Prishtinë, 12 shtator 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori sot pjesë në përurimin e pikës më të re të Postës së Kosovës në sheshin “Zahir Pajaziti”, në kryeqytet.
Me këtë rast, kryeministri Kurti shfrytëzoi mundësinë që ta dërgonte një kartolinë me bukuritë dhe pasuritë natyrore të vendit tonë, nëpërmjet shërbimit postar të Postës së Kosovës.
Ai e falënderoi Kryeshefen ekzekutive të Postës, Nora Rracin edhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli për punën që po e bëjnë në Postën e Kosovës, e cila së fundmi ka një flotë prej 56 motoçikletave elektrike dhe shtatë furgonëve të rinj me të cilët është më pranë qytetarëve në ofrimin e shërbimeve postare.
Kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Rraci, falënderoi Qeverinë e Kosovës për përkrahjen e e vazhdueshme ndaj Postës së Kosovës në arritjen e misionit të tyre drejt një shërbimi sa më të mirë ndaj qytetarëve të Kosovës. Ndërkaq, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se në secilën nga vizitat, si në Postë, por edhe ndërmarrje të tjera, me këto ndryshime, ka edhe motivim më të madh të punonjësve, duke e ditur se postierët deri vitin e kaluar nuk kanë pasur as çanta as pajisje digjitale.
Pika e përuruar sot është pika 145-të e Postës së Kosovës në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Prononcimi i plotë i Kryeministrit:
Jemi këtu bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin dhe me kryeshefen e Postës së Kosovës, Nora Rraci që të bëjmë përurimin e kësaj pike të Postës së Kosovës, e cila është pika e 145 në Republikën e Kosovës e njëkohësisht, dhe pika më e mirë, në Kryeqytetin e Republikës në Prishtinë. Nëse dikush ka pasur dilema se cili është vendi më i mirë në Prishtinë, është pikërisht pika më e re e Postës së Kosovës.
Unë e shfrytëzova mundësinë që edhe ta dërgoj një kartolinë për shkak se e dimë që mjetet e teknologjisë informative sot na mundësojnë që të komunikojmë shumë shpejt, por megjithatë edhe kartolinat e kanë bukurinë e dashurinë e veçantë për njerëzit, për njëri tjetrin.
E falënderoj shumë kryeshefen, drejtoren Nora edhe ministren Artanen për punën që po e bëjnë në Postën e Kosovës e cila së fundmi ka një flotë prej 56 motoçikletave elektrike dhe shtatë furgonëve.
Posta e Kosovës është duke u ngritur, duke i bërë shërbimet më cilësore, e më të shpejta e më të lira dhe duke qenë përherë pranë qytetarëve të vendit tonë pa dallim.
Last modified: 12 Shtator, 2024