Zyra e Kryeministrit

Prezantohet raporti 1-vjeçar i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë

17 Dhjetor, 2024

Prishtinë, 17 dhjetor 2024

Në Ndërtesën e Qeverisë, sot u bë prezantimi i raportit 1-vjeçar të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë që përfshinë dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në adresimin e tij para të pranishmëve, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se këto materiale po arkivohen për t’i shërbyer kujtesës sonë si popull dhe kërkesës sonë për drejtësi e të cilat do t’u shërbejnë edhe gjeneratave të ardhshme, që të njohin vuajtjet dhe qëndresën e popullit tonë gjatë një periudhe të errët.

“Instituti vazhdon bashkëpunimin me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës për të grumbulluar dhe sistematizuar materiale, të cilat dëshmojnë krimet. Metodologjia që po e udhëheq këtë proces përfaqëson qasje gjithëpërfshirëse, me standarde të larta profesionale dhe etike. Gjatë këtij viti janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit fizik arkivor dhe rreth 15 terabajt material digjital, video, audio, foto, që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky informacion, i grumbulluar gjatë kësaj periudhe, është mbledhur nga 67 burime të ndryshme, pra, organizata, institucione, koleksionues, të cilët i kanë dorëzuar dëshmitë që kanë pasur”, tha kryeministri Kurti.

Ai u shprehu mirënjohje organizatave të shumta e aktivistëve të të drejtave të njeriut, për angazhimin dhe rolin e tyre ndër vite, në punën e palodhshme shumë vjeçare për dokumentimin e krimeve të kryera nga Serbia, si dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Institutin e Historisë, Universitetin e Prishtinës, Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe institucionet të tjera shtetërore për përkrahjen ndaj Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Më tej, ai shtoi se derisa familjet ende kërkojnë eshtrat e të dashurve tyre, Serbia refuzon të kërkojë falje apo madje edhe të pranojë të kaluarën e saj gjenocidale, ndërkohë që pasardhësit politikë të Millosheviqit dhe regjimit të tij që udhëheqin edhe sot e kësaj dite me Serbinë, me mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e dhunës, ringjallin ambiciet e saj ekspansioniste dhe hegjemonike.

“Andaj, për viktimat dhe për të mbijetuarit që ua vranë më të shtrenjtit, ne nuk mund të harrojmë. Në emër të drejtësisë, paqes dhe ruajtjes së vërtetës, ne duhet të kujtojmë: dokumentimi i krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të kryer gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë, është detyrim moral dhe historik për të gjitha gjeneratat. Është premtim për viktimat dhe familjet e tyre se nuk do të harrojmë asnjëri, asnjëherë”, u shpreh ai.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Atdhe Hetemi, tha se Prezantimi i Raportit Vjetor të Punës rikonfirmon përkushtimin tonë për ta ruajtur dialogun dhe për të përfshirë të gjithë akterët relevantë në punën tonë.

“Raporti 1- vjeçar që do të prezantohet sot përmbledhë informata të punës së Institutit nga Nëntori i vitit 2023 deri në Nëntor të vitit 2024 dhe pasqyron përpjekjet tona të përbashkëta për të vendosur themele të forta për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës”, tha ai dhe shtoi se për vitin 2025 prioriteti kryesor mbetet funksionalizimi i plotë i Institutit, intensifikimi i përpjekjeve për grumbullimin e materialeve edhe në shtetet e rajonit, dhe zbatimi i projektit të digjitalizimit.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara znj.Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I nderuari z.Atdhe Hetemi, Drejtor i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë,
I nderuari profesor, Arben Abdullahu, Rektor i Universitetit të Prishtinës,
I nderuari profesor Arsim Bajrami, profesor Ismet Salihu,
Të nderuar profesorë, drejtues, dhe përfaqësues të institucioneve
Të nderuar përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, partnerë e bashkëpunëtorë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Mirëdita dhe mirë se keni ardhur në kryeministri!

Jemi takuar edhe më parë në këtë format për të bashkëbiseduar për Rregulloret dhe Metodologjinë që udhëheq punën e Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, e pas një pune të gjatë është kënaqësi që të flasim sot për rezultatet e punës së njëvjeçare, në procesin e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës 1998/1999 në Kosovë.

