Prishtinë, 25 maj 2023
Teksa sot u realizua një hap i rëndësishëm në arritjen e objektivave të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Energjisë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, bashkë me Ambasadorin Amerikan, Jeffrey Hovenier dhe Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë në Konferencën e Para Ofertimit për Ankandin Solar 100 MW.
Sipas kryeministrit, ankandi i parë diellor që po pritet të krijohet në Kramovik ka potencialin të sigurojë energji elektrike për pothuajse 20,000 familje, projekt ky i cili hap rrugën drejt projekteve të mëtejshme të energjisë së rinovueshme në Kosovë.
“Kjo pasqyron angazhimin tonë për një axhendë kuptimplotë të ndryshimeve klimatike, mirëqenien e qytetarëve tanë dhe kalimin tonë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme energjetike. Për më tepër, ne jemi në proces të finalizimit të Ligjit për Energjitë e Rinovueshme, i cili përfshin praktikat më të mira globale në industrinë e energjisë së rinovueshme dhe ofron siguri ligjore dhe rregullatore për investitorët e mundshëm”, shtoi kryeministri.
Ai theksoi se investimi për ankandin e parë diellor përbëhet nga një marrëveshje mbi 200 milionë euro me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit për sistemet e ruajtjes së baterive, një marrëveshje ndërmjet Korporatës sonë Energjetike dhe General Electric për modernizimin e termocentralit “Kosova B”, dhe një marrëveshje prej 160 milionë euro me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të ndërtuar kapacitete të energjisë së rinovueshme.
Tutje, duke përmendur elementet që e bëjnë Kosovën një destinacion tërheqës për investitorët, sikurse afërsia e saj me tregjet evropiane, fuqia punëtore e aftë, dhe një kuadër i fuqishëm rregullator, kryeministri veçoi se synimi ynë është të inkurajojmë investimet private dhe të krijojmë një klimë të favorshme investimi, të cilat edhe janë shtytës kyçë për rritjen ekonomike.
Mirënjohjen e tij të thellë, kryeministri e shprehu edhe për ambasadorin Hovenier dhe Qeverinë e SHBA-së, si dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), për mbështetjen e palëkundur në ndihmën e Kosovës në identifikimin dhe promovimin e potencialit të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
Njëkohësisht, ai u nda i kënaqur edhe me punën e ministres Rizvanolli dhe ekipin e saj, të cilët kanë mundur të zhvillojnë këtë iniciativë dhe të krijojnë një proces të hapur dhe transparent tenderimi në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Konferenca e Para Ofertimit për Ankandin Solar 100 MW u organizua nga Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me USAID.
Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti:
Shkëlqesia Juaj Jeffrey Hovenier, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë,
E nderuara znj. Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë e Republikës së Kosovës,
I nderuar z. Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë tonë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Të nderuar mysafirë,
Jam i nderuar t’ju drejtohem sot teksa po ecim përpara me ankandin tonë të parë të energjisë solare – një moment historik për Kosovën.
Ne e kuptojmë rolin vendimtar që luan energjia e rinovueshme në luftimin e ndryshimeve klimatike dhe reduktimin e varësisë tonë nga lëndët djegëse fosile, dhe ne e kuptojmë rëndësinë e investimeve të sektorit privat për të ndërtuar këto kapacitete të energjisë së rinovueshme.
Ankandi ynë i parë i energjisë së rinovueshme shërben si një hap kritik në arritjen e objektivave të përcaktuara në Strategjinë tonë Kombëtare të Energjisë, e cila synon të krijojë pavarësinë e energjisë dhe një kalim drejt burimeve të gjelbra dhe të qëndrueshme. Jam jashtëzakonisht i kënaqur që ministrja Rizvanolli dhe ekipi i saj kanë mundur të zhvillojnë këtë iniciativë dhe të krijojnë një proces të hapur dhe transparent tenderimi në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Procesi që ne po përdorim do të nxisë konkurrencën dhe do të sigurojë drejtësi dhe transparencë midis investitorëve të mundshëm. Kjo do të ketë përfitimin shtesë të uljes së kostove dhe do të hapë rrugën për projekte të mëtejshme të energjisë së rinovueshme në Kosovë.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të thellë për ambasadorin Hovenier dhe Qeverinë e SHBA-së, si dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), për mbështetjen e tyre të palëkundur për të ndihmuar Kosovën në identifikimin dhe promovimin e potencialit të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
Pavarësisht sfidave, ne kemi bërë përparim të dukshëm në sektorin e energjisë.
Projektet dhe marrëveshjet e dukshme që do të nxisin këtë ndryshim janë një marrëveshje mbi 200 milionë euro me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit për sistemet e ruajtjes së baterive, një marrëveshje ndërmjet Korporatës sonë Energjetike dhe General Electric për modernizimin e termocentralit “Kosova B”, dhe një marrëveshje 160 milionë euro me FMN-në për të ndërtuar kapacitete të energjisë së rinovueshme. Sot, me krenari them se Kosova po ndërmerr hapa të guximshëm drejt ndërtimit të një ekonomie të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin duke shfrytëzuar fuqinë e energjisë së rinovueshme. Si rezultat, ne jemi në rrugën e duhur për një tranzicion të përshpejtuar dhe shumë të nevojshëm të energjisë.
Ankandi solar që po mbajmë në Kramovik ka potencialin të sigurojë energji elektrike për pothuajse 20,000 familje. Ky projekt përfaqëson progres të prekshëm dhe real në tranzicionin tonë të energjisë dhe mbështetjen për zgjidhjet e energjisë së rinovueshme. Dhe ky është vetëm fillimi për Kosovën.
Siç e dini, vendi ynë ofron infrastrukturë të shkëlqyer dhe një vendndodhje strategjike të favorshme që e bëjnë atë një destinacion tërheqës për investitorët e mundshëm. Afërsia me tregjet evropiane, një fuqi punëtore e gjallë dhe e aftë, dhe një kornizë rregullatore e fuqishme kontribuojnë në atraktivitetin e saj si një destinacion fitimprurës investimi. Synimi ynë është të inkurajojmë investimet private dhe të krijojmë një klimë të favorshme investimi, të cilat janë shtytës kyç për rritjen ekonomike.
Në përputhje me Strategjinë tonë ambicioze Kombëtare të Energjisë, ne kemi vendosur objektiva për të vendosur mbi 1300 MW kapacitete të energjisë së rinovueshme. Kjo pasqyron angazhimin tonë për një agjendë kuptimplotë të ndryshimeve klimatike, mirëqenien e qytetarëve tanë dhe kalimin tonë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme energjetike. Për më tepër, ne jemi në proces të finalizimit të Ligjit për Energjinë e Rinovueshme, i cili përfshin praktikat më të mira globale në industrinë e energjisë së rinovueshme dhe ofron siguri ligjore dhe rregullatore për investitorët e mundshëm.
Është vizioni ynë që të arrijmë qëndrueshmëri mjedisore, por gjithashtu që sektori ynë i energjisë të bëhet qendror për promovimin e zgjerimit ekonomik, rritjen e mundësive të punësimit dhe lehtësimin e rritjes së biznesit brenda Kosovës.
Ju falënderoj të gjithëve që jeni pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur të Qeverisë së SHBA-së në përpjekjet tona për ndërtimin e një kombi të fortë, të begatë dhe demokratik.
Faleminderit!
Last modified: 26 Maj, 2023