Zyra e Kryeministrit

Përurohen investimet në nënstacionin e Policisë në Komunën e Leposaviqit

2 Gusht, 2024

Soqanicë, Leposaviq, 2 gusht 2024

Pas pjesëmarrjes në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Policisë së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla së bashku me drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhën, vizitoi komunën e Leposaviqit me rastin e përurimit të renovimeve në nënstacionit policor, në fshatin Soqanicë të Komunës së Leposaviqit.

Me qëllim të lehtësimit të shërbimeve për qytetarët pa dallim, kryeministri Kurti potencoi se përurimi i këtij nënstacioni policor është kontribut i shtetit për qytetarin nëpërmjet sundimit të ligjit dhe paqes e sigurisë për të gjithë.

Një renovim aq thelbësor për qytetarët i cili përbën një investim me vlerë prej 46 mijë e 400 euro, nga një dhomë në kushte të mjerueshme, tashmë është shndërruar në një godinë me tri dhoma, dhe dy banjo në 75 metra katrorë, e cila i ka kushtet e mira e të dinjitetshme për punën e Policisë tonë.

Kryeministri Kurti falënderoi ministrin Sveçla, Kryetarin e Komunës, Hetemi dhe Drejtorin e Policisë, Hoxha për punën dhe kontributin e tyre, po ashtu shprehu mirënjohjet dhe falënderimet e tij edhe për punëkryesin i cili ka arritur të finalizojë punimet para afatit kohor të paraparë.
Ai e quajti ditën e sotme si ditë të mirë për mirë për qytetarët dhe Policinë e Kosovës, për sigurinë dhe paqen, meqë paradite diplomuan 448 kadetë të Policisë, ndërkaq në mesditë u bë përurimi i investimeve në nënstacionin policor i cili është kontribut i shtetit për qytetarin nëpërmjet sundimit të ligjit dhe paqes e sigurisë për të gjithë, dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore për të gjithë ata.

Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Jemi bashkë këtu më ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, me Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxhën dhe me Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin.

Këtu në Soqanicë të Leposaviqit, me rastin e përurimit nëpërmjet prerjes së shiritit të kuq të nënstacionit policor, të një renovimi aq thelbësor sa që do të mund të thosha rindërtim të kësaj godine e cila i ka tash kushtet e mira e të dinjitetshme për punën e Policisë tonë.

Dikur ka qenë vetëm një dhomë në kushte të mjerueshme, tash janë tri dhoma, dy banjo në 75 metra katrorë dhe kur ka këso kushte kaq të mira për policinë sigurisht që kjo reflektohet drejtpërsëdrejti edhe në cilësinë e shërbimeve që jepen për qytetarët pa dallim.

Policia këtu do të jetë multietnike dhe ajo do t’i shërbejë qytetarëve pa dallim etnie, ngjyre, moshe, gjinie apo religjioni.

Falënderoj si ministrin, Kryetarin e Komunës dhe Drejtorin e Policisë, po ashtu edhe operatorin ekonomik, punëkryesin i cili e ka përfunduar para afatit këtë riparim, renovim apo më saktë ta quajmë rindërtim me një investim të gjithmbarshëm prej 46 mijë e 400 euro.

Sot është një ditë e mirë për qytetarët dhe Policinë e Kosovës, për sigurinë dhe paqen. Paradite Policisë sonë i’u bashkëngjiten edhe 448 kadetë, ndërkaq tash këtu në mesditë po e bëjmë përurimin e këtij nënstacioni policor i cili është kontribut i shtetit për qytetarin nëpërmjet sundimit të ligjit dhe paqes e sigurisë për të gjithë.

Last modified: 2 Gusht, 2024

Comments are closed.