Prishtinë, 6 mars 2025
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar 5, 6 dhe 7 marsit, e cila u mbajt në kuadër të aktiviteteve në shënim të 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se rënia heroike e Adem Jasharit dhe flijimi i 58 familjarëve, prej Blerinës 7-vjeçare e deri te bacë Shabani 74-vjeçar, ishte si një shok elektrizues që përshkoi të gjitha qelizat e trupit të popullit shqiptar.
“Përkundër efektit terrorizues që synonte Serbia, rezultati ishte mobilizimi masiv dhe i menjëhershëm i shqiptarëve në radhët e Ushtrisë Çlirimtare që deri atëherë nuk njihej mjaftueshëm, por që prej atëherë emri i Adem Jasharit dhe ai i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bë i njohur për të gjithë dhe sinonim të njëri-tjetrit, për të gjithë brenda vendit e po ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Adem Jashari, Kryekomandanti i UÇK-së dhe UÇK-ja e komandantit legjendar Adem Jashari: të tillë pra, të pashkëputur nga njëri-tjetri, do të mbeten përjetë! Prandaj, ne sonte, si për çdo vit, e kujtojmë Epopenë e UÇK-së bashkërisht me flijimin në luftë të burrave, grave dhe fëmijëve të familjes Jashari. Përmes përmendjes së dëshmorëve të kësaj familjeje, ne kujtojmë e nderojmë të rënët për liri anembanë Kosovës, ne kujtojmë e nderojmë të gjithë luftëtarët, por dhe viktimat civile të gjenocidit të Serbisë”, tha kryeministri.
Me tej, ai tha se ne kemi detyrë të kujtojmë, nuk mund ta harrojmë as luftën çlirimtare në përgjithësi, as viktimat civile, e posaçërisht nuk mund ta harrojmë Epopenë e UÇK-së, pikërisht për të mos u kthyer në të kaluarën.
“Duke mos harruar ne kemi të ardhme të sigurt e të ndritshme. E sidomos tani duhet të marrim shembull nga lufta jonë çlirimtare, sepse horizonti i së ardhmes po errësohet nga retë e zeza të luftës që po zhvillohet në Ukrainë. Fatkeqësisht, luftërat nuk i takojnë vetëm të kaluarës dhe ato janë rikthyer në këtë shekull në kontinentin evropian”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se përpjekja jonë për siguri dhe paqe do të vazhdojë me investimet në siguri e rend në të gjithë territorin e Kosovës; me aleancën tonë të palëkundur me shtetet demokratike – ShBA-në, vendet e Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë, Kanadanë etj.; me bashkëpunimin sidomos me Republikën e Shqipërisë dhe shtete të tjera në Ballkanin Perëndimor që punojnë për paqen në rajonin tonë e janë vende demokratike. Po ashtu, deklaroi se Kosova mbetet e përkushtuar, jo vetëm për të përfituar, por edhe për të dhënë ndihmesën e saj për fuqizimin e institucioneve euro-atlantike dhe për paqen në Evropë.