E vlerësojmë thellësisht bashkëpunimin me juve, me të gjithë akterët, mirëpresim kontributin e të gjithëve në përmbushjen e qëllimit tonë të përbashkët për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive.

Krahas institucioneve shtetërore dokumentuesit dhe hulumtuesit e pavarur, shoqëria civile, ekspertët, mediat, gazetarët dhe gjithë qytetarët tashmë e kanë Institutit, të cilin po i mbledh të gjitha dëshmitë.

Këto materiale po arkivohen për t’i shërbyer kujtesës sonë si popull dhe kërkesës sonë të përbashkët për drejtësi. Do t’u shërbejnë edhe gjeneratave të ardhshme që ta njohin vuajtjet dhe qëndresën e popullit tonë gjatë një periudhe të errët.

U jemi mirënjohës organizatave tona, aktivistëve të drejtave të njeriut, për angazhimin dhe rolin e tyre ndër vite, për punën e palodhshme shumëvjeçare, për dokumentimin e krimeve të kryera nga Serbia.

Jemi mirënjohës Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Institutit të Historisë, Universitetit të Prishtinës, Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe të gjitha institucioneve të tjera për përkrahjen dhe ndihmën.

Në regjistrimin e popullsisë për herë të parë sivjet është përfshirë pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-1999, këtu bashkë me neve është edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, z.Kastrati. Qytetarët kanë deklaruar dëmet ekonomike, pronat e shkatërruara, si dhe dëmet në njerëz familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur.

Na gëzon bashkëpunimi ndërmjet Institutit dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës për verifikimin, përpunimin dhe analizimin e këtyre të dhënave statistikore.

Instituti vazhdon bashkëpunimin me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës për të grumbulluar dhe sistematizuar materiale, të cilat dëshmojnë krimet. Metodologjia që po e udhëheq këtë proces përfaqëson qasje gjithëpërfshirëse, me standarde të larta profesionale dhe etike. Gjatë këtij viti janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit fizik arkivor dhe rreth 15 terabajt material digjital, video, audio, foto, që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky informacion, i grumbulluar gjatë kësaj periudhe, është mbledhur nga 67 burime të ndryshme, pra, organizata, institucione, koleksionues, të cilët i kanë dorëzuar dëshmitë që kanë pasur.

Unë i falënderoj përzemërsisht të gjithë të punësuarit dhe të punësuarat në Institut për angazhimin në këtë proces kaq të rëndësishëm e të ndjeshëm. E përgëzoj Drejtorin Ekzekutiv, Atdhe Hetemin për përkushtimin dhe kontributin.

Puna e bërë gjatë këtij viti të parë nga Instituti, me mbështetjen tuaj si partnerë në këtë proces, na ndihmojnë të dokumentojmë, si tragjeditë, ashtu edhe pasojat edhe të vazhdueshme nga lufta e fundit. Bashkërisht po krijojmë një bazë të fuqishme për të luftuar mohimin apo keqinterpretimin e të vërtetës historike dhe për të parandaluar përsëritjen e tragjedive.

Të nderuar të pranishëm,

Derisa familjet ende kërkojnë eshtrat e të dashurve tyre, Serbia refuzon të kërkojë falje apo madje edhe të pranojë të kaluarën e saj gjenocidale.

Teksa vazhdon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e dhunës, pasardhësit politikë të Millosheviqit dhe regjimit të tij që udhëheqin edhe sot e kësaj dite me Serbinë, ringjallin ambiciet e saj ekspansioniste dhe hegjemonike.

Andaj, për viktimat dhe për të mbijetuarit që ua vranë më të shtrenjtit, ne nuk mund të harrojmë. Në emër të drejtësisë, paqes dhe ruajtjes së vërtetës, ne duhet të kujtojmë: dokumentimi i krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të kryer gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë, është detyrim moral dhe historik për të gjitha gjeneratat. Është premtim për viktimat dhe familjet e tyre se nuk do të harrojmë asnjëri, asnjëherë.

Faleminderit shumë për angazhimin tuaj të vazhdueshëm në këtë përpjekje kolektive. Le të vazhdojmë me vendosmëri drejt qëllimit tonë të përbashkët për një të ardhme, e cila është edhe e drejtë edhe paqësore.

Ju faleminderit!

Last modified: 17 Dhjetor, 2024

Comments are closed.