Prishtinë, 30 prill 2024
Sot u mbajt ceremonia shënuese për marrjen e Vlerësimit të parë Kreditor Sovran nga Agjencia Fitch Ratings, e cila i ka dhënë shtetit tonë vlerësimin BB-.
Në ngjarjen shënuese ishin të pranishëm Kryeministri i Republikës së Kosovës. Albin Kurti, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, Drejtoresha e USAID në Kosovë, Eileen Devitt dhe përfaqësues të shumtë nga misionet diplomatike, institucionet financiare dhe odat ekonomike.
Në fjalën e tij hapëse të kësaj ceremonie Kryeministri Kurti theksoi se faktorët kyçë që kanë ndikuar në vlerësimin BB- për Kosovën kanë qenë ulja e deficitit buxhetor, rritja ekonomike, politikat e besueshme fiskale, rritja e vazhdueshme e mbledhjes së tatimit, dhe niveli i ulët i borxhit publik në raport me Bruto Produktin Vendor dhe se ky vlerësim e forcon pozicionin e Republikës së Kosovës edhe më tej në arenën ndërkombëtare.
“Si Qeveri që nga fillimi, veçanërisht përmes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, jemi përkujdesur që të ndërmarrim politika të qëndrueshme të cilat do të shërbenin si katalizatorë për rritjen ekonomike dhe pozicionimin e favorshëm makrofiskal të vendit”, tha kryeministri duke shtuar se faktor tjetër pozitiv në Vlerësimin Kreditor ka qenë stabiliteti institucional. Ai shtoi se Vlerësimi shërben si pasaportë për vendin tonë përmes së cilës investitorët e huaj, organizatat e bizneset ndërkombëtare mund të informohen për zhvillimin ekonomik dhe politikat financiare të vendit tonë, duke forcuar kështu pozicionin e shtetit tonë edhe më tej në arenën ndërkombëtare.
Drejtoresha Devitt nga ana e saj theksoi se vlerësimi kreditor nga Fitch Ratings mundëson qasjen në tregje të reja financiare, hapë rrugën për investime publike, siç janë rrugët dhe hekurudhat e reja, si dhe e lehtëson rrugën për të gjithë ata që duan të hapin bizneset e tyre.
Pjesa e dytë ishte diskutim në panel ku pjesëmarrës ishin Ministri Murati, Guvernatori Ismaili, Kryetari i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Z. Suat Bakkal si dhe Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Z. Massimiliano Paolucci.
Në këtë diskutim, Ministri Murati potencoi se vlerësimi kreditor nga Fitch Ratings e vendos Kosovën në pozitë të favorshme që do të ndikojë në qasjen e Kosovës në tregje ndërkombëtare financiare. Njëkohësisht, Ministri Murati theksoi se vlerësimi kreditor vjen si rezultat i përkushtimit të Qeverisë përmes politikave që kanë ndikuar në rritjen e prodhimit të bruto prodhimit vendor dhe uljes së borxhit publik. Diskutimi në panel vazhdoi duke theksuar avantazhet e një vlerësimi të tillë nga ana e katër panelistëve.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati,
E nderuara Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari,
I nderuar Guvernator i Bankës Qendrore, z. Ahmet Ismaili,
E nderuara Drejtore e Misionit të USAID në Kosovë, znj. Eileen Devitt,
Të nderuar anëtarë të misioneve diplomatike në Republikën tonë, bashkëpunëtorë nga organizatat ndërkombëtare,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Sot jemi mbledhur për ta prezantuar e për të diskutuar për një çështje me rëndësi të veçantë për shtetin tonë. Ajo do të ketë ndikim shumë pozitiv për ekonominë e vendit por edhe do të shërbej si provë e qartë e punës sonë si Qeveri sa i përket menaxhimit të financave publike dhe politikave makrofiskale të cilat i kemi ndërmarrë deri më tani.
