Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi mirëpriti Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiun

11 Dhjetor, 2023

Prishtinë, 11 dhjetor 2023

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiun.

Gjatë këtij takimi, ata folën për shqetësimet e nevojat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, diskriminimin sistematik që i bëhet atyre nga institucionet qendrore e lokale të Serbisë, sidomos në fushën e arsimit dhe në lidhje me pasivizimin e adresave.

Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se mbështetja e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Luginën e të gjithë shqiptarët atje, vijon e palëkundur. Përkrahja financiare në buxhetin e vitit të ardhshëm po rritet tutje për Luginën e Preshevës, e ku tashmë do të ndahen 3 milionë euro. Fondet për mbështetje financiare në dy vitet e fundit janë vënë në funksion të ruajtjes së kulturës e identitetit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në takim, zëvendëskryeministri Bislimi shoqërohej nga Këshilltari Politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ragmi Mustafi, ndërsa Kryetari Lutfiu, shoqërohej nga nënkryetari i tij, Enkel Rexhepi.

 

Last modified: 11 Dhjetor, 2023

Comments are closed.

×