Zyra e Kryeministrit

Përurohen hapësirat e reja të Kampusit Universitar të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”

6 Mars, 2024

Mitrovicë, 6 mars 2024

Pas nderimeve dhe homazheve në Prekaz, aktivitetet e tij Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i vijoi në qytetit të Mitrovicës, ku mori pjesë në përurimin e investimeve në Kampusit Universitar që përfshinë disa objekte dhe hapësira të Universitetit të Mitrovicës, “Isa Boletini” pikërisht në 11-vjetorin e themelimit të këtij Universiteti.

Në këtë ngjarje të rëndësishme kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku u mirëpriten nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza dhe Rektorja e Universitetit të Mitrovicës, Nurten Deva.

Ndërtimet në këtë Kampus kanë filluar që nga viti 2013. Sot u finalizua faza e katërt e investimeve, të cilat kapin vlerën 6 milionë euro, nga mbi 20 milionë euro sa ishte vlera totale e investimeve. Këto investime të realizuara dhe të përfunduara, përfshijnë mensën e studentëve e cila ka kapacitet të ushqejë deri në 500 studentë në të njëjtën kohë, me një hapësirë prej 2920 metra katrorë dhe konviktin me një hapësirë prej 7896 metra katrorë, i përshtatshëm për akomodimin e 279 studentëve.

Me këtë rast, kryeministri Kurti, shprehu falënderimet e tij për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Arsimit, Shkencë, Teknologjisë dhe Inovacionit, stafin e universitetit, si dhe ekipet e përfshira në ndërtimin e këtyre hapësirave, për jetësimin e këtij projekti të madh.

Fillimisht ky institucion u themelua si Shkollë e Lartë Teknike, në vitin 1961, si një dëshmi e vendosmëri e popullit për arsimim e edukim, ndërsa pas 13 vitesh punë dhe angazhim, u themelua Fakulteti i Xehtarisë dhe Metalurgjisë, i cili ngriti dhe zhvilloi kuadro inxhinierie që u angazhuan në industrinë dhe ekonominë e Kosovës, kombinatin elektroenergjetik të Kosovës dhe atë xehetaro-metalurgjik “Trepça”.

“Universitetet përveçse hapësira studimi, janë vende ku mendjet formohen dhe idetë kultivohen”, tha kryeministri Kurti.

Ndër prioritetet kyçe, siç potencoi kryeministri, është mbështetja dhe angazhimi i Qeverisë së Republikës, për nxënësit dhe studentët e vendit tonë, duke ofruar bursa për studentët me notë mesatare të lartë, për studime brenda dhe jashtë vendit, për studentët e komuniteteve e me aftësi të kufizuara, si dhe bursa për vajzat në fushën STEM, si dhe lirim nga pagesa e studimeve 43 mijë studentë të universiteteve publike në vend.

“Cilësia në arsimin e lartë në Kosovë qëndron lart mes prioriteteve të Qeverisë sonë”, u shpreh kryeministri.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri Kurti, i inkurajoi të rejat e të rinjtë që të studiojnë, të angazhohen, e të punojnë, për arritjet akademike, për zhvillimin individual e profesional, sepse vetëm në këtë mënyrë i kontribuojnë të ardhmes së Kosovës.

Me këtë rast edhe ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, u shpreh se ky Universitet është unik në llojin e vet dhe si i tillë e ka vëmendjen e veçantë. Më tej, ajo shtoi se do të vazhdojë që të ofrohet mbështetja e nevojshme nga ana e Qeverisë, përkatësisht nga ana e Ministrisë së Arsimit siç tha ajo dyert janë gjithmonë të hapura në angazhimin dhe përpjekjet e përbashkëta për të përmirësuar përformancën në arsimin e lartë.
“Një Qeveri që ofron mbështetjen e merituar për secilën e secilin, një shtet që krijon mundësi që secili të arrijë dhe të realizoj potencialin e tij të plotë, këto janë zotimet që po na prijnë në punën tonë të përditshme”, ishin fjalët e ministres Nagavci, teksa shprehu urimet dhe përgëzimet e saj për Kampusin universitar.

Kryeministri Kurti së bashku me ministren Nagavci dhe ministrin Sveçla të shoqëruar edhe nga Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza dhe Rektorja e Universitetit të Mitrovicës, Nurten Deva, vazhduan me ceremoninë e prerjes së shiritit dhe vizituan hapësirat e reja të Mensës dhe Konviktit.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari z. Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme,
E nderuara znj.Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
I nderuari Taulant Kelmendi, zëvendësministër në Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
I nderuari z.Bedri Hamza, Kryetar i Komunës së Mitrovicës,
E nderuara znj.Nurten Deva, ushtruese e detyrës së Rektorit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj.Fejza dhe z.Muja,
Të dashur studentë, staf akademik,
Të nderuar punëtorë të administratës,
Të dashur ushtarë, oficerë e policë,
Zonja dhe zotërinj,

