Prishtinë, 8 prill 2024
Sot u lansua platforma “KosovaDiplo365”, nismë kjo rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe Fondacionit Ipko.
“KosovaDiplo365 është platforma digjitale që duke shërbyer si një urë lidhëse për qytetarët tanë të cilët jetojnë në Kosovë dhe në diasporë, e çon më tej këtë raport të vendit tonë me botën edhe në mënyrë digjitale”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij hyrëse në përurimin e projektit i cili, siç tha ai, vendos rrëfimet mbi rrugëtimin e Kosovës dhe qytetarëve të saj në sferën globale digjitale.
Duke qenë se prioritet i qeverisjes mbetet krijimi i një mjedisi ku qytetarët tanë kanë mundësi të lidhen me botën, përmes sferave të ndryshme të jetës, “KosovaDiplo365” ofron pikërisht këtë mjedis duke kontribuuar në fuqizimin e diplomacisë qytetare dhe ofrimin e një mundësie për të gjithë për t’u angazhuar në kuadër të këtij rrugëtimi.
“Si Qeveri, ne besojmë fuqishëm në rolin që çdo qytetar mund ta ketë si një diplomat. Qytetarët tanë janë burimi më i çmueshëm i Republikës sonë, dhe luajnë një rol jetik në transmetimin e kulturës, identitetit, trashëgimisë, historisë, dhe mbi të gjitha vlerave të Kosovës”, shtoi më tej kryeministri.
Në vazhdim, ai përmendi personalitete të shoqërisë sonë brenda dhe jashtë vendit nga fusha të ndryshme, përmes të cilëve po formësohet lidhja e Kosovës me botën dhe të cilët kanë marrë thuajse pavetëdijshëm përsipër përgjegjësinë e përfaqësimit dhe promovimit të shtetit tonë, nëpër botë.
“Shembujt si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, që sollën medaljet e arta olimpike; por edhe Donjeta Sadiku që preku piedestalin në arenat ndërkombëtare në sportin e boksit, sportistët si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Vedat Muriqi e shumë të tjerë; e matematikanët e rinj të cilët fituan medalje në garat prestigjioze botërore; mandej juristët tanë nga Universiteti i Prishtinës, që dallohen në mesin e juristëve nga universitetet me renome ndërkombëtare; gratë profesioniste nga bota e kinematografisë si: Blerta Basholli, Antoneta Kastrati, Norika Sefa dhe Luana Bajrami, që kanë lënë gjurmë përmes krijimtarive të tyre në botën e filmit; yjet me famë botërore dhe origjinë nga Kosova, si: Dua Lipa, Rita Ora dhe Ava Max, që flasin për gjuhën, kulturën dhe jetën e tyre në Kosovë duke promovuar traditat dhe mikpritjen tonë; artistët si Petrit Halilaj, Sislej Xhafa, Flaka Haliti dhe Fadil Berisha; pjesëtarë të komunitetit tonë të diasporës, të cilët përmes artit të tyre bënë që Kosova të njihet ndërkombëtarisht. E shumë, e shumë bashkatdhetarë të tjerë të shquar, për neve, për botën, të cilët çdo ditë e më tepër, na bëjnë krenar si pjesë e shoqërisë sonë”, tha kryeministri Kurti.
Në këtë lansim ai bëri thirrje që të bashkohemi në këtë platformë, ta shpërndajmë e ta zgjerojmë atë, me qëllim transmetimin e rrëfimeve tona personale e kolektive nëpër botë, të vlerave e të aureolës së dijeve.
Ndërkaq, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, tha se përmes kësaj platforme synojmë që ta forcojmë imazhin e Republikës së Kosovës, duke ndikuar pozitivisht te opinionbërësit jashtë vendit, por edhe pozitivisht te mysafirët potencialë të Kosovës në të ardhmen.
Të pranishëm për të përuruar këtë platformë ishin zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit Ipko, Abetare Gojani, bashkë-ideator i platformës KosovaDiplo365, Kushtrim Xhakli, bursistë të Programit për Diplomaci Qytetare, qytetarë dhe diplomat të tjerë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurtit:
E nderuara zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi,
E nderuara Drejtore Ekzekutive e Fondacionit Ipko, znj. Abetare Gojani,
I nderuar z. Kushtrim Xhakli, bashkë-ideator i platformës KosovaDiplo365,
Të nderuar bursistë të Programit për Diplomaci Qytetare,
Qytetarë, diplomatë dhe përfaqësues të mediave,
Në saje të bashkëpunimit dhe punës një vjeçare me bursistët e Programit për Diplomaci Qytetare, sot e përurojmë projektin i cili vendos rrëfimet mbi rrugëtimin e Kosovës dhe qytetarëve të saj në sferën globale digjitale.
