Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi mori pjesë në konferencën “Sulmi terrorist serb në Banjska: Implikimet rajonale dhe gjeopolitike”

11 Tetor, 2023

Prishtinë, 11 tetor 2023

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti Octopus me titull “Sulmi terrorist serb në Banjska: Implikimet rajonale dhe gjeopolitike”.

Zëvendëskryeministri Bislimi trajtoi rëndësinë e sigurisë dhe agresionit hibrid në Ballkan, si një sfidë e shumëfishtë e cila ka potencial të madh që të kërcënojë stabilitetin, qeveritë tona, por edhe shoqërinë dhe ekonomitë tona, duke përmendur sulmin e fundit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“Akti i agresionit në Banjskë ka ngritur brengën dhe qartazi jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe gjithë Bashkimin Evropian, për arsye se ky lloj agresioni hibrid, terrorist mund ta zhbëjë të gjithë progresin, të cilin Kosova dhe Serbia e kanë bërë në të kaluarën, progres ky, i cili është provuar të arrihet përmes dialogut me Serbinë”.

“Një kohë kur diplomacia dhe bashkëpunimi na duhen më së shumti, ne po shohim taktika të tjera, të cilat na e vështirësojnë rrugën tonë drejt normalizimit dhe integrimit.” shtoi zëvendëskryeministri Bislimi.

Ai tha se që nga paslufta në Kosovë, Vuçiq ka shfrytëzuar situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës duke shfrytëzuar metodat më perfide e kriminale e deri te përkrahja e parezervë nga strukturat serbe të sigurisë, siç janë BIA, xhandarmëria, policia e së fundmi edhe ushtria.

“Për ne si Qeveri është shumë me rëndësi t’i relaksojmë qytetarët serbë, t’iu tregojmë se kjo nuk është e vërtetë sepse Kosova është e interesuar vetëm në integrimin e këtyre qytetarëve dhe nuk ka bërë asnjë veprim që do të bënte që ata të ndihen të kërcënuar. Por një pjesë e popullatës mund të mos kenë qasje në informatat tona zyrtare sepse janë të ekspozuar ndaj mediave që janë komplet të kontrolluara nga regjimi i Beogradit. Në këtë mënyrë ai po i kërcënon që t’i bashkangjiten grupeve kriminale për t’i rezistuar siç thotë ai (Vuçiq) terrorit të Qeverisë Kurti, dhe për ne është shumë e rëndësishme që qytetarët serbë të mos dëgjojnë dezinformata të tilla.”

Fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi e përmbylli duke përsëritur faktin se tani gjithkush e ka kuptuar që Serbia përdor mjete të dhunshme për të përfituar territor.

Ai bëri thirrje që Serbia të heqë dorë nga këto akte e mjete të dhunshme, ndonëse besojmë se agresioni i datës së 24 shtatorit nuk është akti i parë i kësaj drame, nuk do të jetë akti i fundit dhe nuk është as akti kryesor.

Pjesë e këtij paneli ishin edhe Jasmin Mujanoviç, Ilir Kuka, Ivica Mandiç, Avdo Avdiç, Rade Radovanoviç dhe Nazim Rashidi.

Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi:

I nderuar z.Musliu,
Të nderuar panel i respektueshëm,
Të nderuar pjesëmarrës të këtij diskutimi,

Më lejoni t’iu falenderoj për mundësinë, që sot bashkë me ju të diskutojmë për këtë temë sa të rëndësishme aq edhe të ndërlikuar, në përgjithësi, por për rajonin e Ballkanit në veçanti, pra për sigurinë hibride. Kjo temë fiton rëndësinë sidomos kur kihet parasysh raporti i rënduar mes Kosovës dhe Serbisë, që ka rezultuar pas aktit të agresionit në Banjskë me datë 24 shtator.

Konferenca sidomos është e qëlluar, sepse na mundëson që për këtë temë apo për aktin e agresionit të datës 24 shtator, të diskutojmë edhe me kolegë të respektuar edhe nga rajoni, meqë tema e agresionit hibrid ka potencial për të cenuar sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit, e të Kosovës.

Në veçanti dua të diskutoj edhe për evoluimin e akterëve prapa këtij rasti dhe për implikimet që kjo mund të ketë në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Z.Musliu foli pak a shumë për historikun e mënyrës se si Serbia e sheh rolin e saj në Ballkan, ndërkaq dy panelistët e Institutit “Oktopus” na treguan në detaje dhe për prapavijën e sulmit apo aktit të agresionit të datës 24 shtator dhe prezantuan faktet që ndërlidhin këtë akt në mënyrë shumë të ngushtë edhe me pushtetin në Serbi.

