Budapest, 13 maj 2024
Në Budapest, u shënua ditën e sotme një moment i rëndësishëm i thellimit të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Hungarisë. Gjatë kësaj vizite në kryeqendrën hungareze, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Institutit të Kosovës për Administratë Publike dhe Universitetit të Shërbimeve Publike të Hungarisë, Ludovika.
Ky memorandum ka si qëllim inkurajimin e aktiviteteve ndërkulturore dhe projekteve të ndryshme ndërmjet dy institucioneve, duke intensifikuar e rritur bashkëpunimin dhe bashkërendimin në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht sa i përket administratës publike.
Në ceremoninë e nënshkrimit, prezent ishte dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra dhe i ngarkuari me punë i ambasadës së Kosovës në Hungari, Naser Idrizi. Nga ana e Kosovës, marrëveshja u nënshkrua nga drejtorja ekzekutive e Institutit të Kosovës për Administratë Publike, Lule Isufi, ndërsa nga pala hungareze ajo u nënshkrua nga Gergely Deli, rektor i këtij universiteti shtetëror.
Ndër të tjera, në këtë memorandum, përcaktohen kornizat e bashkëpunimit duke përfshirë dhe programe të trajnimit e shkëmbime të përvojave, duke prekur jo vetëm fushën e administratës publike por edhe atë të qeverisjes dhe ngritjes së kapaciteteve.
Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu rëndësinë e kësaj iniciative, në thellimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, rritjen e nivelit të përgatitjes dhe standardeve të administratës publike si pjesë kyçe edhe e rrugëtimit tonë drejt integrimit evropian, dhe uljes së kostos së shërbimeve të mundësuara për qytetarët.
Ndërsa zëvendësministri Dobra theksoi se reforma e administratës publike qëndron si prioritet në përpjekjet e Qeverisë për një administratë sa më efikase dhe për ndryshim thelbësor në afatmesëm dhe afatgjatë. Duke theksuar dhe risitë teknologjike e shtimin e shërbimeve të mundësuara online për qytetarët, ai i ftoi përfaqësuesit e Universitetit dhe në konferencën e ardhshme të administratës publike që mbahet në një format të ri në shtatorin e këtij viti.
Last modified: 13 Maj, 2024