Zyra e Kryeministrit

U mbajt pritja shtetërore për nder të Ditës së Çlirimit të Kosovës

12 Qershor, 2024

Prishtinë, 12 qershor 2024

Në kuadër të aktiviteteve dhe ngjarjeve në shënim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, u mbajt pritja shtetërore nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Në këtë ngjarje, të pranishëm ishin edhe udhëheqës të institucioneve vendore e ndërkombëtare, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ambasadorë, e përfaqësues diplomatikë. Fjalën e tij të rastit, kryeministri Kurti e filloi duke përkujtuar javët dhe muajt e pranverës së vitit 1999, të cilat kulmuan me çlirimin e Kosovës.

“Populli i Kosovës i priti ushtarët e NATO-s me krahë dhe zemra të hapura, me buzëqeshje dhe me brohoritje, si çlirimtarë njësoj sikurse luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kudo ushtarëve iu ofruan lule gjersa valëviteshin flamujt e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe shteteve tjera krahas flamurit kombëtar shqiptar,” tha kryeministri.

Më tej, theksoi se liria erdhi falë sakrificës së popullit, rezistencës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së aleancës më të madhe ushtarake në historinë e njerëzimit – NATO-s. “Prandaj, sot themelet e shtetit tonë janë të forta sepse ato u ndërtuan mbi gjakun e dëshmorëve, nga qëndresa e popullit dhe me mbështetjen e aleatëve,” shtoi ai.

Kryeministri Kurti veçoi edhe “katër figura të rëndësishme, me të cilët kemi emëruar sheshe dhe rrugë dhe u kemi ngritur shtatore në qytetet e Kosovës. Presidenti Bill Clinton, Kryeministri Tony Blair, Sekretarja Madeleine Albright dhe gjenerali Wesley Clark, për të cilët historia e Kosovës do të ruaj faqet më të ndritura për kontributin dhe rolin e tyre në lirinë tonë.”

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri foli mbi historinë e suksesit të Kosovës, progresit e zhvillimit që ka njohur vendi ynë: “Një çerek shekulli pas largimit të forcave të armatosura okupatore të Serbisë, Kosova është kampione në Ballkanin Perëndimor për progres në demokraci dhe në sundim të ligjit, për respektim të drejtave të njeriut dhe luftim të korrupsionit. Ekonomia e Kosovës apo Bruto Produkti Vendor sivjet do të jetë pesë herë e gjysmë më i madh sesa në vitin 2000, gati tri herë më i madh se në vitin e shpalljes së pavarësisë, 2008, dhe 50% më i lartë sesa para katër vjetëve. Çlirimi i vendit, shpallja e pavarësisë dhe qeverisja e mirë ia kanë vlejtur fort për demokracinë qytetare e njashtu edhe për rritjen ekonomike.”

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Të nderuar presidentë të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë, znj. Vjosa Osmani Sadriu, dhe z. Bajram Begaj,
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,
I nderuari Lord George Robertson, ish Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s,
Të nderuar ish-presidentë të Republikës të Kroacisë, dhe të Konfederatës zvicerane, z. Stjepan Mesić dhe znj. Micheline Calmy-Rey,
I nderuari z. Mate Granić, ish Ministër i Punëve të Jashtme dhe i Çështjeve Evropiane të Republikës të Kroacisë,
I nderuari ambasadori William Walker, ish udhëheqës i misionit të Organizatës për Siguri Bashkëpunim në Evropë, OSBE në Kosovë,
Të nderuar deputetë të Kuvendit, Zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra të Qeverisë,
Të nderuar kryetarë të subjekteve politike e përfaqësues të institucioneve nga Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Shqipëria dhe mërgata,
Shkëlqesi ambasadorë dhe miq e mysafirë ndërkombëtarë,
Të nderuar udhëheqës e përfaqësues të institucioneve shtetërore, kryetarë të komunave dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë,
Të nderuar prijës fetarë,
I nderuari myfti, Naim Tërnava,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,

Jemi mbledhur sërish bashkë sot, me miq, partnerë e aleatë të festojmë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Javët e muajt e pranverës së vitit 1999-të, ishin shumë të vështira e të rënda, një çerekshekulli më parë, operacionet e tokës së djegur dhe plani gjenocidal patkoi i Serbisë sollën humbje, vuajtje dhe shkatërrim pa masë në mbarë Kosovën.

Por kur ushtarët e parë të NATO-s hynë në Kosovë, fytyrat e mbuluara nga pikëllimi dhe sytë që kishin parë ditët më të errëta në jetën e tyre, filluan të shkëlqenin me lot gëzimi.

Populli i Kosovës i priti ushtarët e NATO-s me krahë dhe zemra të hapura, me buzëqeshje dhe me brohoritje, si çlirimtarë njësoj sikurse luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kudo ushtarëve i’u ofruan lule gjersa valëviteshin flamujt e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe shteteve tjera krahas flamurit kombëtar shqiptar.

Liria erdhi falë sakrificës së popullit, rezistencës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së aleancës më të madhe ushtarake në historinë e njerëzimit – NATO-s. Prandaj, sot themelet e shtetit tonë janë të forta sepse ato u ndërtuan mbi gjakun e dëshmorëve, nga qëndresa e popullit dhe me mbështetjen e aleatëve.

Në këtë ditë, lista e falënderimeve është e gjatë, por dua të veçoj katër figura me të cilët kemi emëruar sheshe dhe rrugë dhe u kemi ngritur shtatore në qytetet e Kosovës. Presidentin Bill Clinton, Kryeministri Tony Blair, Sekretarja Madeleine Albright dhe gjenerali Wesley Clark, për të cilët historia e Kosovës do të ruaj faqet më të ndritura për kontributin dhe rolin e tyre në lirinë tonë.

Siç e tha edhe Kryeministri Tony Blair pardje në Kuvend, liria në vetvete nuk mjafton. Nuk mjafton pa institucionet demokratike dhe sundimin e ligjit sepse e kemi parë sa lehtë atë e marrin nga brenda autokratët. Nuk mjafton pa lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, pa të drejtën për të kritikuar dhe protestuar, pa frikën e ndëshkimit, por nuk mjafton edhe pa shanset e barabarta për sukses në jetë.

Një çerek shekulli pas largimit të forcave të armatosura okupatore të Serbisë, Kosova është kampione në Ballkanin Perëndimor për progres në demokraci dhe në sundim të ligjit, për respektim të drejtavetë njeriut dhe luftim të korrupsionit. Ekonomia e Kosovës apo Bruto Produkti Vendor sivjet do të jetë pesë herë e gjysmë më i madh sesa në vitin 2000, gati tri herë më i madh se në vitin e shpalljes së pavarësisë, 2008, dhe 50% më i lartë sesa para katër vjetëve. Çlirimi i vendit, shpallja e pavarësisë dhe qeverisja e mirë ia kanë vlejtur fort për demokracinë qytetare e njashtu edhe për rritjen ekonomike.

Sot kujtojmë dhe nderojmë pra, të gjithë ata që kontribuan për lirinë, por edhe festojmë arritjet e lirisë. Kosova çdo herë e më shumë po lartësohet me arritje në sport e në kulturë që na kanë vendosur në hartën botërore të sukseseve.

Sukseset e të rinjve tanë janë dëshmi e fuqisë së lirisë. Është kjo liri e fituar me kaq mund e sakrificë që ka mundësuar përparimin dhe arritjet e jashtëzakonshme që sot i gëzojmë.

Ju faleminderit dhe gëzuar dita e çlirimit të Kosovës të gjithë juve.

 

 

Last modified: 13 Qershor, 2024

Comments are closed.