Prishtinë, 11 dhjetor 2024
Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti Raportuesin për Kosovë në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Terras.
Fillimisht, zëvendëskryeministri e uroi eurodeputetin për pozitën e tij të re si dhe e falënderoi Parlamentin Evropian për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën, si në procesin e liberalizimit të vizave, progresit dhe avancimit të Kosovës si dhe rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Më tej, theksoi arritjet e qeverisë përgjatë këtij mandati, nga progresi demokratik e rritja ekonomike, deri te avancimi me zbatimin e reformave në procesin e integrimit evropian. Ai tha se ERA II arriti një shkallë zbatimi prej 72% nga 45% sa ishte në qeverisjet e kaluara, ndërsa në Programin Kombëtar për Integrim Evropian, niveli i zbatueshmërisë së reformave vitin e kaluar arriti në 66.12%, duke përfshirë dhe shumë reforma të papërmbushura me vite me radhë e që gjetën epilog gjatë këtij mandati.
Zëvendëskryeministri Bislimi nënvizoi rëndësinë e avancimit të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së dhe trajtimit serioz dhe meritor të aplikimit të Kosovës të dhjetorit të vitit 2022.
Në takim u diskutua dhe rreth sfidave dhe perspektivës në këtë proces, potenciali i Kosovës për progres dhe zhvillim, angazhimi në Planin e Rritjes si dhe procesi i dialogut.
Last modified: 11 Dhjetor, 2024