Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi mirëpriti shefen e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko

19 Gusht, 2024

Prishtinë, 19 gusht 2024

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim shefen e re të zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko.

Zëvendëskryeministri Bislimi i uroi suksese e mirëseardhje në Kosovë znj. Vashchenko, duke shprehur dhe gatishmërinë e vullnetin për bashkëpunim sa më produktiv dhe efektiv.

Palët biseduan mbi potencialin zhvillimor të Kosovës dhe rëndësinë e gjithëpërfshirjes dhe shpërndarjes së barabartë të rritjes ekonomike drejt qytetarëve. Zëvendëskryeministri Bislimi tha se Qeveria po mbështet maksimalisht objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe po angazhohet në hartimin e politikave dhe skemave sa më të targetuara për grupe të ndryshme shoqërore.

Nga ana e saj, znj. Vashchenko tha se ndihet e lumtur për marrjen e detyrës dhe se tashmë po zhvillon raunde të vizitave me udhëheqës të institucioneve vendore. Ajo e vlerësoi pozitivisht rëndësinë që Qeveria i ka dhënë arsimit në kuadër të Planit të Rritjes dhe shtoi se zyra e UNICEF-it qëndron në përkrahje të plotë dhe e gatshme të asistojë në iniciativat e Qeverisë. Gjithashtu, përgëzoi Kosovën për zhvillimin së fundmi të procesit të regjistrimit të popullsisë, në bazë të efikasitetit dhe përpunimit të shpejtë të të dhënave.

Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi shefen e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko për bisedën e frytshme dhe idetë e shkëmbyera.

 

Last modified: 19 Gusht, 2024

Comments are closed.