Zllatar, Ferizaj, 13 korrik 2024
Paraditën e së shtunës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi fushën e mbjellur me luledielli nga fermeri Shukri Sallahu në Zllatar të Komunës së Ferizajt. Atje ai ishte i shoqëruar nga zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, deputetët e Kuvendit, Valon Ramadani, Shqipe Metaj Isufi, Adelina Grainca dhe Enver Haliti.
Ndonëse rezultati përfundimtar i fushës së mbjellur me luledielli do të shihet në fund të muajit gusht, kryeministri Kurti shprehu përgëzime për punën e deritanishme të fermerit Sallahu i cili këtë vit mbolli 53 hektarë, derisa vitin e kaluar pati mbjellur 30 hektarë me luledielli.
“E përgëzova për punën dhe për rezultatin i cili shihet qysh tash ndonëse përfundimisht do ta shohim në fund të gushtit atëherë kur kjo fushë me luledielli do të korret dhe do të mund të ngarkohet për t’u shndërruar në vaj”, tha kryeministri.
Ai shtoi se Ministria Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka subvencionuar vitin e kaluar fermerët qe kanë mbjellur gjithsej 280 hektarë me luledielli, ndërkaq sivjet kanë pranuar aplikime për subcencinim për 1100 hektarë me luledielli. Siç tha ai, kjo është një dëshmi se do të jemi gjithnjë pranë fermerëve të cilët mbjellin e korrin e të cilët i kontribuojnë prodhimit dhe rendimentit tonë bujqësor.
“Ushqimi ynë në tryezat tona duhet të jetë nga toka jonë në të gjitha kulturat bujqësore që mund të bëhen në Kosovën tonë të dashur”, përfundoi Kryeministri Kurti.
Ndërkaq, Shukri Sallahu, fermer i fshatit Zllatar, pati falënderim të veçantë për kryeministrin. Ai tha se me lehtësimin e procedurave për aplikim dhe rritjen e subvencioneve për fermerët nga Qeveria, është rritur edhe vullneti për punë.
Këtë vit në mesin e shumë kulturave tjera bujqësore, fermerët aplikues përfituan subvencione prej 454 euro për një hektar të mbjellur me luledielli nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Jemi këtu në Zllatar të Ferizajt, bashkë me fermerin Shukri Sallahu, tek fusha e gjerë e mbjellur me luledielli. E përgëzova për punën dhe për rezultatin i cili shihet qysh tash ndonëse perfundimisht do ta shohim në fund të gushtit atëherë kur kjo fushë me luledielli do të korret dhe do të mund të ngarkohet për t’u shndërruar në vaj.
Në vitin e kaluar i kanë mbjellur 30 hektarë ndërsa në këtë vit 53 hektarë. Në përgjithësi ministria jonë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i ka subvencionuar në vitin që shkoi fermerët qe kanë mbjellur gjithsejt 280 hektarë me luledielli, ndërkaq sivjet 1100 hektarë me luledielli. Pra jo vetëm që është mirë, por është shumë mirë, dhe do të jemi gjithnjë pranë fermerëve të cilët mbjellin e korrin, të cilët i kontribuojnë prodhimit dhe rendimentit tonë bujqësor.
E dimë që dikur Ferizaj e ka pasur edhe fabrikën e vajit, ka fabrikë të vajit në Llap, por është e rëndësishme që ky prodhim në rritje i bujqësisë të rezultojë gjithnjë e më shumë edhe me përpunimin bujqësor dhe me industrinë në ringritje të Republikës së Kosovës për qytetarët tanë. Ushqimi ynë në tryezat tona duhet të jetë nga toka jonë në të gjitha kulturat bujqësore që mund të bëhen në Kosovën tonë të dashur. Faleminderit!
Last modified: 22 Korrik, 2024