Prishtinë, 23 korrik 2024
Në vlerën prej 750 mijë eurove, janë përuruar sot investimet e bëra në Klinikën e Kardiokirurgjisë, vetëm pak kohë pas transformimeve rrënjësore që janë bërë edhe në Klinikat e Gjinekologjisë, Onkologjisë dhe Urologjisë.
Në kuadër të këtij përurimi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i falënderoi të gjithë të pranishmit, në veçanti mjekët dhe infermierët për këtë mikpritje të përzemërt me rastin e përurimit të sotëm dhe modernizimit të Klinikës së Kardiokirurgjisë. Njëkohësisht, kryeministri falënderoi Drejtorin e Klinikës së Kardiokirurgjisë, Shpejtim Shurdhiqi dhe ambasadorin italian në Kosovë, Antonello de Riu, për mbështetjen që kjo Klinikë ka marrë nga Republika e Italisë, dhe një mysafir të veçantë, kardiokirurgun Bledi Zhakun, nga Struga që jeton në New Jersey, i cili ishte sot aty si një ekspert nga diaspora për t’i parë investimet që Qeveria po i bën në Kosovë.
Pas finalizimit të investimeve, Klinika e Kardiologjisë ka nëntë shtretër më shumë, dhoma të kujdesit intensiv dhe salla operative sipas standardeve më të larta, zona të filtrimit për eliminimin e infeksioneve intrahospitalore, banjo e nyje sanitare moderne, hapësira të ripërtërira e të riorganizuara të sportelit dhe të pritjes, si dhe hapësirë të re prej 200 metra katrorë për depo të barnave, arkiva dhe zyre për stafin shëndetësor.
“Siç themi, klinikë pas klinike, po e rregullojmë atë që na e rregullon shëndetin, na e mirëmban atë”, u shpreh kryeministri.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se sot po lëshohet edhe një klinikë me kushtet më moderne të mundshme dhe një klinikë kaq e rëndësishme si Kardiokirurgjia. Ajo do të ofrojë mundësi për të gjithë pacientët në Republikën e Kosovës që t’i marrin shërbimet më të mira, më cilësore, të cilat më herët nuk i kanë marrë këtu, por në vende tjera apo në klinika private.
“Do të vazhdojmë klinikë pas klinike, do të vazhdojmë me mos ndaljen e shërbimeve pavarësisht gjithë investimeve në QKUK, por jo vetëm, edhe në spitalet e përgjithshme”, tha ministri Vitia, duke falënderuar drejtorin e Klinikës, kompaninë për punën e bërë dhe gjithë njerëzit vullnetmirë që kanë kontribuar në renovimin e Kardiokirurgjisë.
Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Shpejtim Shurdhiqi, falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia për mundësinë që të bëhet një transformim jashtëzakonisht i mirë i Kardiokirurgjisë, e që do të jetë një lehtësim i madh për vetë pacientët, por natyrisht që i krijon kushte dhe mundësi edhe stafit që të rritet numri i operacioneve.
Me rastin e përurimit të këtyre investimeve, të pranishëm ishin gjithashtu deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fatmire Mullhaxha Kollçaku dhe Haxhi Avdyli.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur sot dhe në veçanti mjekët dhe infermierët për këtë mikpritje të përzemërt me rastin e inaugurimit të renovimit të tërësishëm dhe modernizimit të Klinikës së Kardiokirurgjisë.
E falënderoj drejtorin, Dr. Shpejtim Shurdhiqin, i cili që prej një dekade punon këtu, pikërisht atëherë kur u mbështet kjo klinikë nga Republika e Italisë, me ç’ rast kemi nderin që bashkë me neve këtu është edhe ambasadori Italian, Antonello de Riu. Përveç drejtorit të Klinikës ndodhem bashkë edhe me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia dhe me drejtorët e Klinikës së Qendrës Universitare të Kosovës dhe të ShSKUK-së, Osman Hajdarin dhe Elvir Azizin dhe me dy doktorët që i kemi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Fatmire Kollçakun dhe dr. Haxhi Avdyli, i cili kësaj radhe është duke na pritur nga ana tjetër meqenëse është në radhën e profesionistëve shëndetësorë me kolegët e tij këtu në Kardiokirurgji.
Por e kemi edhe një mysafir të veçantë, Bledi Zhakun. Bledi Zhaku vjen nga Struga, më konkretisht nga New Jersey ku është kardiokirurg që prej tetë vitesh, një ekspert i yni nga diaspora që deshi të shoh investimet që ne po i bëjmë këtu në Kosovë.
Kësaj radhe në vlerën prej 750 mijë eurove, është rritur për 9 numri i shtretërve; në kujdes intensiv nga 4 në 10, ndërkaq në repart nga 14 në 17. Gjithashtu janë zonat e filtrimit të cilat parandalojnë infeksionet intraspitalore, si dhe kemi arritur që gjatë renovimit me operatorin ekonomik që po ashtu e falënderoj të zbulojnë 200 metra katrorë hapësirë të pa shfrytëzuar. Pra renovimi i brendshëm ka zbuluar 200 metra katrorë hapësirë që nuk është përdorur deri më tani dhe që tash kemi vend për arkiv, për zyrë, recepsioni është i ri, e ka ndriçimin e këndshëm dhe këto janë kushte të mira si për pacientët gjithashtu edhe për mjekët dhe për infermierët. Siç themi, klinikë pas klinike, po e rregullojmë atë që na e rregullon shëndetin, na e mirëmban atë.
Këtu prapa meje ndodhet kjo aparaturë, e cila shërben gjatë operacioneve që kur ndalet zemra, ajo zëvendëson edhe zemrën edhe mushkëritë.
Ndaj faleminderit shumë Dr. Shpejtim për këtë mikpritje dhe këtë mundësi që t’i shohim për së afërmi të arriturat tuaja por edhe investimet që u bënë rishtas.
Last modified: 23 Korrik, 2024