Mamushë, 22 nëntor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, Kryetarin e Komunës, Abdülhadi Krasniç, ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, Ambasadorin e Turqisë, Sabri Tunç Angılı dhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka, përuruan Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mamushë. Të pranishëm në këtë rast ishin edhe deputetët, Fidan Jilta, Enis Kervan dhe Haxhi Avdyli.
Ky projekt është një investim i rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në zonën përreth. QKMF-ja e re në Mamushë është investim në vlerë prej 757,608.37 euro, prej të cilave 90% financim nga Ministria e Shëndetësisë dhe pjesa tjetër nga Komuna e Mamushës, dhe ka një infrastrukturë moderne për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
QKMF-ja e përuruar do të ofrojë shërbime laboratorike dhe shërbime të diagnostikës, dhe është e pajisur me aparatin për rëntgen, i cili është siguruar si donacion nga Ambasada Japoneze. Ajo ka dy dhoma për dhënien e terapisë intravenoze, barnatore dhe kushte të përshtatshme për stafin mjekësor. Krahas shërbimeve tjera ofron edhe shërbimin stomatologjik.
Kryeministri Kurti i uroi banorët për QKMF-në e re dhe falënderoi komunën për bashkëpunimin dhe ambasadën japoneze për donacionin.
“Në çdo cep të Republikës pa dallim do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën shëndetësore që të ofrojmë shërbime cilësore dhe kushte të dinjitetshme, sikurse për profesionistët tanë ashtu edhe për qytetarët tanë pa dallim. Investimet e tjera, specifikisht këtu në Mamushë nuk po mungojnë, e nuk do të mungojnë asnjëherë, por do të shtohen gjithsesi”, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u shpreh i lumtur që gjendet në Mamushë. Ai theksoi se hapja e Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë është pjesë e angazhimit tonë të përbashkët e të përditshëm për ta sjellë kujdesin shëndetësor sa më afër qytetarëve, duke e bërë qasjen në këto shërbime më të lehtë, më cilësore, më të përballueshme, më të shpejtë për të gjithë dhe pa dallim.
“Kujdesi parësor shëndetësor është pjesa më e rëndësishme e sistemit tonë shëndetësor dhe investimet në këtë pjesë janë shumë- shumë të rëndësishme. Sot po e hapim QKMF në Mamushë dhe siç e përmendi edhe kryeministri, janë edhe katër qendra të tjera që po punohet nëpër komunat e Republikës, me investim shumicën nga Ministria e Shëndetësisë”, tha ministri Vitia, duke shtuar se përveç investimeve në infrastrukturë, po vazhdojmë edhe me investime në pajisje, automjete dhe autoambulanca, për t’iu bërë më të lehtë qytetarëve qasje në shërbimet shëndetësore.
Ministri Fikrim Damka, pasi falënderoi kryeministrin për vizitën tha se asnjëherë që prej pavarësisë së Kosovës një kryeministër nuk ka qenë katër herë në Mamushë dhe shtoi se nuk keni qenë vetëm për vizitë, por premtimet që i keni dhënë një nga një po realizohen.
Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdülhadi Krasniç , falënderoi Kryeministrin Kurti për mbështetjen jo vetëm për objektin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, por, sic tha ai, mbështetjen e madhe n; sigurimin e ujit të pijshëm.
Ky projekt në Komunën e Mamushës është pjesë e angazhimit tonë të përbashkët e të përditshëm për ta sjellë kujdesin shëndetësor sa më afër qytetarëve, duke e bërë qasjen në këto shërbime më të lehtë, më cilësore, më të përballueshme edhe më të shpejtë, për të gjithë qytetarët tanë pa dallim.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuari z. Abdülhadi Krasniç , Kryetar i Komunës së Mamushës,
I nderuari z.Fikrim Damka, Ministër i Zhvillimit Rajonal,
I nderuari z.Arben Vitia, Ministër i Shëndetësisë,
I nderuar Zëvendësministër i Shëndetësisë, Arsim Berisha,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj.Fidan Jillta, z.Enis Kervan dhe doktor Haxhi Avdyli,
I nderuari z. Sabri Tunç Angılı, Ambasador i Turqisë në Kosovë,
I nderuari z. Keisuke Yamanaka, i ngarkuar me punë në ambasadën e japonisë në Kosovë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Jemi bërë bashkë sot këtu që ta përurojmë Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Mamushës. Kjo qendër kryesore lehtëson qasjen e qytetarëve të Mamushës në shërbime shëndetësore sipas standardeve më të larta.
