Janjevë, 7 tetor 2024
Në Janjevë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizituan Kishën e Shën Nikollës, ku u takuan dhe me priftin Don Matej Paliq, si dhe panë nga afër shtëpitë e restauruara të zonës.
Gjatë qëndrimit në Janjevë, kryeministri mori pjesë edhe në hapjen e panairit “Mirëserdhët në Janjevë”, bashkë edhe me ambasadorin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić dhe shefin e UNDP-së në Kosovë Nuno Queiros. Më tej, vizitoi edhe Xhaminë e Murat Beut në Janjevë, ku u prit nga Kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti dhe Imami i Janjevës Beqir Krasniqi.
Në fjalën e tij në hapjen e panairit, kryeministri Kurti tha se qeveria jonë po investon përmes tri ministrive në Janjevë.
“Ministria e Kulturës, në restaurimin dhe rifunksionalizimin e 14 shtëpive tradicionale, përmirësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve njerëzore për turizëm dhe menaxhim, mandej Ministria e Zhvillimit Rajonal në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonën e vjetër të qytezës së Janjevës, si dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në shtrirjen e ujësjellësit në qytet,” u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se ky program nuk do të ishte i plotë pa përkrahjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, si Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
“Ky projekt hap një urë bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe diasporës Janjevase, e cila ka migruar në Kroaci, duke krijuar kësisoj mundësi e arsye të fortë për rikthim e bashkëinvestim në Janjevë. Nëpërmjet investimeve të realizuara, shtëpive të vjetra shumëshekullore, kësaj qyteze po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm, e së bashku me këtë edhe gjallëria ekonomike. Shtëpitë e restauruara do të jenë të gatshme për të shërbyer qoftë për banim, bujtina, gastronomi, e shitje të prodhimeve vendore që i prodhojnë bujqit e artizanët e vyeshëm të këtij vendbanimi,” përfundoi kryeministri.
Pas fjalës së tij, Kryeministri Kurti takoi nga afër edhe banorët e zonës e pjesëmarrësit në panair nga prodhuesit lokalë dhe përfaqësues të bizneseve.
Panairi u organizua si pjesë e projektit “Trashëgimia kulturore si nxitëse për ringjalljen ekonomike të Janjevës”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ai synon të nxjerrë në pah identitetin kulturor të fshatit duke ofruar një platformë për artizanët dhe prodhuesit vendas për të ekspozuar punën e tyre, për të ruajtur, mbrojtur dhe ringjallur trashëgiminë kulturore, promovuar ndërgjegjësimin dhe sigurimin e mbrojtjes së saj, zgjerimin e mundësive socio-ekonomike dhe zhvillimin ekonomik për banorët e Janjevës.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në hapjen e panairit:
I nderuari ministër i Kulturës, Rinisë, dhe Sportit z. Hajrulla Çeku,
I nderuar shef i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë ambasador z. Aivo Orav,
E nderuara znj. Danijela Barišić, ambasadore e Republikës së Kroacisë në Republikën e Kosovës,
I nderuar z. Nuno Queirós, përfaqësues rezident i UNDP-së në Kosovë,
I nderuari don Matej,
Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare këtu tek ne, katolike dhe islame,
Të nderuar janjevas,
Ju faleminderit për këtë mikpritje kaq të ngrohtë në këtë vend ku natyra edhe tradita takohen e harmonizohen kaq bukur e kaq mirë.
Jemi mbledhur sot këtu në këtë qytezë piktoreske, me një histori e trashëgimi kulturore dhe natyrore, të pasur e të llojllojshme, vendlindje e Atë Shtjefën Gjeçovit, të cilës po i kthehet jeta dhe po merr vëmendjen e merituar nga shteti.
Qeveria jonë po investon përmes tri ministrive në Janjevë. Ministria e Kulturës, në restaurimin dhe rifunksionalizimin e 14 shtëpive tradicionale, përmirësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve njerëzore për turizëm dhe menaxhim, mandej Ministria e Zhvillimit Rajonal në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonën e vjetër të qytezës së Janjevës, si dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në shtrirjen e ujësjellësit në qytet.
E ky program nuk do të ishte i plotë, pa përkrahjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Ky projekt hap një urë bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe diasporës Janjevase, e cila ka migruar në Kroaci, duke krijuar kësisoj mundësi e arsye të fortë për rikthim e bashkëinvestim në Janjevë.
Nëpërmjet investimeve të realizuara, shtëpive të vjetra shumëshekullore, kësaj qyteze po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm, e së bashku me këtë edhe gjallëria ekonomike.
Shtëpitë e restauruara do të jenë të gatshme për të shërbyer qoftë për banim, bujtina, gastronomi, e shitje të prodhimeve vendore që i prodhojnë bujqit e artizanët e vyeshëm të këtij vendbanimi.
Këto projekte nuk janë vetëm ndërhyrje fizike dhe infrastrukturore. Janë tregues i angazhimit dhe përkushtimit tonë për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore, dhe përkthimin e saj në mirëqenie për popullin e në zhvillim ekonomik për vendin.
Pas përfundimit të plotë të punimeve, qendra historike e Janjevës do të shndërrohet në një destinacion joshës për vizitorët e vendit tonë dhe aso të huaj.
Sot është një ditë e lumtur për Janjevën, për pronarët e shtëpive të restauruara e në veçanti për artizanët e vyeshëm të cilët prezantojnë prodhimet artizanale e bujqësore, këtu para publikut, për çfarë në veçanti e falënderojmë zonjën Eleonora Kelmendi.
Me urimin që Bashçarshia çdo herë të jetë kështu plot, ju uroj një ditë produktive e mirutakofshim në panaire e festa të radhës.
E para se të vijmë këtu, të nderuar të pranishëm, ishim edhe në dhënien e çelësave motrës Maria këtu në një shtëpi të restauruar plotësisht që është po ashtu edhe e banueshme. Andaj më lejoni që t’i them edhe disa fjalë në kroatisht.
Izgradnja jedne kuće je obaveza za budućnost i iz tog razloga naša vlada je uložila u mnoge kuće za nevećinske zajednice od severa pa do juga Kosova. Ali renoviranje jedne kuće je potvrda ranijeg impulsa i posvećenost za život koji treba da se nastavi i cveta i na ovom mestu. Iz tog razloga, vlada je uložila 1,8 miliona evra u ove znake nade u Janjevu. Nada se vidi i u kućama, poput one gospodina Paška Ivanovića koju smo upravo obišli, žao nam je što nije mogao da dolazi danas u Janjevo ali ovde smo bili zajedno i sa sestrom Marijom i zahvaljujem joj se puno, ali takođe to se vidi u privrednim aktivnostima žena i muškaraca koji su naučili nove veštine. Ovde se dokazuje kako ove veštine kombinovane sa kreativnošću, napornim radom i hrabrošću donose ove proizvode koji se ovde vide. Kada se ulaganja vlade i međunarodnih partnera ujedine sa vremenom i znojem preduzetnika, rezultati se jasno vide.
Želim vam sretan rad i ostvarenje svih nada koje su ovde posađene, u vašim domovima i biznisima.
Hvala lepa!
Faleminderit shumë!
Last modified: 7 Tetor, 2024