin prej jush për çdo angazhim që keni marrë në shoqata kulturore gjithandej Turqisë në mënyrë që komuniteti jonë të mund të ndihet sa më mirë këtu. Ndërkaq duke falënderuar z. Gülener, të falënderoj të gjithë biznesmenët shqiptarë në Turqi, të cilët me mbështetjen e tyre kanë bërë të mundur këtë punë madhore të shoqatave kulturore anembanë Turqisë. Angazhimi juaj përveçse ka përforcuar afërsinë e komunitetit shqiptar në Bursa e në secilin qytet të Turqisë, ai po ashtu ka ndikuar që ky komunitet të afrohet me atdheun e tyre.

Për ne në Kosovë, Bursa zë një vend të veçantë si qyteti me komunitetin më të madh shqiptar. Një komunitet që brez pas brezi për më shumë se një shekull ka vazhduar të kultivojë dhe të bartë gjuhën, kulturën dhe vlerat shqiptare. E një nga këto vlera shumë të rëndësishme për ne është mikpritja të cilën sot po e ndjejmë fuqishëm këtu.

Turqia është shteti me të cilin ne ndajmë një marrëdhënie të fortë e të thellë. Por, përtej lidhjeve tona kulturore e njerëzore, raporti i Kosovës me Turqinë po lulëzon edhe në rrafshin ekonomik. Turqia tanimë është një nga investitorët dhe partnerët tregtarë më të mëdhenj që ka Kosova. Vëllimi tregtar mes Kosovës dhe Turqisë e ka arritur shifrën prej 1 miliard euro. Bizneset turke kanë investuar në Kosovë mbi 400 milionë euro, duke u kyçur në sektorë shumë të rëndësishëm si infrastruktura, energjia, financa, shëndetësia dhe arsimi. Janë diku 10 mijë vetë që kanë gjetur punë nëpër korporata dhe ndërmarrje që kanë për pronarë biznese turke.

Dhe tanimë po kujdesemi që këtë bashkëpunim ekonomik ta kultivojmë secilën ditë e më shumë duke e institucionalizuar përmes iniciativave si ajo e fundit e komitetit të përbashkët ekonomik e tregtar mes Kosovës dhe Turqisë, që pritet të fuqizojë edhe më shumë raportet tona, duke sjellë mundësi të reja edhe për komunitetin shqiptar dhe bizneset shqiptare këtu.

Natyrisht se iniciativat e vlefshme si kjo e sotme, do na ndihmojnë që të sjellim bashkë biznesmenë me origjinë shqiptare, në mënyrë që të kemi sa më shumë të tillë që e shohin edhe Kosovën si vend për mundësi investimi.

Kjo mënyrë e organizimit e komunitetit shqiptar, si shoqata që po e përurojmë sot, janë iniciativa të vlefshme që e zgjerojnë bashkëpunimin tonë në vazhdim. Shoqata që po përurohet sot është më shumë sesa një organizatë kulturore e humanitare: ajo është edhe një emblemë që unifikon identitetin, përkatësinë dhe vlerat e komunitetit shqiptar në Turqi.

Bashkëpunimi dhe avancimi i gjendjes së komunitetit shqiptar gjithandej Evropës është një nga prioritetet kryesore të qeverisë sonë. Janë katër mekanizma përmes të cilëve ne targetojmë shqiptarët anekënd Evropës dhe dëshirojmë t’i forcojmë lidhjet e tyre me Kosovën.

Mekanizmi i parë është që përmes shkollave shqipe, aktiviteti kulturor si ai që pamë në fillim, konferencave, e të tjera, të ruajmë identitetin kulturor të shqiptarëve gjithandej në Evropë.

Mekanizmi i dytë përmes të cilit synojmë të forcojmë lidhjen tuaj me Kosovën është që përmes vizitave dhe aktiviteteve të shoqatave si kjo e sotme, të kujdesemi që në vazhdimësi të mbani Kosovën afër zemrës suaj dhe të vini e të na vizitoni atje e në këtë drejtim veç kemi ide konkrete me z. Gülener se si të ecim përpara edhe duke shfrytëzuar kapacitetet e shoqatave si kjo që po hapet sot.

Mekanizmi i tretë është që përmes binjakëzimit të komunave tona me komuna gjithandej ku shqiptarët jetojnë në një numër të konsiderueshëm, të synojmë bashkëpunimin sa më të ngushtë dhe përfitimin nga përvojat të cilat ju i keni arritur e jeni më përpara se Kosova dhe mendoj se në këtë mekanizëm Bursa ka performuar jashtëzakonisht mirë meqë veçse keni bashkëpunim me një numër të madh të komunave të Republikës së Kosovës. Numri i komunave të Kosovës të cilat kanë bashkëpunim aktiv me komunën e Bursës është jashtëzakonisht i madh dhe jam shumë i lumtur për këtë.

Dhe mekanizmi i katërt dhe shumë i rëndësishëm është që do kujdesemi që të gjithë ata shqiptarë të cilët kanë qenë të suksesshëm me bizneset e tyre anekënd Evropës përfshirë dhe në Turqi, të bartin një pjesë të biznesit të tyre dhe të ndihmojnë në forcimin ekonomik të Kosovës. Ka pak qytete në gjithë Evropën ku ka kaq shumë biznesmenë shqiptarë e të suksesshëm, brenda një perimetri kaq të vogël siç është rasti me biznesmenët shqiptarë në Bursë. Andaj, mendoj se në këtë drejtim kemi ende punë për të bërë.

Krejt në fund, më lejoni t’iu uroj të gjithëve për hapjen e kësaj shoqate kulturore e humanitare dhe t’iu falënderoj për punën tuaj të vlefshme deri tani dhe atë që do ta bëni në të ardhmen. Si institucione të Republikës së Kosovës qëndrojmë të gatshëm që t’iu mbështesim në këtë iniciativë dhe të tjera, në mënyrë që bashkërisht ta nderojmë historinë tonë dhe të lartësojmë arritjet e përbashkëta.

Ju faleminderit shumë!

Last modified: 23 Prill, 2025

Comments are closed.