KosovaDiplo365 është platforma digjitale që duke shërbyer si një urë lidhëse për qytetarët tanë të cilët jetojnë në Kosovë dhe në diasporë, e çon më tej këtë raport të vendit tonë me botën edhe në mënyrë digjitale.
Si Qeveri, ne besojmë fuqishëm në rolin që çdo qytetar mund ta ketë si një diplomat. Qytetarët tanë janë burimi më i çmueshëm i Republikës sonë, dhe luajnë një rol jetik në transmetimin e kulturës, identitetit, trashëgimisë, historisë, dhe mbi të gjitha vlerave dhe progresit të vendit e të popullit tonë. Pra, janë pikërisht qytetarët tanë, ata që mundësojnë forcimin e lidhjes sonë me botën, por edhe njohjen e shtetit tonë për historinë që e mbart ai.
Të gjithë e dimë se para se Kosova të çlirohet, edhe para se Kosova ta shpallë pavarësinë, ne kemi pasur mërgatën tonë e cila ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm edhe për çlirimin, edhe për pavarësinë. Andaj, edhe jo më kot thuhet që Kosova kishte ambasadë para se të kishte shtet. Kjo ishte mërgata jonë ndër dekada e vite.
E vërteta është se shoqëria jonë ka një grup në rritje të qytetarëve diplomatë, të cilët kanë marrë thuajse pavetëdijshëm përsipër përgjegjësinë e përfaqësimit dhe promovimit të shtetit tonë, në botë. Me fjalë tjera, përfaqësimi që bëjnë ata e ato është më shumë pasojë se sa qëllim i tyre.
Shembujt si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, që sollën medaljet e arta olimpike; por edhe Donjeta Sadiku që preku piedestalin në arenat ndërkombëtare në sportin e boksit, sportistët si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Vedat Muriqi e shumë të tjerë; e matematikanët e rinj të cilët fituan medalje në garat prestigjioze botërore; mandej juristët tanë nga Universiteti i Prishtinës, që dallohen në mesin e juristëve nga universitetet me renome ndërkombëtare; gratë profesioniste nga bota e kinematografisë si: Blerta Basholli, Antoneta Kastrati, Norika Sefa dhe Luana Bajrami, që kanë lënë gjurmë përmes krijimtarive të tyre në botën e filmit; yjet me famë botërore dhe origjinë nga Kosova, si: Dua Lipa, Rita Ora dhe Ava Max, që flasin për gjuhën, kulturën dhe jetën e tyre në Kosovë duke promovuar traditat dhe mikpritjen tonë; artistët si Petrit Halilaj, Sislej Xhafa, Flaka Haliti dhe Fadil Berisha; pjesëtarë të komunitetit tonë të diasporës, të cilët përmes artit të tyre bënë që Kosova të njihet ndërkombëtarisht. E shumë, e shumë bashkatdhetarë të tjerë të shquar, për neve, për botën, të cilët çdo ditë e më tepër, na bëjnë krenar si pjesë e shoqërisë sonë.
Prioritet i qeverisjes sonë, përmes përkushtimit dhe angazhimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mbetet krijimi i një mjedisi ku qytetarët tanë kanë mundësi të lidhen me botën, përmes sferave të ndryshme të jetës.
Andaj, KosovaDiplo365 nuk është thjesht një adresë interneti. Ajo është platforma që ofron pikërisht këtë mjedis, dhe që shërben jo vetëm në dokumentimin digjital të historisë e të kulturës tonë, por edhe në mbrojtjen dhe kultivimin e këtyre. Është një nismë për fuqizimin e diplomacisë qytetare, që i ofron të gjithëve një mundësi për t’u angazhuar në kuadër të këtij rrugëtimi të përbashkët, ku dëshirojmë të na bashkëngjiten sa më shumë të tjerët.
Kjo nismë u realizua me kontributin e diasporës dhe vullnetin e qeverisjes sonë. KosovaDiplo365 vjen si rezultat i bashkëpunimit edhe me shoqërinë civile, konkretisht bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës me Fondacionin Ipko, që na mundësoi të sjellim një përvojë të re për qytetarët tanë, por edhe bashkëpunimin shumë të ngushtë me bursistët e programit për diplomaci publike, që janë pjesëtarë të mërgatës sonë të çmuar.
Përmes KosovaDiplo365, ne po formësojmë lidhjen e Kosovës me botën përmes zërave më të fuqishëm të saj: qytetarëve brenda dhe jashtë vendit.
Prandaj, unë ju ftoj që të bashkoheni në këtë platformë, ta shpërndajmë e ta zgjerojmë atë, me qëllim transmetimin e rrëfimeve tona personale e kolektive nëpër botë, të vlerave e të aureolës së dijeve. Le ta shndërrojmë narracionin e vërtetë për veten tonë në një pikturë mentale të të tjerëve për neve.
Ju faleminderit.
Last modified: 8 Prill, 2024