Jam i nderuar që ndodhem me ju këtu sot për të festuar 11-vjetorin e Universitetit të Mitrovicës, që mban emrin e kryengritësit të paepur dhe prijësit të luftëtarëve për çlirim të popullit shqiptar, Isa Boletini.
Ky institucion, të cilit në tetor të këtij viti i bëhen 63 vjet nga themelimi si Shkollë e Lartë Teknike, është dëshmi e vendosmërisë së popullit tonë për arsim. Nga Shkolla e Lartë Teknike e themeluar në vitin 1961 në Mitrovicë, pas 13 vitesh, në 1974 u themelua Fakulteti i Xehetarisë dhe i Metalurgjisë. Ky Fakultet ngriti kuadro inxhinierike, të cilët u angazhuan në industrinë dhe në ekonominë e Kosovës, kombinatin elektroenergjetik të Kosovës dhe atë xehetaro-metalurgjik “Trepça”.

Dy javë më parë unë isha në Mitrovicë, në Ditën e Minatorit, për të kujtuar grevën e madhe të minatorëve, e për të nderuar rrënjët e Republikës sonë. E sot po vij nga nderimet që bëmë në Prekaz, me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 35 vjet pas grevës, 25 vjet pas çlirimit të vendit tonë, po punojmë bashkë e me zell për ta nxitur zhvillimin me edukim dhe mirëqenien me zhvillim.

Të nderuar të pranishëm,

Historia e shtetit tonë është ngushtë e lidhur me rezistencën, me studentët, me universitetin. Universiteti i parë yni i Prishtinës, ka prodhuar elitat profesionale, kulturore e politike, që i kanë prirë përpjekjes së popullit të Kosovës për çlirim dhe për krijimin e Republikës së Kosovës dhe sigurisht që kjo e tregon se sa i rëndësishëm është për vendin tonë arsimi i lartë.

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, njësitë akademike, stafi dhe studentët vazhdojnë të punojnë për mjedis, që vlerëson mendimin kritik, krijimtarinë shkencore dhe zhvillim profesional e akademik.

Universitetet përveçse hapësira studimi, janë vende ku mendjet formohen dhe idetë kultivohen. Pra, janë tregues të përkushtimit për arsimin si gurthemel të përparimit shoqëror. Këto objekte, këto hapësira, të cilat po i përurojmë së bashku sot, janë investime konkrete për mjedis modern studimi e hulumtimi për dy mijë studentët e këtij Universiteti. Jam i lumtur që Qeveria e Republikës së Kosovës, ministritë përkatëse po kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve të Universitetit.

Kampusi universitar, i cili ka nisur së ndërtuari në vitin 2013, sot po finalizohet me fazën e katërt të investimit nga Ministria e Punëve të Brendshme, me vlerë prej mbi 6 milionë euro, nga vlera totale e investimit mbi 20 milionë euro. Mensa ka një hapësirë prej 2920 metra katrorë, ku mund të ushqehen deri në 500 studentë njëkohësisht. Ndërsa konvikti me hapësirë 7896 metra katrorë mund të akomodojë 279 studentë.

I falënderoj të gjithë ata, të cilët kanë punuar zellshëm e vëmendshëm për këto projekte, duke përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Arsimit, Shkencë, Teknologjisë dhe Inovacionit, stafin e universitetit dhe të gjitha ekipet e përbashkëta, të përfshira në ndërtimin dhe rregullimin e këtyre hapësirave.

Cilësia në arsimin e lartë në Kosovë qëndron lart mes prioriteteve të Qeverisë sonë. Andaj, po kujdesemi veçanërisht për modernizimin e arsimit të lartë dhe për vendosjen e kritereve adekuate, si për ngritjen, ashtu edhe për mirëmbajtjen e cilësisë, sepse cilësia duhet të jetë një proces solid, e jo një ngjarje e njëhershme.

Mbështetja dhe angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për nxënësit dhe studentët mbetet e pandalshme. Arsimin në nivelin e lartë publik e kemi bërë falas, me ç ‘rast janë liruar nga pagesa e studimeve 43 mijë studentë të universiteteve publike anembanë Kosovës. Kemi ndarë e po ndajmë bursa për notë mesatare të lartë, për studime brenda dhe jashtë vendit, për studentët e komuniteteve jo shumicë e për ata me aftësi të kufizuara, si dhe bursa për vajzat në STEM – Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë. Pra, jemi të përkushtuar që për ju, për studentët e të gjitha niveleve, të krijojmë kushtet optimale që të mësoni sa më shumë e të ecni sa më shpejt përpara.

Të dashur studentë,

Në vitet që vijnë, le të vazhdojmë punën mbi parimet, të cilat na bashkojnë. Ju inkurajoj të studioni e të angazhoheni fort me profesorët tuaj, për arritje akademike dhe profesionale. Njohuritë që i fitoni këtu, zhvillimi i juaj individual e profesional, i kontribuon jetës suaj në vijim dhe të ardhmes së Republikës sonë.

Urime përvjetori i Universitetit! Përgëzimet e mia për kampusin universitar dhe ju uroj shumë suksese e mbarësi në vijim!

Ju falemnderit.

Last modified: 6 Mars, 2024

Comments are closed.

×