Prishtinë, 5 prill 2024
Është mbajtur sot, takimi i shtatë i përbashkët, mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Pushtetit Lokal, me qëllim, zgjerimin e mëtutjeshëm të bashkërendimit ndërinstitucional në shërbim të qytetarëve të Republikës. Ky takim, tema qenësore kishte Regjistrimin e Popullsisë që ka filluar nga dita e sotme si dhe koordinimin mes komunave dhe Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
Në fjalën e tij hyrëse, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullsisë, kushtet e jetesës e nivelin e edukimit, do të na ndihmojnë në orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët. Duke theksuar nevojën për bashkëpunim mes Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe komunave të Republikës, ai bëri thirrje për përkushtim dhe angazhim të përbashkët në një ndërmarrje tejet të rëndësishme institucionale të vendit tonë.
“Angazhimi ynë i përbashkët është i domosdoshëm për të adresuar nevojat e qytetarëve pa dallim dhe është baza për vendime të cilat do të ndikojnë në të ardhmen e Kosovës.” u shpreh kryeministri.
Në këtë regjistrim të popullsisë, për herë të parë, është përfshirë pyetësori i dëmeve në ekonomitë familjare të popullit tonë nga lufta e viteve 1998/1999. Qytetarët, do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara, si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur. Më saktësisht kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit 1998 deri më 12 qershor 1999.
Kryeministri deklaroi se është thelbësore që të bashkojmë forcat, për qëllimin e përbashkët për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive, e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por edhe brezave që do të vijnë pas nesh.
“Andaj, në frymë të bashkëpunimit, u ftoj që të angazhohemi bashkë për të kontribuar në këto dy procese kaq të rëndësishme për Republikën tonë, për historinë tonë dhe për të ardhmen tonë”, përfundoi kryeministri.
Ndërsa ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, ElbertKrasniqi, tha se procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është pa dyshim jetik për funksionimin e shoqërive duke theksuar se angazhimi i komunave do të ndikojë drejtpërdrejt që ky proces të këtë sukses në secilën pjesë të Republikës.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. ElbertKrasniqi,
I nderuari Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi,
I nderuari Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati,
Të nderuar kryetarë të komunave, nënkryetarë të komunave të Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Mirë se keni ardhur në takimin tonë të shtatë të përbashkët, që ka për qëllim zgjerimin e mëtutjeshëm të bashkërendimit ndërinstitucional mes Qeverisë dhe pushtetit lokal, në shërbim të qytetarëve të Republikës.
Na gëzon fakti që buxheti i komunave sivjet është 742 milionë euro, pra 195 milionë euro më shumë se sa në vitin 2021. Grantii Përgjithshëm për Komuna për vitin 2024 është gati 285 milionë euro, që njëherësh është granti me vlerën më të madhe ndonjëherë.
Ditë më parë, nënshkruam marrëveshje me vlerë mbi 8 milionë euro me kryetarët e 11 komunave përfituese të Grantit të Performancës, për projekte që kanë të bëjnë me rregullimin dhe pastrimin e shtratit të lumenjve, ndërtimin e fushave sportive, e rregullimin e ndriçimit publik.
Pra krahas rritjes së buxhetit dhe mbështetjes për zhvillim të komunave, rriten edhe mundësitë për rritje të mirëqenies së qytetarëve.
Për të planifikuar dhe zbatuar politika të bazuara në evidencë dhe për zhvillim ekonomik dhe social, është e domosdoshme të kemi të dhëna të besueshme dhe të detajuara.
Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe i banesave në Republikën e Kosovës ka filluar sot. Të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullsisë, kushtet e jetesës e nivelin e edukimit, do të na ndihmojnë në orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët, neve si qeveri, juve si Komuna dhe çdo institucioni të Republikës sonë.
Po e mbështesim Agjencinë e Statistikave të Kosovës, që është njëherit bartës i projektit të regjistrimit, me qëllim që regjistrimi të jetë cilësor, profesional, dhe gjithëpërfshirës. Por në mënyrë që të jetë i plotë suksesi i këtij procesi, me rëndësi qenësore për zhvillimin socio-ekonomik të vendit tonë, nevojitet bashkëpunim i ngushtë edhe ndërmjet Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe komunave të Republikës.
Andaj, sërish bëj thirrje për përkushtim dhe angazhim të përbashkët në një ndërmarrje tejet të rëndësishme institucionale të vendit tonë. Angazhimi ynë i përbashkët është i domosdoshëm për të adresuar nevojat e qytetarëve pa dallim dhe është baza për vendime të cilat do të ndikojnë në të ardhmen e Kosovës.
Cilësia e të dhënave nga pyetësorët është vendimtare për cilësinë e qeverisjes, si qendrore ashtu edhe lokale, për planifikim e zbatim më të drejtë, e suksese e arritje edhe më të mëdha.
Në këtë regjistrim të popullsisë, për herë të parë, është përfshirë pyetësori i dëmeve nga lufta 1998/1999, në ekonomitë familjare të popullit tonë. Qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara, si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur. Më saktësisht kjo periudhë përkufizohet: prej 28 shkurtit 1998 deri më 12 qershor 1999.
Kjo na ndërlidhë me pikën e dytë të rendit të ditës së sotme,Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, të cilin e kemi funksionalizuar për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet, anembanë Kosovës. Është thelbësore që të bashkojmë forcat, sepse qëllimin e kemi të përbashkët. Për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive, e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por edhe brezave që do të vijnë pas nesh.
Andaj, në frymë të bashkëpunimit, u ftoj që të angazhohemi bashkë për të kontribuar në këto dy procese kaq të rëndësishme për Republikën tonë, për historinë tonë dhe për të ardhmen tonë.
Ju faleminderit e tash kisha dashur që t’ia kalojë fjalën ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi.
Last modified: 5 Prill, 2024