Prishtinë, 30 gusht 2023
Nën përkujdesjen e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, u shënua Dita Ndërkombëtare e personave të zhdukur me dhunë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, bënë homazhe dhe vendosën lule te përmendorja dedikuar të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
U bënë homazhe të përbashkëta me familjarët e të zhdukurve, Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe organizatat tjera vendore e ndërkombëtare.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, theksoi mungesën e bashkëpunimit nga ana e Serbisë dhe domosdoshmërinë e angazhimit të faktorit ndërkombëtar për zbatimin e Deklaratës së adoptuar për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës. Ai ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të vërtetën, për fatin dhe vendndodhjen e të gjithë të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Last modified: 30 Gusht, 2023