Zyra e Kryeministrit

Replika e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të datës 8 shkurt

9 Shkurt, 2024

Përkthim jo zyrtar

Faleminderit zonja Presidente,
Dinari nuk është i ndaluar në Kosovë. Qytetarët serbë, dhe jo vetëm ata, mund të kenë dinarë. Ju mund të posedoni dinarë, por euro është e vetmja valutë si mjet pagese.
Në shekullin e kaluar, para çlirimit ne kishim dinarin si mjet pagese. Ishim nën okupim.
Në shekullin e 21-të, së pari, kishim markun gjerman. Dhe pastaj, euro. Vetëm euro është mjet pagese.
Dhe ne kemi dhënë shumë subvencione, ndihma sociale, dhe kemi dhënë grante për arsim dhe shëndetësi komunave me shumicë serbe dhe më besoni të gjitha pranojnë euro. Nuk ka problem.
Nuk kemi asnjë rast ku një qytetar serb i Kosovës të ketë thënë, nuk i dua këto para sepse janë në valutë euro.
Në shtetin tonë fqinj, në Mal të Zi, mbi një e katërta e popullsisë deklarohen serbë. Ata kanë euron si monedhë. Serbët e zakonshëm, nuk urrejnë euron.
Euro është valuta e pagesës. Ju mund të posedoni para në çdo valute që dëshironi.
Dhe do të komunikojmë më shumë, do të ndajmë më shumë informata për serbët në ditët në vijim, gjatë gjithë këtij muaji. Unë do të flas serbisht, kështu që ata më kuptojnë më mirë dhe qartë. Ne që ishim nën okupimin e Serbisë e dim gjuhën serbe. Por ata nuk e mësuan gjuhën tonë, sepse ne ishim të shtypur dhe të dominuar. Siç e dini në të gjithë botën ka raste të ngjashme ku kolonizatori nuk njeh gjuhën e të kolonizuarve, por i kolonizuari e di gjuhën e kolonizatorit.
Dhe unë do të flas serbisht, se nuk kam asgjë kundër serbëve. Unë kam miq që janë serbë. Unë kam një ministër serb, Nenad Rashiq. Zëvendësi i tij është serb: Radoica Radomiroviq.
Zëvendësavokati i Popullit të Kosovës, Srdjan Sentic është serb. Partia ime në Kuvend, me votim të fshehtë votoi Srdjan Senticin për zëvendësavokatin e Popullit të Kosovës. Si një nga katër anëtarët e Bordit të Trepçës, e cila është kompania më e madhe për miniera dhe minerale, kam emëruar Dragisha Krstoviqin nga Leposaviqi, serb. Një avokat i madh.
Nuk besoj se dallimet etnike sjellin konflikt. Në të kundërtën. Diversiteti, shumëllojshmëria, është gjendja e qenies. Por për interesa politike, interesa ekonomike, dallime etnike mund të përdoren. Dhe ne po e luftojmë atë.
Unë jam një socialdemokrat, që besoj te njerëzit, që mendon se njerëzit janë të mirë.
Kriminelët janë individë. Asnjë komunitet nuk është një komunitet kriminal. Dua të jem shumë i qartë për këtë. Ka gjëra të tilla si struktura kriminale. Por kurrë një komunitet. Asnjëherë një popull nuk është kriminel.
Kurrë.
Dhe unë nuk i barazoj shtetet me njerëzit. Ne kemi nevojë për shtete, por unë besoj se njerëzit janë gjithmonë më të mirë se shtetet. Dhe unë dua të komunikoj dhe të bashkëpunoj me serbët në Kosovë. Por ne kemi nevojë edhe që Banka Qendrore e Kosovës të komunikojë dhe të bashkëpunojë me Bankën Kombëtare të Serbisë. Ne u dërguam atyre një letër. Shpresoj se do të marrim një përgjigje.
Dhe më besoni zonja Presidente, konvertimi i targave të makinave nga KM në RKS ishte shumë më i vështirë. Sepse në targat e makinave RKS të Republikës sonë keni shkronjën “R” për Republikën. Konvertimi është i plotë. Ata kaluan nga targat serbe në ato të Kosovës.
Në euro nuk e keni fare Republikën e Kosovës. Pra, nëse kanë kaluar nga targat e veturave, është shumë më e lehtë dhe më e logjikshme, që të ketë konvertim më të shpejtë dhe më të qetë nga dinari në euro si mjet pagese.
Në pjesën veriore të Kosovës ekzistojnë katër degë të bankave komerciale. Ne kemi dhjetë banka komerciale, tetë janë të huaja, dy janë nga Kosova.
