Shtime, 25 nëntor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, si dhe kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, morën pjesë në përurimin e Bibliotekës së re të Komunës së Shtime.
“Inaugurimi i çfarëdo objekti të dijes, është dhe duhet të jetë festë për të gjithë ne. Hapja e dyerve të ndërtesës së re të Bibliotekës së qytetit të Shtimes, sot shënon një ditë feste për arsimin, kulturën dhe për mbarë komunitetin e këtij qyteti.” tha kryeministri Kurti në fjalën e tij në kuadër të ngjarjes.
Biblioteka e Shtimes, si një ndërtesë e re dhe moderne e cila i plotëson të gjitha kushtet dhe nevojat e lexuesve, është gjithashtu edhe plotësisht e invertarizuar. Me një investim prej 629 mijë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është siguruar kjo hapësirë për të ardhme me rini të arsimuar, të lexuar mirë, e më e rëndësishmja, aktive në qytetari e në shërbim të komunitetit dhe zhvillimit të një shoqërie të mbarë e progresiste.
Kryeministri Kurti tha se ky projekt ka filluar shumë vite më herët, por ka çaluar, ngecur e stagnuar nëpër procedura burokratike, administrative e të lloj-llojshme, e përfundimisht tani ka gjetur zgjidhje të të gjitha problemeve brenda një kohe të shkurtër, dhe sot e gëzojmë atë të përfunduar si ndërtesë shumë të nevojshme për qytetin e Shtimes.
“Biblioteka është vend i pasionit dhe i kureshtjes, i disiplinës dhe i përkushtimit e biblioteka e re është një vend i ri, është një vend më shumë për më shumë pasion e kureshtje për edhe më shumë njerëz të disiplinuar e të përkushtuar për më shumë dije e njohuri. Libri edhe më tej është burim tejet i rëndësishëm si i dijeve specifike, ashtu edhe i kulturës intelektuale.” u shpreh kryeministri Kurti.
Kryeministri i ftoi të gjithë qytetarët e Shtimes që këtë objekt të ri ta përdorin sa më shumë, e ta mbajnë edhe aktiv edhe të qasshëm si një vend nga ku do të nisin diskutimet më të mira, të mirëmbahen studimet e vazhdueshme e të dalin idetë më të zgjuara të vetëdijes sonë të përbashkët.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu tha se sot është një ditë e veçantë për komunën tonë, sepse po e përurojmë një objekt të rëndësishëm që do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin intelektual, kulturor e historik në komunën tonë. “Pikërisht në 80-vjetorin e themelimit të Bibliotekës Kombëtare, tri ditë pas përvjetorit të Kongresit të Manastirit e tri ditë para festës së flamurit tonë kombëtar të 28 Nëntorit, përplot krenari jemi mbledhur për përurimin e objektit të ri të Bibliotekës dhe Arkivës së Komunës së Shtimes, që do të shërbejë si dritare e dijes e si ruajtës i kujtesës sonë kolektive”, tha ai.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku,
I nderuar kryetar i Komunës së Shtimes, z. Qemajl Aliu,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
I nderuar z. Adem Ramadani, kryetar i fshatit Reçak,
Të nderuar përfaqësues të shoqatave të dala nga Lufta Çlirimtare e Kosovës,
I nderuari profesor Fadil Hysaj,
Të nderuar intelektualë e veteranë të arsimit,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Kam kënaqësinë që të jem bashkë me juve sot këtu për të marrë fjalën në një ngjarje kaq të rëndësishme për komunën e Shtimes dhe jo vetëm. Inaugurimi i çfarëdo objekti të dijes, është dhe duhet të jetë festë për të gjithë ne. Hapja e dyerve të ndërtesës së re të Bibliotekës së qytetit të Shtimes, sot shënon një ditë feste për arsimin, kulturën dhe për mbarë komunitetin e këtij qyteti.
Biblioteka e re e Shtimes, si një ndërtesë e re dhe moderne e cila i plotëson të gjitha kushtet dhe nevojat e lexuesve, është gjithashtu plotësisht e invertarizuar. Me një investim prej 629 mijë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është siguruar kjo hapësirë për të ardhme me rini të arsimuar, të lexuar mirë, e më e rëndësishmja, aktive në qytetari e në shërbim të komunitetit dhe zhvillimit të një shoqërie të mbarë e progresiste. Ky projekt ka filluar shumë vite më herët, por duke çaluar, ngecur e stagnuar nëpër procedura burokratike, administrative e të lloj-llojshme, ama përfundimisht tani kemi zgjidhur të gjitha problemet brenda një kohe të shkurtër, dhe sot e gëzojmë të përfunduar këtë ndërtesë shumë të nevojshme për qytetin e Shtimes.
Pra është tejet e rëndësishme të nisim punë të mbara e të mira, po është po ashtu njësoj e rëndësishme që ato të ecin mbarë e mirë dhe mirë e mbarë edhe të përmbyllen, sepse vetëm kurorëzimi i suksesshëm bën që qytetarët t’i gëzohen e t’i gëzojnë investimet e qeverisë e të shtetit në përgjithësi.
Të nderuar të pranishëm,
Biblioteka është vend i pasionit dhe i kureshtjes, i disiplinës dhe i përkushtimit e biblioteka e re është një vend i ri, është një vend më shumë për më shumë pasion e kureshtje për edhe më shumë njerëz të disiplinuar e të përkushtuar për më shumë dije e njohuri. Libri edhe më tej është burim tejet i rëndësishëm si i dijeve specifike, ashtu edhe i kulturës intelektuale.
Vetëm katër javë më parë, bibliotekës së Shtimes i janë dhuruar 604 tituj të rinj nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ashtu që raftet e reja të kësaj biblioteke të re të jenë të furnizuara edhe me tituj të rinj. Kjo shtëpi e dijes është e gatshme për t’i hapur dyert për lexuesit, krijuesit, hulumtuesit, për studentët e mirë e të shumtë të këtij qyteti. Uroj e shpresoj që kjo hapësirë të shërbejë edhe përtej qëllimit kryesor të leximit e të shpërndarjes së dijes. Por, gjithashtu të shërbejë edhe si hapësirë komunitare e kulturore edhe për nisma të reja në të mirë të qytetarisë aktive e konsolidimit shoqëror nëpërmjet diskutimit të ideve e krijimeve të reja.
Nga këtu ne do të kthehemi në Prishtinë, ku do të shkojmë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës për të shënuar 80-vjetorin e këtij institucioni. Kjo është një ditë e bukur për zhvillimin e dijes, të arteve e të shkencave, por edhe të historisë e të trashëgimisë tonë, një objekt i ri i dijes po inaugurohet, kurse tjetri po e shënon 80-vjetorin e aktivitetit të tij.
I ftoj të gjithë qytetarët e Shtimes që këtë objekt të ri ta përdorin sa më shumë, e ta mbajnë edhe aktiv edhe të qasshëm si një vend nga ku do të nisin diskutimet më të mira, të mirëmbahen studimet e vazhdueshme e të dalin idetë më të zgjuara të vetëdijes sonë të përbashkët. E përkushtimi për të nxënë dije, që fundamentalisht na e dhuron lirinë e të qenurit, duhet të jetë synimi i përditshmërisë sonë.
Ju faleminderit dhe e gëzofshit bibliotekën e re.
Last modified: 25 Nëntor, 2024