Për audiencën është me rëndësi që të kuptojmë kontekstin dhe rëndësinë e sigurisë dhe agresionit hibrid në Ballkan, si një sfidë e shumëfishtë, e cila, mund të themi, me sukses po e shfrytëzon ndjeshmëritë dhe ndasitë, që ekzistojnë mes vendeve dhe rajoneve tona dhe ka potencial të madh që të kërcënojë qeveritë tona, stabilitetin tonë, por edhe shoqërinë dhe ekonomitë tona.

Kjo ngërthen një sfidë të shumëfishtë, që prek edhe taktikat ushtarake, sulmet kibernetike, fushatat dezinformuese, në veçanti akterët joshtetërorë apo parashtetërorë, për të cilët foli z.Musliu në hyrjen e tij.

Banjska në këtë kontekst mund të përdoret edhe si një rast studimor, që tregon ndërlidhjet mes këtyre instrumenteve, sado që akti si i tillë rezultoi të jetë i pasuksesshëm.

Akti i agresionit në Banjska ka ngritur brengën dhe qartazi jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe gjithë Bashkimin Evropian, për arsye se ky lloj agresioni hibrid, terrorist mund ta zhbëjë të gjithë progresin, të cilin Kosova dhe Serbia e kanë bërë në të kaluarën, progres ky, i cili është provuar të arrihet përmes dialogut me Serbinë.

Ekziston një përshtypje e përgjithshme, që raportet mes Kosovës dhe Serbisë, pas 11 viteve dialog në Bruksel, nuk kanë shkuar drejt përafrimit, por kemi një ftohje më të madhe, sepse mendoj që në gusht të vitit 2011, kur i është dhënë mandati Bashkimit Evropian që të fasilitojnë një normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, probabiliteti që të ndodhë diçka si në Banjska apo edhe si ngritja e aeroplanëve MIG në kohën e barrikadave në shtator të vitit 2022 ka qenë shumë më e vogël.

Një kohë kur diplomacia dhe bashkëpunimi na duhen më së shumti, ne po shohim taktika të tjera, të cilat na e vështirësojnë rrugën tonë drejt normalizimit dhe integrimit.

Brenga kryesore, e kësaj mund t’i kthehemi më vonë gjatë diskutimeve, është fuqia, që kanë akterë shtetërorë dhe parashtetërorë për të ofruar informata të gabueshme apo gjysmë të vërteta me qëllim dhe në fakt për të dhënë edhe thelbin kryesor të luftës hibride, të cilën Serbia është duke e përdorë dhe keqpërdorë me tepri në këtë periudhë.

Natyrisht se kjo nuk përbën një metodë të re, sepse Serbia ka përdorë metoda të ngjashme edhe për të nxitur luftëra në të kalurën. Mjafton të përmendim rastin e Bosnjës, një luftë, e cila kishte filluar me vrasjen e një prifti dhe pastaj kjo ishte përdorur për atë që Serbia t’i vë në dispozicion qytetarëve serbë në Bosnjë gjithë armatimin e saj, duke pretenduar se gjithçka po ndodh nga serbët lokalë dhe Serbia si shtet është e përjashtuar nga të.

Po ashtu dua të përmend, ajo që e përmendi edhe z.Musliu, për fillet e karrierës së Aleksandër Vuçiqit. Ai ka arritur ta konsolidojë pushtetin e vet duke përdorur shërbimet që i ka bërë në të kaluarën kriminelëve, si Millosheviq dhe Sheshel, por edhe duke përsosur tutje elementet kriminale të përdorur nga ta dhe teknikat e tyre të dezinformimit dhe manipulimit. Madje, Vuçiq kishte arritur ta konsolidojë nëntokën kriminale edhe para se ta merrte pushtetin në Serbi, për ta avancuar këtë si instrument të pandashëm të qeverisjes së tij në dhjetë vitet e fundit.

Nuk ka nevojë të diskutojmë këtu edhe për historikun e këtij konsolidimi. Mjafton të përmendim rastin e grupit Belivuk, për të cilin u tha se pjesëtarët kryesorë të saj janë ende në burg duke e vuajtur dënimin për vrasjen e z.Gjingjiq.

Që nga paslufta në Kosovë, Vuçiqi ka shfrytëzuar situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës dhe me këtë qëllim ka shfrytëzuar metodat më perfide e kriminale e deri te përkrahja e parezervë nga strukturat serbe të sigurisë, siç janë BIA, xhandarmëria, policia e së fundmi edhe ushtria.

Vuçiqi ka konsoliduar në të dy anët e kufirit grupe kriminale. Në njërin prej tyre, kryesor kemi Milan Radojçiqin dhe Zvonko Veselinoviçin, por duhet të themi se këto nuk janë grupet e vetme kriminale, që janë krijuar dhe forcuar në të dy anët e kufirit.