Për herë të parë, Republika e Kosovës ka marrë Vlerësimin Kreditor Sovran nga Agjencia Fitch Ratings, e cila i ka dhënë Kosovës vlerësimin BB-. Ky vlerësim nënkupton se në perspektivën ndërkombëtare Republika jonë vendoset në hartën e shteteve si destinacion për investitorët e huaj.
Agjencia Fitch Ratings në vlerësimin e saj ka marrë për bazë shumë faktorë ekonomikë, financiarë, institucionalë dhe politikë. Specifikisht, metodologjia që përdorë Agjencia për vlerësimin kreditor sovran, merr për bazë tre (3) vitet e fundit të performancës financiare të vendit. Andaj si Qeveri që nga fillimi, veçanërisht përmes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, jemi përkujdesur që të ndërmarrim politika të qëndrueshme të cilat do të shërbenin si katalizatorë për rritjen ekonomike dhe pozicionimin e favorshëm makrofiskal të vendit. Kjo shihet qartazi në vlerësimin kreditor të Fitch Ratings që është dhënë për Republikën tonë dhe detajisht në raportin e tyre i cili shpjegon arsyet mbrapa këtij vlerësimi të dhënë.
Në raportin e publikuar, Agjencia vlerëson se faktorët kyçë që kanë ndikuar në vlerësimin BB- për Kosovën kanë qenë ulja e deficitit buxhetor, rritja ekonomike, politikat e besueshme fiskale, rritja e vazhdueshme e mbledhjes së tatimit, dhe niveli i ulët i borxhit publik në raport me Bruto Produktin Vendor.
“Deficiti i përgjithshëm i Qeverisë së Kosovës u përmirësua në 0.3% të PBV-së në vitin 2023, e cila krahasohet në mënyrë të favorshme me medianën e deficitit prej 3.1% të grupit ‘BB’. Rritja prej 13% e të hyrave tatimore që shpjegohet nga efikasiteti në mbledhje të tatimit, dhe rritja e theksuar në grante, ka balancuar rritjen në shpenzime prej 13% përfshirë rritjen e theksuar prej 33% në shpenzime kapitale. Borxhi i Qeverisë (duke përfshirë garancitë) ra në 17.5% të PBV-së në fund të vitit 2023 nga 22.4% sa ishte në fund të vitit 2020, afër nivelit të tij parapandemik dhe shumë nën medianën prej 53.1% të grupit ‘BB’” – këto janë vlerësimet që ka dhënë Fitch Ratings në raportin e tyre për performancën fiskale të Republikës sonë.
Po ashtu, faktor tjetër pozitiv në Vlerësimin Kreditor ka qenë stabiliteti institucional, ku Agjencia ka theksuar se Qeveria jonë është mirë e pozicionuar për të shërbyer mandat të plotë si dhe ka shtyrë përpara shumë reforma të rëndësishme sikurse luftimi i korrupsionit, përkundër sfidave të shumta.
Ky Vlerësim Kreditor Sovran që kemi marrë dokumenton fuqinë financiare të vendit tonë për të paguar borxhin, dhe për të rritë besueshmërinë tek investitorët ndërkombëtarë. Kësisoj ky vlerësim lehtëson procesin e investimeve të huaja direkte në vend, ulë kostot e kredidhënies si për bizneset ashtu edhe për amvisëritë, si dhe hapë mundësitë e reja për qasje në financa në tregje financiare ndërkombëtare.
Pra, ky Vlerësimi shërben si pasaportë për vendin tonë përmes së cilës investitorët e huaj, organizatat e bizneset ndërkombëtare mund të informohen për zhvillimin ekonomik dhe politikat financiare të vendit tonë, duke forcuar kështu pozicionin e shtetit tonë edhe më tej në arenën ndërkombëtare.
Andaj, përgëzime për punën dhe rezultatin Ministrisë Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe gjitha institucioneve të tjera që kanë kontribuar në këtë sukses të cilin e ndajmë bashkë. Urime të gjithëve për këtë të arritur dhe faleminderit partnerëve tanë për mbështetjen e vazhdueshme.
Last modified: 30 Prill, 2024