“Ne përulemi me respekt para Epopesë së UÇK-së dhe nderojmë të rënët dhe të gjithë ata që, me uniformë ose pa uniformë, kanë kontribuar për lirinë tonë dhe për Republikën e Kosovës! Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, lavdi familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar!”, përmbylli fjalën e tij kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I dashuri Baca Rifat,
E nderuara familje Jashari,
E nderuara znj. Marigona Jashari,
I nderuari z. Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuara familje të dëshmorëve, veteranë e invalid të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ministra e zëvendësministra të Qeverisë,
Të nderuar zëvendëskryeministra të Kosovës e të Maqedonisë së Veriut, Donika Gërvalla dhe Arben Fetai,
I nderuari ministër i Shëndetësisë nga Maqedonia e Veriut, Arben Taravari,
I nderuari kryetar i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura,
I nderuar Ambasador Malaj,
Të nderuar mysafirë nga Shqipëria, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut,
Të nderuar oficerë e gjeneralë e ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Të nderuar ish të burgosur politikë, veprimtarë të çështjes kombëtare,
Të nderuar përfaqësues e drejtues të institucioneve të shtetit tonë,
Akademikë, profesorë, studentë,
I nderuari historian, z. Durim Abdullahu,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Në jetën e çdo populli ka ngjarje që e ndajnë kohën më dysh. Periudha që pason ngjarjen nuk mund të jetë njëlloj si koha që i ka paraprirë asaj. Sepse ka ndërruar rrjedha e zhvillimit ose është përshpejtuar tendenca historike e popullit. Për shqiptarët në Kosovë e përtej kufijve të Kosovës, një ngjarje e tillë ishte lufta epike e familjes Jashari në fillimin e marsit e të pranverës së vitit 1998. Para saj kemi kohën e qëndresës kryesisht paqësore, kurse pas saj kemi qëndresën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga ana e saj shkaktoi ndërhyrjen e NATO-s për t’i dhënë fund gjenocidit të Serbisë, dhe për t’i sjellë edhe administratën e trupat ndërkombëtare e mandej edhe shpalljen e pavarësisë së republikës sonë në vitin 2008.
Rënia heroike e Adem Jasharit dhe flijimi i 58 familjarëve të të dyja gjinive, prej Blerinës 7-vjeçare e deri te bacë Shabani 74-vjeçar, ishte si një shok elektrizues që përshkoi të gjitha qelizat e trupit të popullit shqiptar. Përkundër efektit terrorizues që synonte Serbia, rezultati ishte mobilizimi masiv dhe i menjëhershëm i shqiptarëve në radhët e Ushtrisë Çlirimtare që deri atëherë nuk njihej mjaftueshëm, por që prej atëherë emri i Adem Jasharit dhe ai i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bë i njohur për të gjithë dhe sinonim të njëri-tjetrit, për të gjithë brenda vendit e po ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Adem Jashari, Kryekomandanti i UÇK-së dhe UÇK-ja e komandantit legjendar Adem Jashari: të tillë pra, të pashkëputur nga njëri-tjetri, do të mbeten përjetë! Prandaj, ne sonte, si për çdo vit, e kujtojmë Epopenë e UÇK-së bashkërisht me flijimin në luftë të burrave, grave dhe fëmijëve të familjes Jashari. Përmes përmendjes së dëshmorëve të kësaj familjeje, ne kujtojmë e nderojmë të rënët për liri anembanë Kosovës, ne kujtojmë e nderojmë të gjithë luftëtarët, por dhe viktimat civile të gjenocidit të Serbisë.
Ndonjëherë na thuhet të mos shikojmë pas, por vetëm përpara, drejt së ardhmes së përbashkët, si ajo shprehja “të shkuara, të harruara”, që e thonë ata që duan të pajtohen. Mirëpo, si mund të ketë pajtim pa pranim të fajit, si mund të ketë falje nga ana e viktimës, kur agresori jo vetëm që nuk kërkon falje, por zotohet ta përsërisë krimin në rastin më të parë që i jepet. Serbia nuk është shëruar prej le ta quajmë “kompleksit të Kosovës” që e ka çuar atë t’i shkaktoj disa gjenocide në shek. XX dhe në fund të shek. XIX, jo vetëm në tokën tonë, por edhe në vende të tjera të Ballkanit. Serbia është shteti më i armatosur në rajonin tonë, aleati më i ngushtë i Rusisë, që Kosovën e quan sepse e don pjesë të territorit të saj shtetëror, që mban baza të përparme ofensive të ushtrisë dhe xhandarmërisë pranë kufirit me vendin tonë Kosovën, që ndërmerr sulme terroriste, luftë kinetike, sabotime të ndryshme teksa strukturat paralele ilegale në territorin e Kosovës përgjithësisht ia kemi mbyllur ose shporrur. Ne kemi detyrë të kujtojmë, ne nuk mund ta harrojmë as luftën çlirimtare në përgjithësi, as viktimat civile, e posaçërisht nuk mund ta harrojmë Epopenë e UÇK-së, pikërisht për të mos u kthyer në të kaluarën. Duke mos harruar ne kemi të ardhme të sigurt e të ndritshme. E sidomos tani duhet të marrim shembull nga lufta jonë çlirimtare, sepse horizonti i së ardhmes po errësohet nga retë e zeza të luftës që po zhvillohet në Ukrainë. Fatkeqësisht, luftërat nuk i takojnë vetëm të kaluarës dhe ato janë rikthyer në këtë shekull në kontinentin evropian.