Në këtë fuzionim të politikës me krimin ka funksionuar jashtëzakonisht mire edhe Lista Sërpska, për të cilët foli panelistja në fillim.

Presidenti Vuçiq dhe eksponentët e tij me gjasë kanë përfituar shifra shumëmilionëshe edhe përmes mundësimit të trafikimit të drogës apo përdorimit të veriut të Kosovës për trafikim të drogës dhe ne kemi rastet e evidentuara të laboratorëve të shumtë, të cilët i kemi gjetur në veri si rezultat i aksioneve të suksesshme të policisë në dy vitet e kaluara, por kjo nuk përfshin vetëm laboratorët e drogës. Kemi pasur raste të shumta të prodhimit të kriptomonedhave, trafikimit me emigrantë, trafikimit të madh të mallrave, e të tjera, por edhe keqpërdorimit të buxheteve investive jo vetëm të Kosovës, por edhe të Serbisë, përmes tenderëve të panumërt, të cilët iu janë dhënë grupeve kriminale.

Për dallim nga Kosova, ku ne po bëjmë përpjekje që të ndjekim akterët e përfshirë në këto sulme terroriste, në Serbi ndodh e kundërta. Në qoftë se dikush heton dhe hulumton rastet korruptive, atëherë ata i ekspozohen rrezikut nga strukturat publike të Serbisë, siç është rasti me inspektorët në Jovanicë.

Përderisa ne shohim se çfarë po bëjnë në Kosovë, është me rëndësi të cekim se ata janë edhe degë e pushtetit që në vazhdimësi e dhunon edhe opozitën në Serbi, por edhe i kryen punët e pista për Qeverinë brenda territorit të Serbisë.

Ky grup është përgjegjës edhe për ushtrim të dhunës dhe agresionit ndaj qytetarëve serbë që nuk po dëshirojnë të jenë jolojalë ndaj qeverisë dhe politikave zyrtare të Kosovës por po duan të jenë jolojalë ndaj politikave zyrtare të Vuçiqit në Kosovë. Aspekti i këtij represioni shtrihet për shembull te rrahja, zjarrvënia, djegia e veturave, hedhja e mjeteve shpërthyese e deri te vrasjet e zyrtarëve politikë për të cilët foli parafolësja.

Në mënyrë komplementare shteti serb ka ndërmarrë një sërë masash tjera administrative duke u ndaluar shtesat, larguar nga puna, shkaktuar probleme në kufi, sigurimet shëndetësore e të tjera, për të gjithë ata qytetarë të cilët nuk po duan të ndjekin politikën e Vuçiqit në Kosovë, por duan që të integrohen në jetën ekonomike dhe shoqërore të Republikës së Kosovës.

Është shumë ironike që para pak ditëve në Serbi drejtësia kishte dënuar dy aktivistë të të drejtave të njeriut vetëm se kishin hedhur vezë në një mural të kriminelit të luftës Ratko Mladiq, i cili ishte vendosur në dimensione shumë të mëdha në qendër të Beogradit.

Veprimet e këtij grupi kriminal kanë qenë jashtëzakonisht agresive jo vetëm ndaj Kosovës dhe qytetarëve jolojalë ndaj tyre në Serbi dhe në veri të Kosovës, por edhe ndaj forcave paqeruajtëse në Kosovë, siç janë KFOR-i, UNMIK-u, EULEX-i, e sidomos ndaj organeve tona të sigurisë.

Ata në kontinuitet kanë plagosur dhe vrarë një numër të konsiderueshëm zyrtarësh vendorë e ndërkombëtarë. Këto veprime kriminale Vuçiqi është munduar në vazhdimësi t’i relativizojë e amnistojë pa fije turpi duke mohuar si të pavërteta të gjeturat dhe pretendimet e organeve tona të sigurisë. Njëkohësisht ai ka glorifikuar veprimet e tyre si veprime atdhetare, veprime liridashëse, duke ngritur madje edhe paralele në mes të veprimeve të Radoiçiqit, dhe veprimeve të Komandantit Legjendar, Adem Jashari, të periudhës ’98-99.

Vuçiqi shkon edhe më tej dhe i kërcënon serbët e Kosovës se shumë shpejt ata mund të përjetojnë fat të njëjtë sikurse “Olluja” dhe u flet për traktorët në të cilët do të vendosen për të ikur nga Kosova.

Për ne si Qeveri është shumë me rëndësi t’i relaksojmë qytetarët serbë, t’iu tregojmë se kjo nuk është e vërtetë sepse Kosova është e interesuar vetëm në integrimin e këtyre qytetarëve dhe nuk ka bërë asnjë veprim që do të bënte që ata të ndihen të kërcënuar. Por një pjesë e popullatës mund të mos kenë qasje në informatat tona zyrtare sepse janë të ekspozuar ndaj mediave që janë komplet të kontrolluara nga regjimi i Beogradit.

