Zyra e Kryeministrit

Vendoset gurthemeli i projektit 2.8 milionë euro për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit në Fushë Kosovë në Lagjen 28 dhe 29 dhe fshatrat Bardh i Madh dhe Sllatinë e Madhe

28 Dhjetor, 2023

Prishtinë, 28 dhjetor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, si dhe Kryeshefin Ekzekutiv të KRU ‘Prishtina’, Arsim Fetahu, mori pjesë në përurimin e fillimit të punëve për ‘Rregullimi e rrjetit të ujësjellësit në Komunën e Fushë Kosovës në lagjen 28 – 29 dhe fshatrat Bardh i Madh dhe fshatin Sllatinë e Madhe’, në vlerë prej 2.8 milionë euro që do t’iu sjellë ujë të pijes rreth 10 mijë banorëve.

Me këtë rast, kryeministri shprehu përkushtimin dhe angazhimin e Qeverisë për të përkrahur komunën. “Si Qeveri nuk kemi premtuar mrekulli, por kemi premtuar korrektësi dhe përgjegjësi. Qeveria po e mban fjalën, sot do ta hedhim gurthemelin e projektit në vlerë 2.8 milionë euro që do t’ju sjellë ujë të pijes rreth 10 mijë banorëve të kësaj ane. Pra, i kemi dy lagje në Fushë Kosovë 28 dhe 29 dhe gjithashtu fshatrat Bardh i Madh e Sllatinë e Madhe”.

Po ashtu, ai shtoi se në strategjinë tonë të Energjisë ne kemi paraparë që të investojmë jo vetëm në modernizimin e Termocentralit “Kosova B”, por gjithashtu edhe në rehabilitimin e thellë të dy njësive të “Kosovës A”, jetëgjatësia e të cilave do të rritet për 25 vjet. Për të parën, pra për modernizimin e njësive të Termocentralit “Kosova B”, ne kemi nënshkruar kontratën në pranverë të këtij viti, ndërkaq për të dytën tenderi do të shpallet në fillim të vitit që vjen 2024. Pra, për rehabilitimin e thellë të njësive të “Kosovës A”.

“Por, ajo që është më e rëndësishmja për KEK- un është ripërtërirja e fuqisë punëtore. KEK-u ka nevojë për punëtorë të ri dhe kjo është arsyeja pse gjatë muajve të fundit janë punësuar 126 punëtorë të ri në KEK, përfshirë këtu 23 gra, dhe aktualisht është hapur konkursi edhe për 130 teknikë të makinerisë”, tha ai, me urimin për ta dhe me shpresën që edhe viti që vjen do të jetë vit i begatë e i suksesshëm për të gjithë juve e për secilën familje e anëtarë të familjes suaj.

Ai shtoi gjithashtu që Qeveria e Republikës së Kosovës e përkrahë komunën e Fushë Kosovës për të ndërtuar edhe shkolla të reja, sapo komuna ta gjejë ngastrën ku edhe mund ta ngremë godinën e re.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu theksoi s së bashku kemi premtuar që rregullimi i ujit të pijes do të jetë prioritet dhe se bashkëpunimin me ministrin Elbert Krasniqi po punojnë bashkërisht në realizimi e tij.

Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi e quajti këtë ngjarje si moment shumë të mirë për t’u takuar me qytetarë dhe në të njëjtën kohë për të filluar punën në një projekt që vetë qytetarët e kanë kërkuar nga qeveria dhe qeveria është kujdesur që sot ta fillojë. Ai tha se do të angazhohen maksimalisht që të mbikëqyrin punët, të ketë punime të shpejta dhe të vijmë shpejt deri në përfundim të projektit.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të dashur banorë,

Të dashur qytetarë,

Të nderuar ministra e kolegë nga Qeveria, deputetë të Kuvendit e zyrtarë të tjerë të shtetit,

Fshati Bardh i Madh, është një fshat me 4 mijë banorë, ndër vendbanimet më të mëdhaja në Republikën e tonë. I njohur për minierën sipërfaqësore të thëngjillit, por edhe për klubet e shumta sportive të cilët e kanë bërë të famshëm në nivel vendi.

Por, Bardhi është i njohur për popullsinë punëtore, për njerëzit e vet të ndershëm të cilët kanë kontribuar shumë, po kanë marrë pak. Andaj, edhe në takimet tona me banorët këtu në të kaluarën kërkesa ka qenë, uji i pijes edhe vendi i punës.

Puset e këtij fshati xehetarësh, edhe toka bujqësore, janë shterë e janë tkurrë ndër vite nga mihja e thëngjillit. 1580 hektarë janë marrë gjatë viteve të ‘70- ta të shekullit të kaluar, por banorët nuk kanë gëzuar mundësi të barabarta të punësimit në ndërmarrjen KEK që i jep dritë gjithë Kosovës.