Ky projekt në vlerë prej saktësisht 757 mijë 608 euro e 37 cent, 90 për qind të mjeteve janë siguruar nga Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq, dhjetë përqindëshi tjetër nga Komuna, përmban podrumin, përdhesën dhe katin e parë.
Në podrum ofrohen shërbimet laboratorike dhe shërbimet e diagnostikës, përfshirë aparatin për rëntgen, i cili është siguruar si donacion nga ambasada japoneze, të cilën e falënderojmë përzemërsisht.
Në përdhesë kemi dy dhoma për dhënien e terapisë intravenoze. Përveç shërbimeve tjera shëndetësore, përfshinë edhe shërbimin stomatologjik, si dhe në përdhesë e kemi edhe zyrën për kushte të dinjitetshme për stafin mjekësor. Ndërkaq, në katin e parë është barnatorja e kësaj Qendre Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Objekti është i pajisur me sistem të klimatizimit qendror dhe në këtë mënyrë kemi edhe mundësi të mira për të dhënë shërbime cilësore nga ana e mjekëve dhe infermierëve, por po ashtu edhe kushte të përshtatshme për shërim të plotë e të shpejt të pacientëve.
Ne po takohemi këtu në Mamushë pas katër muajve. Herën e fundit isha ne Festivalin Ndërkombëtar të Domates e sot jemi bashkë pra për ta përuruar këtë investim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Vetëm gjatë vitit 2024 janë më shumë se 150 sera në Mamushë, që janë mbështetur direkt me ndihmë financiare nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Pra, Qeveria e Kosovës po e ndihmon fermerin e Mamushës, i cili kultivon prodhime cilësore e jo më kot e jo vetëm ju njiheni për këto domate jo vetëm në Kosovë.
Përmes Ministrisë së Ekonomisë po financohet projekti, Ndërtimi i Rrjetit të Ujësjellësit për vendbanimet Krushë e Madhe, Piranë, Zojz dhe Medvec të Komunës së Prizrenit dhe të Komunës së Mamushës. Me këtë projekt vendoset gypi i ri për furnizimin e Mamushës nga Liqeni i Radoniqit.
Sivjet, Ministria ka ndarë 700 mijë euro dhe kompania Regjionale e Ujësjellësit “Gjakova”, 300 mijë euro, me ç ‘rast Komisioni i Ministrave për Ndërmarrjet Publike, ka diskutuar edhe mundësinë e financimit të fazës së dytë, në vitin 2025, për ta kompletuar krejt projektin.
Ndërkaq, të dashur banorë të Mamushës,
Të nderuar të pranishëm,
Përmes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kemi mbështetur 5 projekte në infrastrukturë rrugore, vlera e të cilave është 628-të mijë euro. Kjo është bërë me memorandume me komunën, ku Qeveria e ka marrë përsipër financimin, kurse komunat e bënë kontraktimin.
Deri tani katër rrugë kanë përfunduar, Mamushë-Nepërbisht, në vlerë prej mbi 107-të mijë euro, Mamushë-Medvec, në vlerë prej afër 150 mijë euro, rruga “Lluka”, në vlerë prej afër 89-të mijë euro, dhe ajo Mamushë e Tërrnje, në vlerë prej afër 97-të mijë euro. Ndërkaq, rruga “Bahçelik”, në vlerë prej mbi 187-të mijë euro, pritet të kontraktohet.
Kjo Qendër e Mjekësisë Familjare, në Mamushë është e para në vazhdën e kërkimeve që janë planifikuar, e të dashur qytetarë të Republikës, përveç kësaj janë në përfundim e sipër edhe qendrat në Drenas, në Shtime, në Istog dhe në Ferizaj.
Këtu në Mamushë do të ndërtohet një Qendër e re e Kulturës dhe e Rinisë, projekt i përbashkët ky i Komunës, me Ministrinë e Kulturës, Rinisë edhe Sportit dhe Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. Qeveria jonë për këtë ka ndarë 900 mijë euro, ndërkaq Komuna 600 mijë euro. Uroj që të shihemi bashkë edhe për këtë përurim.
Të nderuar të pranishëm,
Në çdo cep të Republikës pa dallim do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën shëndetësore që të ofrojmë shërbime cilësore dhe kushte të dinjitetshme, sikurse për profesionistët tanë ashtu edhe për qytetarët tanë pa dallim.
Investimet e tjera, specifikisht këtu në Mamushë nuk po mungojnë, e nuk do të mungojnë asnjëherë, por do të shtohen gjithsesi.
E gëzofshi e rrofshi!
Faleminderit!
Last modified: 22 Nëntor, 2024