Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Zvogëlimi i barrës administrative, një hap i rëndësishëm që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të barabarta për të përfituar nga shërbimet e qeverisë

7 Maj, 2024

 

Prishtinë, 7 maj 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në konferencën e organizuar nga Zyra e Kryeministrit dhe GIZ-i gjerman me temë, “Si mund të përfitojnë komunitetet joshumicë nga Zvogëlimi i Barrës Administrative”. Në këtë ngjarje i pranishëm ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Joern Rohde dhe zëvendës shefja e misionit të BE-së në Kosovë, Eva Palatova.

Si folës kyç, kryeministri Kurti, në fjalën e tij përshëndetëse, tha se administrata publike është fusha ku ne i shërbejmë qytetarëve, prandaj edhe është prioritet i Qeverisë dhe se qëllim yni është që çdo qytetar të ketë qasje të lehtë në shërbimet publike me kosto reale për procedura.

“Zvogëlimi i barrës administrative është një hap i rëndësishëm për të siguruar që të gjitha komunitetet në Kosovë, të kenë mundësi të barabarta për të përfituar nga shërbimet dhe burimet qeveritare”, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se përpjekja për të garantuar qasje të barabartë në shërbime publike për të gjithë qytetarët, është një pjesë e thellësisë së procesit të qeverisjes dhe zhvillimit të një vendi.

Kryeministri Kurti përmendi fushat, në të cilat zvogëlimi i barrës administrative do të ketë ndikim pozitiv. Ai veçoi fushën e arsimit, ku zvogëlimi i barrës administrative do të lehtësojë procesin e regjistrimit në institucionet arsimore dhe do të rrisë mundësitë për qytetarët për të përfituar nga arsimimi i lartë; fushën e shëndetësisë, ku zvogëlimi i barrës administrative do të sjellë një përmirësim në qasjen dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor për të gjithë qytetarët; ndërkaq në aspektin ekonomik, një gjë e tillë do të ndikojë në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për kryerjen e procedurave të nevojshme për bizneset dhe sipërmarrësit.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri Kurti, falënderoi Qeverinë Zvicerane, që mbështesin reformën nëpërmjet projektit për përshpejtimin e klimës së investimeve, të zbatuar nga Korporata Ndërkombëtare Financiare, dhe partnerët kryesorë të këtij procesi, Bashkimin Evropian dhe Qeverinë Gjermane, që nëpërmjet projektit të bashkëfinancuar për zvogëlimin e barrës administrative të zbatuar nga GIZ-i, e kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin zbatimin e Programit dhe arritjen e rezultateve të mira. Ai shtoi se Qeveria Republikës së Kosovës, do të mbështesë vazhdimisht procesin e reduktimit të barrës administrative, për të siguruar që të gjithë qytetarët pa dallime të marrin shërbime sa më të lehta, të shpejta dhe cilësore nga administrata jonë publike.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Faleminderit Elizabet.
I nderuar ministër për Komunitete dhe Kthim, z.Nenad Rashiq,
Të nderuar zëvendësministra, Dobra dhe Elshani,
I nderuari ambasador i Gjermanisë në Kosovë, z. Joern Rohde,
E nderuara zëvendësshefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, znj.Eva Palatova,
Të nderuar përfaqësues, partnerë zhvillimorë,
Të nderuar përfaqësues të komunave të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile,
Të nderuar kolegë dhe kolege,
Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë të hap këtë mbledhje dhe t’ju uroj mirëseardhje të gjithëve. Ky takim është vazhdim i takimeve të rregullta që i kemi mbajtur edhe me zyrtarë komunalë për komunitete dhe kthim, e me organizata joqeveritare të komuniteteve, por njëkohësisht është hera e parë që po bisedojmë për këtë temë: për procesin e reduktimit të barrës administrative dhe mbi atë se si mund të përfitojnë komunitetet joshumicë nga ky proces.

Administrata publike është fusha ku ne i shërbejmë qytetarëve, prandaj edhe është prioritet kyç i Qeverisë sonë.

Qëllimi jonë është që çdo qytetar të ketë qasje të lehtë në shërbimet publike, me kosto reale për procedura. Zvogëlimi i barrës administrative është një hap i rëndësishëm për të siguruar që të gjitha komunitetet në Kosovë, të kenë mundësi të barabarta për të përfituar nga shërbimet dhe nga burimet qeveritare. Nëpërmjet tij, ne synojmë të lehtësojmë procedurat administrative dhe të zvogëlojmë barrën për qytetarët, veçanërisht për ata më të margjinalizuarit. Duke e bërë këtë, ne mundësojmë që secili individ të përfitojë nga mundësitë e zhvillimit ekonomik dhe social në vendin tonë të përbashkët. Kosova ka nevojë për një qeverisje efikase dhe të përgjegjshme, që përmbushë nevojat e të gjithë qytetarëve, që zbaton, respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim të origjinës etnike.

Përpjekja për të garantuar qasje të barabartë në shërbime publike për të gjithë qytetarët, është një pjesë e thellësisë së procesit të qeverisjes dhe zhvillimit të një vendi. Në kontekstin e Kosovës, duhet marrë parasysh diversitetin etnik, gjuhësor dhe kulturor të popullsisë tonë.

