Prizren, 29 maj 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, vizituan hapësirat e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren. Në bisedë me të rejat dhe të rinjtë aty, u njoftuan me idetë dhe njëkohësisht sfidat të cilat po tejkalohen suksesshëm gjatë punës me ndërmarrje të reja inovative.
“Mësova që si ekosistem funksional dhe dinamik, tashmë janë 47 kompani të përfshira dhe 352 të punësuar, ku bëjnë pjesë edhe institucione arsimore dhe ofrues të trajnimeve”, tha kryeministri Kurti duke cilësuar Parkun si një rrëfim suksesi i zhvillimit, arsimimit, progresit, kreativitetit dhe inovacionit.
Duke përcjellë zhvillimin e ITP-së që nga fillimi, ai shprehu se Qeveria e Kosovës dhe Qeveria Federale Gjermane kanë kontribuuar deri më tani me nga 8 milionë euro për zhvillimin e Parkut, derisa edhe 5 milionë euro të tjera janë premtuar nga Qeveria Gjermane për periudhën 2026-2029.
Kryeministri veçoi edhe masat e gjelbra të përfshira së fundmi nga ITP, përveç përgëzimeve për arritjet në sektorët prioritarë të shëndetësisë, kërkimit, zhvillimit, energjisë së gjelbër, industrisë krijuese dhe kulturore, si dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
“Më erdhi shumë mirë që po zbatohen masa për uljen e gjurmës së karbonit dhe promovimin e dekarbonizimit përfshirë instalimin e paneleve fotovoltaike dhe sistemeve të efiçiencës së energjisë”.
Në fund, i gatshëm për të dëgjuar tutje për sfidat dhe mësimet gjatë progresit të ITP-së, kryeministri deklaroi se ky park është në rrugë të mbarë që të bëhet shembull për parqet tona të tjera të cilat do të mund të ndërtohen në Kosovë.
Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren hapi dyert në maj të vitit 2020. Ai është një pikë qendrore në rajonin e Ballkanit për inovacion, zhvillim të biznesit dhe aftësive, dhe një burim i ideve inovative dhe të suksesshme. Tashmë ky park është në rrugë të mirë drejt vetëqëndrueshmërisë financiare, duke gjeneruar të ardhura nga qiratë dhe shërbimet. Në vitin 2023, ITP ka gjeneruar rreth 400,000 Euro të hyra. Në vitin 2024, parashikohet të gjenerohen 520,000 Euro, ndërsa në vitin 2026 ITP parashihet që të arrijë pikën e vetëqëndrueshmërisë financiare.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Është kënaqësi të jem sot këtu me juve të gjithëve bashkë, si dhe me ambasadorin gjerman, Jörn Rohde dhe ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Qeveria e Kosovës dhe Qeveria Federale Gjermane kanë kontribuuar deri më tani me nga 8 milionë euro për zhvillimin e Parkut. Jemi mirënjohës, që një financim shtesë prej 5 milionë euro është premtuar nga Qeveria Gjermane për periudhën 2026-2029, për të zhvilluar Parkun si qendër e inovacionit për Kosovën dhe jo vetëm, edhe më gjerë në rajonin e Evropës Juglindore.
Më vjen mirë që shoh se sa shumë është zhvilluar ITP që nga themelimi, që nga fillimi i funksionimit. Unë pata kënaqësinë të vizitoj këtu hapësirën e punës së përbashkët apo “Coworking space” qysh thuhet këtu e ku dëgjova edhe ide, por në të njëjtën kohë edhe sfida që po i tejkalojnë suksesshëm ekipet e të rejave dhe të rinjve që punojnë bashkë me startup-e inovative dhe me të cilët kishim një bisedë të hapur edhe të lirë, që besoj ta vazhdojmë edhe në këtë diskutim këtu.
Mësova që si ekosistem funksional dhe dinamik, tashmë janë 47 kompani të përfshira dhe 352 të punësuar, ku bëjnë pjesë edhe institucione arsimore dhe ofrues të trajnimeve.
Ne do ta mbështesim ITP-në edhe në të ardhmen si Qeveri e Republikës së Kosovës. Është një rrëfim suksesi i zhvillimit, arsimimit, progresit, kreativitetit dhe inovacionit. Në veçanti duhet të theksohet që jemi në rrugë të mbarë për nga vetëqëndrueshmëria nëpërmjet zhvillimit. ITP po gjeneron të ardhura gjithnjë e më të mëdha nëpërmjet qirave dhe shërbimeve. Për vitin 2023 janë gjeneruar rreth 400 mijë euro me një parashikim prej 520 mijë euro për këtë vit, ndërkaq në vitin 2026, nga vjeshta, më thanë se arrihet pika ku do ta kemi të vetëqëndrueshëm ITP-në.
Fokusimi natyrisht që është në inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm edhe më lejoni të ju përgëzoj të gjithëve për sektorët e ndryshëm në të cilët paralelisht po zhvillohet ITP-ja, si në shëndetësi, kërkim, zhvillim, energji të gjelbër, industri krijuese dhe kulturore, si dhe të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Po ashtu më erdhi shumë mirë që po zbatohen masa për uljen e gjurmës së karbonit dhe promovimin e dekarbonizimit përfshirë instalimin e paneleve fotovoltaike dhe sistemeve të efiçiencës së energjisë.
ITP-ja është gjithashtu në rrugë të mbarë që të bëhet shembull edhe te të tjerët. Shembull për ata që duan të vijnë, por edhe shembull për parqet tona të tjera të cilët do të mund të ndërtohen në Kosovë dhe gjetiu. Por mbi të gjitha, ndonëse ma dhanë fjalën së pari, jemi këtu për të ju dëgjuar se çfarë sfidash keni kaluar deri më tani, çfarë mësimesh mund të nxjerrim bashkërisht dhe si mund të ju ndihmojmë që të bëjmë edhe më shumë edhe më mirë.
Faleminderit shumë për angazhimin dhe kontributin që e jepni edhe për fuqinë punëtore edhe për ekonominë e vendit edhe për ndërmarrjen tuaj.
Last modified: 29 Maj, 2024