Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi kompaninë GERIS PACK, përfituese e Masës 1.2 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike

31 Janar, 2024

Ferizaj, 31 janar 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vizitoi kompaninë GERIS PACK në Ferizaj, e cila njëherësh është përfituese e masës 2.1 për subvencionimin e kredive investuese, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

E ndodhur në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, me një sipërfaqe prej 5400 metra katrorë kompania GERIS PACK, ka të punësuar rreth 20 punëtorë në GERIS PACK, ndërsa në repartin tjetër GERIS, atë të veshmbathjes ajo numëron rreth 30 punëtorë. Para tre viteve, kur edhe kishte filluar punën ajo numëronte vetëm tre punëtorë.

Kjo ishte vizita e radhës e kryeministrit Kurti në kompani në të cilën ai u shpreh se është kënaqësi që vizitoi prodhimin e kësaj fabrike, e cila 70% të prodhimit e kanë për eksport në vendet e rajonit, 20% e kanë për tregun e brendshëm të Kosovës, ndërkaq 10% për vendet e Bashkimit Evropian.

Fabrika GERIS, është e ndarë në dy reparte: në atë për veshmbathje dhe në atë të ambalazhit, përkatësisht ambalazhimit të kutive për ushqim.

Fokusi primar i kompanisë është prodhimi i artikujve të plastikës për paketim kryesisht ambalazhimit të kutive për ushqim me kualitet të lartë sipas standardeve ndërkombëtare ku sa i përket nivelit të cilësisë është e njëjtë me atë të prodhuesve botëror. GERIS PACK është prodhuesi i parë në Ballkan që ofron furnizimin me ambalazhe të kartonit për paketim të ushqimit sepse më parë ambalazhet janë siguruar vetëm nga importuesit e jashtëm.

E veçanta e kësaj fabrike, siç theksoi edhe kryeministri është se njëri prej inxhinierëve që vepron dhe punon në këtë fabrikë është nga Kina, ndërkaq para një viti në GERIS PACK, ka të punësuar edhe një inxhinier nga Turqia.

Në këtë vizitë kryeministri Kurti ishte i shoqëruar edhe nga zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, në praninë edhe të pronarit të fabrikës Nysret Gashi dhe punëtorëve të kësaj fabrike.

Me këtë rast, gjatë kësaj vizite Kryeministri Kurti përgëzoi pronarin e kompanisë si dhe punëtorët e saj, për rezultatet e suksesshme të punës, numrin e lartë të punëtorëve, arritjet, përparimet dhe zgjerimin e vazhdueshëm të kompanisë, dhe rezultatet e arritura në eksport.

Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Jemi këtu në kompaninë GERIS PACK, e cila ka për pronar Nysret Gashin të cilin e falënderojmë për mikpritjen e përzemërt.

Jam bashkë me zëvendësministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobrunën dhe ishte kënaqësi që të vizitojmë prodhimin e kësaj fabrike e cila i ka dy reparte, njëri është ai për veshmbathje, por është edhe tjetri GERIS PACK që i dedikohet ambalazheve të llojeve të ndryshme.

70% të prodhimit e kanë për eksport në vendet e rajonit, 20% e kanë për tregun e brendshëm të Kosovës, ndërkaq 10% për vendet e Bashkimit Evropian.

Janë përfitues të Masës 2.1 e cila bëri subvencionimin e kredive investuese për prodhuesit tanë dhe ishim të lumtur të dëgjojmë nga pronari se si kur ka filluar para 3 viteve ka pasur vetëm 3 punëtorë. Ndërkaq tash në GERIS PACK i ka njëzet punëtorë, ndërkaq në repartin tjetër GERIS, ka mbi tridhjetë punëtorë e aty kemi prodhimin e veshmbathjeve, ku pjesa kryesore është për tregun e brendshëm ndërkaq ka diçka sa i përket eksportit në vendet e rajonit.

Hapësira ishte impozante te 5400 metra katrorë gjithsej, dhe bashkëbiseduam edhe me punëtorët sa i përket kushteve dhe të ardhurave të tyre dhe inkurajuam që të vazhdojnë të punojnë e të kontribuojnë në Kosovë, dhe kësisoj të përfitojnë për vete dhe për familjet e tyre.

Faleminderit shumë Nysret!

Last modified: 1 Shkurt, 2024

Comments are closed.

×