Në këtë mënyrë ai po i kërcënon që t’i bashkangjiten grupeve kriminale për t’i rezistuar siç thotë ai (Vuçiq) terrorit të Qeverisë Kurti, dhe për ne është shumë e rëndësishme që qytetarët serbë të mos dëgjojnë dezinformata të tilla.

Natyrisht se kjo nuk është hera e parë. Diçka të ngjashme Serbia ka prodhuar edhe në të kaluarën, ju kujtohet rasti “Panda” në vitin ’98, i cili ishte përdorur si një arsye edhe për rritjen e sulmeve kriminale ndaj qytetarëve dhe civilëve në atë kohë.

Teoria e konflikteve dallon një profil të individëve që i nxisin konfliktet, në gjuhën angleze quhen “Ethnic entrepreneurs” dhe Vuçiqi në plotni e plotëson këtë kriter. Ai është dikush që në vazhdimësi përpiqet ta bindë popullin e vet se duhet luftuar me të gjithë të tjerët sepse nga kjo varet edhe vetë ekzistenca e tyre si komb.

Konfliktet nuk ndodhin në mënyrë spontane por janë njerëzit apo nxitësit si Vuçiq që i sjellin këto konflikte.

Vuçiq mohoi me bindje të plotë edhe sasinë e madhe të armëve që kishin gjetur në një veturë në Zveçan, pak javë e pak kohë para datës së sulmit apo aktit të agresionit të 24 shtatorit duke thënë se kjo është asgjë më shumë se një montazh e organeve të sigurisë të shtetit të Kosovës.

Por, ai mbeti i heshtur kur ngjarjet e datës 24 shtator, zbardhën në plotni dhe identifikuan edhe udhëheqësin e grupit ushtarak e kriminal, të preferuarin e tij zotin Radoiçiq. Faktet tanimë janë të pamohueshme, e presioni vendor e ndërkombëtar e nxori atë para aktit të kryer. U pa se ai dhe Radoiçiq ishin rreth këtij agresioni.

I detyruar të veprojë, ai bëri një veprim simbolik ligjor, i cili që në momentin e parë ishte heqja e përgjegjësisë nga vetja dhe vendosja e përgjegjësisë mbi Radoiqicin. Por Radoiqicin e arrestoi dhe e mbajti brenda drejtësisë për më pak se 24 orë për ta liruar pastaj pa asnjë kusht relevant.

Ka 10 vite që gjithë bashkësisë ndërkombëtare Serbia po i thotë që është Kosova ajo që ka fituar gjithçka nga lufta e vitit ’99 dhe Serbia duhet të fitojë diçka. Tani po e shohim se çka është ajo që Serbia synon ta fitojë.

Që nga fillimi i dialogut Kosovës i është thënë në vazhdimësi se dialogu në Bruksel nuk ka asnjë alternativë por si duket se përpjekja ka qenë gjithmonë e gabuar, pala ndërkombëtare është dashur ta bind Serbinë që dialogu nuk ka alternativë për arsye se me veprimin e datës 24 shtator Serbia po tregon se ajo beson në alternativa që shkojnë përtej Brukselit.

Për momentin, Vuçici është në defanzivë sepse nuk e ka pritur dështimin e aksionit prandaj edhe po mundohet që ta distancojë veten duke thënë se kjo nuk është në interes të Serbisë. Në fakt, është fakt që dështimi nuk ka qenë në interes të Serbisë, por plani i 24 shtatorit nuk është përgatitur me idenë se do të dështojë. Sepse Serbia ka qendruar prapa saj, duhet të konkludohet duke paramenduar suksesin e këtij hapi dhe jo dështimin e tij. Tani besoj se gjithkush e ka kuptuar që Serbia përdor mjete të dhunshme për të përfituar territor dhe kjo ka qenë gjithmonë e tillë, nuk do të ndryshojë tani e as nuk do të ndryshojë as në të ardhmen. Por dështimi i 24 shtatorit ka bërë që Serbia ta humbë ritmin.

Ne thërrasim që Serbia të heqë dorë por duhet të jemi të përgatitur që Serbia nuk do ta bëjë këtë.

Akti i agresionit të datës 24 shtator nuk është një akt i izoluar, është një akt brenda një drame. Ne besojmë fuqishëm që nuk është akti i parë i kësaj drame, nuk do të jetë akti i fundit dhe nuk është as akti kryesor i kësaj drame prandaj për ne është shumë e rëndësishme që të jemi të kujdesshëm dhe të besojmë që Serbia do të vazhdojë me kërcënime të tilla.

Edhe njëherë faleminderit për mundësinë që të jem pjesë e këtij paneli të respektueshëm.

Last modified: 11 Tetor, 2023

Comments are closed.