Për të siguruar bashkëpunim edhe më të gjerë, e për të rritur standardin drejt vendeve të Bashkimit Evropian, procesi i zvogëlimit të barrës administrative është bërë një nga pikat kryesore reformuese të Planit të Rritjes, ku njëra nga objektivat kryesore është “Ofrimi i shërbimeve të përballueshme për qytetarët”, që tregon për synimin tonë për këto shërbime, të cilat duhet të jenë me kosto të ulët, që nuk marrin kohë dhe nuk shkaktojnë irritime e pakënaqësi të qytetarët. Kjo përfshinë zvogëlimin e dokumentacionit të kërkuar, lehtësimin e proceseve të aplikimit nëpërmjet digjitalizimit dhe përmirësimin e shërbimeve të ofruara nga institucionet publike.

Në fushën e arsimit, zvogëlimi i barrës administrative do të lehtësojë procesin e regjistrimit në institucionet arsimore dhe do të rrisë mundësinë për qytetarët për të përfituar nga arsimimi i lartë. Në shëndetësi, zvogëlimi i barrës administrative do të sjellë një përmirësim në qasjen dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor për të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe komunitetet që kemi parë që deri tash nuk e kanë pasë të lehtë për të përfituar nga shërbimet shëndetësore.

Në aspektin ekonomik, do të ndikojë në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për kryerjen e procedurave të nevojshme për bizneset dhe sipërmarrësit. Me këtë, do të rriten investimet dhe do të krijohen vende të reja të punës. Kështu mund të kemi rritjen dhe zhvillimin ekonomik dhe në përgjithësi të vendit, duke sjellë përfitime të konsiderueshme për të gjithë qytetarët, përfshirë këtu edhe komunitetet joshumicë.

Për arritjen e këtyre qëllimeve, nën mbikëqyrjen e Zëvendëskryeministrit të Parë, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, Qeveria tashmë ka miratuar dokumente, ka ndërmarrë masa, ka siguruar buxhet dhe ka filluar proceset nëpërmjet një qasje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe e cila ka treguar rezultat në këto dy vitet e fundit, e të cilat do të shpalosën sot.

Për të intensifikuar punën në nivelin lokal për procesin e reduktimit të barrës administrative, Qeveria në bashkëpunim me Korporatën Ndërkombëtare Financiare, IFC ka thjeshtuar një numër të lartë të shërbimeve në tri komuna, ndërsa me mbështetjen e GIZ-it ka filluar thjeshtimin e shërbimeve në pesë komuna të tjera. Dy prej këtyre komunave ku ka filluar procesi dhe ka prani më të lartë të pakicave kombëtare, janë Dragashi dhe Graçanica.

Për të motivuar përpjekjen e komunave në zvogëlimin e barrës administrative, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tashmë ka nisur procesin e vendosjes së treguesit në Grantin e Performancës së Komunave, në mënyrë që të gjitha komunat të përfshihen në proces, dhe të gjitha të performojnë mirë në ofrimin e shërbimeve për qytetarët e tyre.

Natyrisht, zbatimi i një reforme të tillë kërkon komunikim dhe bashkërendim të mirë me partnerët tanë zhvillimorë, të cilët e kanë ndihmuar Zyrën tonë për Planifikim Strategjik për arritjen e rezultateve të mira në procesin e zvogëlimit të barrës administrative. Andaj, shfrytëzoj rastin të falënderoj Qeverinë Zvicerane, që mbështesin reformën nëpërmjet projektit për përshpejtimin e klimës së investimeve, të zbatuar nga Korporata Ndërkombëtare Financiare. Gjithashtu, falënderojmë partnerët kryesorë në këtë proces, Bashkimin Evropian dhe Qeverinë Gjermane, që nëpërmjet projektit të bashkëfinancuar për zvogëlimin e barrës administrative të zbatuar nga GIZ-i, e kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin zbatimin e Programit dhe arritjen e rezultateve të mira.

Më duhet të theksoj se tashmë kemi përfunduar negociatat ndërqeveritare me Gjermaninë, ku veçse kemi paraqitur kërkesat tona për mbështetje shtesë në procesin e barrës administrative për vitin e ardhshëm. Mirëpo nëpërmjet Ambasadorit Rohde, po shfrytëzoj rastin që të bëjë ftesë edhe njëherë për mbështetje edhe më të madhe të këtij procesi, edhe nëpërmjet financimeve të përbashkëta, e posaçërisht ato me fokus të komuniteteve joshumicë.

Në fund, si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të mbështes vazhdimisht procesin e reduktimit të barrës administrative në vijim, për të siguruar që të gjithë qytetarët pa dallime të marrin shërbime sa më të lehta, të shpejta dhe cilësore nga administrata jonë publike.

Jam i lumtur që sot në këtë format dhe në këtë përbërje, do të ketë konsultime dhe shkëmbim të ideve, sugjerime e propozime, që mund të sigurojnë qasje sa më te mirë në shërbimin e të gjithë qytetarëve, pa dallim. Bisedat dhe diskutimet e këtilla, sikurse këtu sot, të gjithë ne bashkë, çdoherë i mirëpresim si Qeveri e Republikës së Kosovës.

Ju falemnderit për kontributin që e po jepni dhe zotohemi që do të na keni gjithmonë pranë në angazhimet në vijim.

Falemnderit.

Last modified: 7 Maj, 2024

Comments are closed.