Ne, si Qeveri nuk kemi premtuar mrekulli, por kemi premtuar korrektësi dhe përgjegjësi. Qeveria po e mban fjalën, sot do ta hedhim gurthemelin e projektit në vlerë 2.8 milionë euro që do t’ju sjellë ujë të pijes rreth 10 mijë banorëve të kësaj ane. Pra, i kemi dy lagje në Fushë Kosovë 28 dhe 29 dhe gjithashtu fshatrat Bardh i Madh e Sllatinë e Madhe.

Nuk mund të mblidhemi në Bardh të Madh e të mos flasim edhe për KEK-un. Siç e dini në strategjinë tonë të Energjisë ne kemi paraparë që të investojmë jo vetëm në modernizimin e Termocentralit “Kosova B”, por gjithashtu edhe në rehabilitimin e thellë të dy njësive të “Kosovës A”, jetëgjatësia e të cilave do të rritet për 25 vjet.

Për të parën, pra për modernizimin e njësive të Termocentralit “Kosova B”, ne kemi nënshkruar kontratën në pranverë të këtij viti, ndërkaq për të dytën tenderi do të shpallet në fillim të vitit që vjen 2024. Pra, për rehabilitimin e thellë të njësive të “Kosovës A”.

Nga ana tjetër, kanë përfunduar edhe shpronësimet dhe po bëhen përgatitjet për ndërtimin e parkut solar në KEK në kapacitet prej 100 megavat. Pra, ajo që dua të themi është se do të vazhdojë KEK-u të jetë motor i zhvillimit ekonomik të Kosovës, por veçanërisht i lidhur ngushtë me atë që e ka tradicionale pra ndërmarrja dhe vendbanimi i Bardhit të Madh e jo vetëm.

Ndërkohë, edhe KEK-u po kujdeset për punëtorët, për shembull duke ofruar sigurim shëndetësor, transport dhe rritjen e shujtës ditore në 5 euro, duke shpërndarë thëngjill përmbi 3 mijë punëtorë, vjet dhe sivjet. Dhe prej dje edhe me rritjen e pagave për 70 euro bruto për secilin punëtor dhe shpërndarjen e bonusit prej 300 euro për punëtorë për vitin që po e lëmë pas.

Por, ajo që është më e rëndësishmja për KEK- un është ripërtërirja e fuqisë punëtore. KEK-u ka nevojë për punëtorë të ri dhe kjo është arsyeja pse gjatë muajve të fundit janë punësuar 126 punëtorë të ri në KEK, përfshirë këtu 23 gra, dhe aktualisht është hapur konkursi edhe për 130 teknikë të makinerisë.

Kujdesi për punëtorët do të vazhdojë të jetë prioritet i KEK-ut, e KEK-u do të jetë prioritet për Qeverinë tonë. Për ta zhvilluar KEK-un edhe më tej llogarisim në përkrahjen dhe mbështetjen e secilit prej jush.

Qeveria i ka ndarë komunës së Fushë-Kosovës, të nderuar banorë të Bardhit të Madh, edhe  mjetet për çerdhen e cila tashmë ka filluar të ndërtohet. Ndërkaq dje u ekzekutua edhe pagesa e njëhershme prej 100 euro për mbi 388 mijë fëmijë dhe mbi 287 mijë pensionmarrës. Përkushtimin tonë për arsimin, e kemi shprehur edhe me 156 norma për të rritur numrin e mësimdhënësve në komunën e Fushë-Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës e përkrahë komunën për të ndërtuar edhe shkolla të reja, sapo komuna ta gjejë ngastrën ku edhe mund ta ngremë godinën e re. Pra, ata e gjejnë ngastrën ne e ndihmojmë për ndërtim të shkollave për mësimdhënësit dhe fëmijët e juaj, nxënës të tanishëm apo të ardhshëm.

Zhvillimi ekonomik i vendit e sjell edhe prosperitetin e qytetarëve, prandaj edhe investimet tona do të vazhdojnë. Puna duhet bërë shpejt, pa humbur kohë, sepse nevojat janë të mëdha edhe angazhimi duhet shtuar.

E di që të gjithë qytetarëve të kësaj zone po i vjen një gëzim me vitin e ri përmes këtij projekti të shumëpritur. Andaj, urime të gjithëve, me shpresën që edhe viti që vjen do të jetë vit i begatë e i suksesshëm për të gjithë juve e për secilën familje e anëtarë të familjes suaj.

Faleminderit e gëzuar!

Last modified: 28 Dhjetor, 2023

Comments are closed.

×