Podujevë, 7 shtator 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së presidentit Dr. Ibrahim Rugova, nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ku të pranishëm gjithashtu ishin, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Shtatorja e punuar nga skulptori Gëzim Muriqi dhe e financuar nga Komuna e Podujevës, u zbulua në prani të përfaqësuesve të lartë shtetërorë, familjes Rugova dhe qytetarë në përvjetorin e 34-të të Kushtetutës së Republikës së Parë të Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.
Me këtë rast, kryeministri Kurti u shpreh se qëndresa shoqërore, që i parapriu protestave aktive studentore dhe luftës së lavdishme çlirimtare, kërkonte angazhim intelektual e kontribut qytetar, përkushtim kombëtar e nivel kulturor, vetëdije politike e afirmim ndërkombëtar. Me fjalën e qetë dhe të urtë, me punën e vazhdueshme dhe të durueshme, Presidenti Rugova përfaqësonte politikat e tij në Kosovë dhe jashtë saj, për liri, për demokraci dhe për pavarësi, u shpreh kryeministri Kurti.
Shtatorja, që tash qëndron në Parkun e Qytetit të Podujevës, pasuron ikonografinë e hapësirave tona publike në nderim dhe kujtim për kontributin dhe rolin e Presidentit të parë të Kosovës (24 maj 1992) dhe njëkohësisht Presidentit të parë të Kosovës së çliruar (4 shkurt 2002), Dr. Ibrahim Rugova.
Last modified: 9 Shtator, 2024