Prishtinë, 17 nëntor 2023
Në përfundim të Javës së Kodimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministrin e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi, sot ishte dëshmitar i zhvillimit të një ore kodimi në Shkollën e Mesme të Lartë “Gjin Gazulli” në Prishtinë.
Duke parë demonstrimin mbresëlënës të nxënësve të kësaj shkolle, kryeministri Kurti falënderoi për angazhimin në përvetësimin e gjuhës së të ardhmes, në kodim, nxënësit nga më të vegjlit deri tek ata që janë gati të nisin udhëtimin e tyre profesional.
“Në këto pesë ditë, ju nuk keni mësuar vetëm të shkruani rreshta kodi, por keni filluar të mendoni gjithnjë e më shumë në mënyrë kompjuterike e algoritmike, t’i zgjidhni problemet në mënyrë kreative dhe të bashkëpunoni në mënyrë efikase”, tha kryeministri drejtuar nxënësve.
Me mbi 400 ngjarje kodimi në gjithë vendin tonë, përfshirë mbi 300 shkolla dhe mijëra orë kodimi, kryeministri shprehu optimizmin për suksesin që do ta kemi gjithnjë më të madh në të ardhmen pasi që kjo javë shpërfaq një shenjë të qartë të pasionit dhe entuziazmit së rinisë sonë për teknologji.
Si rrjedhojë e këtij potenciali dhe interesimi, kryeministri Kurti bëri të ditur se që nga viti shkollor akademik 2024/2025, nga klasa e parë e shkollës fillore ashtu siç e mësojnë gjuhën shqipe, nxënësit do ta mësojnë edhe gjuhën e kodimit.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e fokusuar në transformimin digjital, sepse kësisoj edukimi bëhet i lehtë dhe më cilësor, dhe siç tha kryeministri e rritë edhe llogaridhënien, efikasitetin, produktivitetin e transparencën në të gjitha strukturat dhe proceset, në sektorin privat dhe në atë publik.
Nga data 13 deri me 17 nëntor, në kuadër të Javës së Kodimit, organizuar nga MAShT-i në bashkëpunim me ShPIK dhe Code.org, nxënësit mësuan shkathtësi të kodimit me anë të qindra aktivitete që përfshijnë kurse të kodimit, projekte, prezantime e sesione informuese rreth kodimit, inteligjencës artificiale e shkencave kompjuterike.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Ishte shumë mbresëlënëse për mua që të jem dëshmitar i këtij demonstrimi të punës së përbashkët kolektive të nxënësve të Shkollës së Mesme të Lartë “Gjin Gazulli”. Pra edhe e kanë punuar bashkë, por edhe kanë prezantuar bashkë një punë e cila natyrisht që ka dobi publike sepse mund të luaj rol të rëndësishëm edhe privat edhe publik në zvogëlimin e rrezikshmërisë dhe në menaxhimin e situatave të vështira, siç edhe na u paraqit këtu nga këta nxënës të cilët i falënderoj përzemërsisht edhe për punën edhe për rezultatin e demonstrimit.
I nderuari zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, z. Taulant Kelmendi,
I nderuari drejtor i shkollës “Gjin Gazulli”, Bujar Gjocaj,
Të dashur nxënës dhe të nderuar mësimdhënës,
Këtë javë përmes Orës së Kodimit, një iniciativë globale që këtë vit është lansuar në Kosovë nga MAShT-i në bashkëpunim me Shoqatën Profesionale të Informaticientëve të Kosovës dhe Code.org, kemi parë zhvillimin e potencialit, shkëndijën e kureshtjes dhe lindjen e inovacioneve të ardhshme.
Unë nuk kam pasur mundësi që të jem këtu të hënën t’ua uroj me rastin e fillimit të kësaj jave, mirëpo ndonëse isha në udhëtim zyrtar jashtë vendit e përcjella vazhdimisht se sa mbarë e mirë filloi një javë kaq e rëndësishme, e suksesshme e kodimit edhe për arsimin tonë, por edhe të ardhmen për ekonominë.
Po them për ekonominë sepse janë diku rreth 1500 kompani, biznese në Kosovë të cilat operojnë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, e diku mbi ¾ e tyre bëjnë eksporte të shërbimeve për korporata të fuqishme anë e mbanë globit. Janë 20,000 profesionistë në Kosovë në fushën e TIK-ut dhe 4000 janë studentë nëpër universitete, fakultete të ndryshme në shkenca kompjuterike të cilët bëjnë dizajnim softuerik dhe të tjerë të cilët gjithashtu kontribuojnë që për Kosovën të mund ta kemi synimin ta bëjmë në të ardhmen e afërt një Estoni të Evropës Juglindore.
Mirëpo, le të kthehemi te Java e Kodimit. Gjatë këtyre ditëve, nxënësit tanë nga të vegjlit deri tek ata që janë gati të nisin udhëtimin e tyre profesional, janë angazhuar në gjuhën e së ardhmes, pra në kodim.
Unë besoj që gjuha e kodimit është gjuha e shekullit 21, në shekullin 20 ka qenë përpjekja që esperantoja të bëhet një gjuhë universale, nuk pati sukses. Mirëpo, për dallim prej esperantos në shekullin 20, kodimi në shekullin 21 do të jetë i suksesshëm dhe për këtë ne i bëjmë hapat me juve, hapat të cilat ju po i bëni këtu në shkollë, por edhe në ekonomi edhe në institucionet e vendit tonë.
Në këto pesë ditë, ju nuk keni mësuar vetëm të shkruani rreshta kodi, por keni filluar të mendoni gjithnjë e më shumë në mënyrë kompjuterike e algoritmike, ti zgjidhni problemet në mënyrë kreative dhe të bashkëpunoni në mënyrë efikase.
Edhe talenti i individit vjen në shprehje, por sidomos siç e pamë edhe këtu, vjen në shprehje edhe bashkëpunimi i nxënësve të ndryshëm për produktin e njëjtë.
Në me mbi 400 ngjarje kodimi në gjithë vendin tonë, përfshirë mbi 300 shkolla dhe dhjetëra, mijëra orë kodim të shkruara, natyrisht që jemi optimist për suksesin që do ta kemi gjithnjë më të madh në të ardhmen sepse, kjo javë është jo vetëm dëshmia e angazhimit tonë ndaj arsimit në teknologjinë e informacionit, por edhe një shenjë e qartë e pasionit dhe entuziazmit të rinisë sonë për teknologji.
Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të përqendrohet shumë në transformimin digjital, sepse transformimi digjital e bën edukimin më të lehtë dhe më cilësor, por gjithashtu e rritë edhe llogaridhënien, edhe efikasitetin, edhe produktivitetin, edhe transparencën, në të gjitha strukturat dhe proceset si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik.
Duke e parë interesimin sa edhe potencialin e nxënësve tanë, jemi duke u angazhuar që prej vitit të ardhshëm akademik lënda e kodimit të jetë pjesë e kurrikulës së mësimit që nga klasa e parë. Pra, viti shkollor akademik 2024/2025, nga klasa e parë e shkollës fillore ashtu siç e mësojnë gjuhën shqipe, do ta mësojnë edhe gjuhën e kodimit.
Ju faleminderit për mësimet që po i bëni për këtë rezultat që është edhe kontribut për shoqërinë dhe ju dëshiroj sa më shumë suksese, e të arritura të mbara, e të mira në javët, muajt e vitet në vijim.
Faleminderit!
Last modified: 17 Nëntor, 2023