Zyra e Kryeministrit

Shënohet 55-vjetori i demonstratave të vitit 1968

27 Nëntor, 2023

Prishtinë,  27 nëntor 2023 

Në hapësirat e Institutit Albanologjik, në një bashkëorganizim me Shoqërinë “Lëvizja” dhe nën përkujdesin e Kryeministrit të Republikës, u mbajt sot, akademi në shënim të 55-vjetorit të demonstratave të 1968-të.

Kryeministri Kurti, në pamundësi për të qenë i pranishëm, përcolli në formë të shkruar fjalën e tij, e cila gjatë akademisë u lexua nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Më poshtë gjeni fjalën e plotë:

Të nderuar anëtarë të Shoqatës së të Burgosurve Politikë së Kosovës
Të nderuar bashkëorganizator Shoqëria “Lëvizja”,
Të nderuar burra dhe gra, pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1968,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm

Të gjitha ngjarjet me rëndësi për historinë e shqiptarëve të cilat kanë ndodhur në gjysmën e dytë të muajit nëntor, natyrshëm kujtohen nën shenjën e 28 Nëntorit, datës së përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Qysh atëherë, më 1912, para 111 vitesh, kur u krijua shteti shqiptar jashtë hapësirës territoriale të të cilit mbetën 2/3-at e zonave të banuara me shumicë shqiptare, në thelb, shqiptarët kanë kërkuar vetëm një gjë: të drejtën për vetëvendosje!

Edhe në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, ku një nga 14 pikat e Woodrow Wilson ishte pikërisht e drejta e popujve për vetëvendosje, edhe më 1943 përkatësisht 1944 në Kuvendin e Bujanit, ku u kërkua vetëvendosje po ashtu dhe deri te krijimi dhe konsolidimi i Republikës së Kosovës, ku koncepti i “vetëvendosjes” u bë emërues dhe emërtues i një subjekti politik: Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Kështu ishte edhe 55 vite më parë, më 1968, kur rinia e Kosovës u ngrit në valë demonstratash duke kërkuar vetëvendosje dhe më shumë të drejta për shqiptarët në Jugosllavi. Muajin e kaluar, më 19 tetor, i kujtuam demonstratat e vitit 1968 në Pejë. Sot, i kujtojmë demonstratat e 27 nëntorit të vitit 1968 në Prishtinë, Podujevë, Gjilan dhe Ferizaj. Ishin këto demonstrata që e avancuan statusin e Kosovës në krahinë autonome, që e sollën Universitetin e Prishtinës, të drejtën për përdorim të flamurit dhe të drejta të tjera politike e kulturore, ndonëse të pjesshme dhe të kufizuara. Pesë dekada dhe pesë vite nga atëherë, rendi botëror ka ndryshuar rrënjësisht, gjeopolitika e rajonit dhe e kontinentit ka evoluar shumë dhe proceset politike nëpër të cilat kalon Kosova janë krejt të tjera. Megjithatë, brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë, duhet ta njohin fuqinë e hallkës që përfaqëson demonstratat e vitit 1968, në zinxhirin e gjatë të historisë politike të Kosovës. Sepse pa demonstratat e vitit 1968, nuk do të bëheshin as demonstratat e vitit 1981, 1989, 1990 dhe as ato të vitit 1997, etapa aq të rëndësishme në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Për këtë arsye, si një aktivist politik që ka organizuar demonstrata dhe si Kryeministër i Republikës së Kosovës, më lejoni të shprehë gjithë mirënjohjen dhe respektin tim, për secilin prej jush dhe për të gjithë ata që i organizuan demonstratat e vitit 1968 dhe që iu qëndruan mbrapa atyre idealeve dhe parimeve, të ndërgjegjshëm për rolin e tyre historik si atëherë edhe sot.

Urime 55-vjetori i demonstratave të 27 nëntorit 1968 dhe urime 28 Nëntori!

Ju falemnderit!

Last modified: 27 Nëntor, 2023

Comments are closed.

×