Podujevë, 20 maj 2025
Pas vizitës në ndërtesën e Komunës së Podujevës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, deputetë të Kuvendit dhe bashkë me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vendosën gurthemelin e kompleksit të Banimit të Përballueshëm dhe Social në këtë komunë.
Ky kompleks do të ketë gjithsej 133 njësi banimi, nga to 106 do të jenë njësi të banimit të përballueshëm, ndërsa për banim social do të jenë 27. Sipërfaqja e tërësishme e ndërtimit do të jetë 20,180.01 m². Banesat do të jetë të katër tipeve: 53 m², 66 m², 77 m² dhe 87 m². Vlera e projektit është gati 13.6 milionë euro dhe punimet planifikohen të finalizohet brenda 3 vjetëve. Ky projekt realizohet në bashkëpunim ndërmjet ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Komunës, me ç’rast komuna kontribuon me lokacionin dhe infrastrukturën përcjellëse, ndërkaq investimin kapital dhe mbikëqyrjen e punimeve e bën ministra.
“Banimi është e drejtë themelore njerëzore dhe prandaj ne punojmë anembanë Kosovës, në mënyrë që qytetarët për jetesë të dinjitetshme të kenë banesa me kushte të mira për familjet e tyre”, deklaroi kryeministri me rastin e vendosjes së gurthemelit.
Teksa tha se sot është një ditë e gëzueshme për qytetarët e Podujevës që ende nuk e kanë zgjidhur çështjen e banimit, ai shprehu keqardhje që vetëm 13 komuna nga 38 gjithsej kanë aplikuar për projektin për Banim të Përballueshëm dhe Social. Me këtë ai shtoi se po dëshmohet se oferta e qeverisë është më e madhe sesa kërkesa e komunave.
Kryeministri Kurti falënderoi ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Kryetarin e Komunës, Bulliqi, drejtoritë komunale dhe të pranishmit tjerë për punën dhe kontributin e tyre deri në inaugurimin e punimeve të këtij projekti me rëndësi të madhe si për komunën ashtu edhe për qytetarët e Republikës.
Last modified: 20 Maj, 2025