Në kohën kur shtetet e kontinentit tonë po investojnë më shumë në pajisje dhe përgatitje ushtarake, edhe ne në Kosovë, që luftën e përjetuam e mbijetuam në të shkuarën e afërt dhe që rrezikun e një agresioni të hapur ushtarak e kemi jo larg kufijve tanë, po punojmë për pajisjen e FSK-së me armatim modern dhe për stërvitjen e saj sipas artit bashkëkohor ushtarak. Në katër vitet e fundit ne e kemi përmbushur standardin, kuotën e kërkesën e NATO-s për dedikimin e së paku 2% të bruto produktit vendor për mbrojtjen, kemi investuar 319 milionë euro për armatim bashkëkohor, siç janë dronët luftarak nga Turqia “Bayraktar”, sistemet kundërtankeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Javelin”; kemi shtuar rekrutimin dhe trajnimin e ushtarakëve, brenda dhe jashtë vendit. E FSK-ja ka marrë pjesë në 12 ushtrime ndërkombëtare dhe njësi të saj janë validuar për operacione konvencionale dhe operacione paqeruajtëse e të tjera, e të tjera.
Mbi të gjitha, FSK-ja dhe forcat e tjera të sigurisë dhe të rendit në Kosovë kanë moral dhe motivim të lartë shpirtëror për të kryer detyrat e tyre, sepse ato marrin frymëzim të pashtershëm nga shembulli i luftës çlirimtare, të drejtë e vetëmohuese të UÇK-së. Përgatitja jonë për një të ardhme të sigurt, për demokraci e për paqe, ka nisur përpara pavarësisë, ajo ka nisur me refuzimin e nënshtrimit, me lëvizjen paqësore për republikë, me përshkallëzimin e qëndresës, rezistencës, kryengritjes sonë në luftë çlirimtare. Përpjekja jonë për sigurinë dhe paqen do të vazhdojë me investimet në siguri e rend në të gjithë territorin e Kosovës; me aleancën tonë të palëkundur me shtetet demokratike – ShBA, vendet e Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë, Kanadanë etj.; me bashkëpunimin sidomos me Republikën e Shqipërisë dhe shtete të tjera në Ballkanin Perëndimor që punojnë për paqen në rajonin tonë e janë vende demokratike.
E ne si një vend demokratik me zhvillim gjithnjë e më të madh, ku respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut pa dallim, Kosova pra mbetet e përkushtuar, jo vetëm për të përfituar, por edhe për të dhënë ndihmesën e saj për fuqizimin e institucioneve euro-atlantike dhe për paqen në Evropë. Republika e Kosovës sot nuk është një shtet që thjesht konsumon siguri nga aleatët, partnerët e miqtë tanë, por edhe kontribuon me ta, për ta, për të gjithë neve së bashku. Kosova aspiron të bëhet anëtare edhe NATO-s edhe e Bashkimit Evropian, sepse në këtë mënyrë i shërbehet më mirë ruajtjes dhe forcimit në rajonin tonë të vlerave të lirisë, dinjitetit njerëzor, të paqes dhe mirëqenies për të gjithë.
Ne përulemi me respekt para Epopesë së UÇK-së dhe nderojmë të rënët dhe të gjithë ata që, me uniformë ose pa uniformë, kanë kontribuar për lirinë tonë dhe për Republikën e Kosovës! Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, lavdi familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar!
Last modified: 6 Mars, 2025