Katër nga këto dhjetë banka komerciale kanë degë në veri, të cilat mund të përdoren për këmbim. Dhe janë 15 institucione financiare jobankare shtesë për konvertim.
Jam kritikuar për veprim të njëanshëm, por unë jam kryeministër sepse Kosova është Republikë. Nëse vendi im nuk do të ishte Republikë, unë nuk do të isha bërë kryeministër. Pra, unë mbroj interesin e një Republike demokratike.
Për veprim dypalësh, për dallim nga i njëanshmi, le të nënshkruajmë marrëveshjen që kemi rënë dakord si tekst. Z. Vuçiq dhe unë, ramë dakord për një tekst më 27 shkurt të vitit të kaluar në Bruksel dhe për aneksin e zbatimit në Ohër në Maqedoninë e Veriut më 18 mars. Pra, po, ne jemi të përkushtuar për dialog. Por e dini çfarë? Ne tashmë kemi një marrëveshje. Por për të mos pasur shkelje të kësaj marrëveshjeje, për ta respektuar dhe për ta zbatuar, po them, të bëjmë një veprim dypalësh, që do të ishte nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje. Pra, ne i përmbahemi me nënshkrimin tonë frymës dhe shkronjës së tij.
Këtu kemi dëgjuar një kritikë për kundërshtimin e ndërhyrjes së NATO-s, e cila shpëtoi popullin tim.
25 vjet më parë, 19 shtete u bashkuan për të ndaluar gjenocidin e forcave të Millosheviqit në Kosovë. 19 shtete u bashkuan për të bombarduar një vend evropian. Duhet të ketë qenë shumë keq. Përndryshe, nuk ndodh.
Ndonjëherë 19 vende nuk mund të bien dakord për një deklaratë për shtyp. Si ndodhi që në vitin 1999, 19 vende ranë dakord të bombardojnë Jugosllavinë e Millosheviçit? Ishte shumë keq. Edhe atëherë, presidenti i Federatës Ruse, Boris Yeltsin, e dinte se sa e keqe ishte gjendja në Kosovë. Ai fliste me Presidentin e Shteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton disa herë në javë. Duke u përpjekur për të gjetur një zgjidhje paqësore. Ishte shumë keq në vendin tim, ndërhyrja e NATO-s na shpëtoi.
Millosheviç vdiq në Hagë, duke u përballur me gjyqin, duke mos pritur dënimin.
Pra, e kuptoj që disa prej jush e kundërshtojnë ndërhyrjen e NATO-s, por ju duhet të jeni në vendin tim në pranverën e vitit 1999 dhe të kuptoni se në çfarë situate të rëndë ishim. Një katastrofë humanitare.
GJND, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 22 korrik 2010 dha një opinion këshillues dhe ka thënë se deklarimi i Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Të gjitha rezolutat e Këshillit të Sigurimit janë pjesë e së drejtës ndërkombëtare.
Në planetin tonë, nuk ka gjykatë më të lartë se GJND. Ndërsa GJND-ja tha se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Në kuadër të së drejtës ndërkombëtare është edhe rezoluta 1244 e vitit 1999. Pra, debati juridik për arsyetimin e pavarësisë sonë në thelb ka përfunduar.
Dhe gjëja e fundit që dua të përmend është se në të gjitha tabloidet serbe këto ditë shohim në faqet e para tek sa fantazojnë hakmarrjen e Kosovës ndaj serbëve. Ne nuk do të hakmerremi. Po, mbi 10 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë. 20 mijë gra të dhunuara. Por ne nuk do të hakmerremi. Unë dua drejtësi dhe drejtësia është drejtësi duke mos u hakmarrë.
Pra, është shumë e rëndësishme të theksohet se për të pasur paqe mes Kosovës dhe Serbisë, marrëdhënie normale, duhet të heqin dorë nga fantazimet se ne do të hakmerremi. Ne nuk do të hakmerremi. Unë jam një kryeministër që ju garanton se nuk do të ketë hakmarrje. Vetëm drejtësi pavarësisht prejardhjes së autorëve, qofshin ata gjatë luftës apo pas saj, gjatë paqes, për motive politike apo ekonomike.
Falemnderit shumë.

Last modified: 9 Shkurt, 2024

Comments are closed.