Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi ekspozitën e shoqatës së Grave “Orkidea” që po shfaqet për nder të Ditës së Turqve në Kosovë

23 Prill, 2025

Prizren, 23 prill 2025

Me rastin e Ditës së Turqve në Kosovë, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot ekspozitën e shoqatës së Grave “Orkidea”, e cila u organizua në hapësirat e Institutit “Yunus Emre” në Prizren.

Gjatë vizitës, kryeministri Kurti pati rastin të shoh nga afër punimet artistike të grave të përfshira në këtë ekspozitë dhe falënderoi kryetaren e shoqatës, Sevgi Kervan, për organizimin e kësaj ngjarje ku përfshihen vlera kulturore, krijimtari dhe frymë miqësie.

“Kjo ngjarje po mbahet me datën 23 prill, pra në Ditën Kombëtare të Turqve të Kosovës dhe nuk është vetëm festë, por njëkohësisht është edhe veprimtari, është edhe krijimtari, ku është elementi i dashamirësisë e i miqësisë, por edhe ai i estetikës, pra i bukurisë”, u shpreh kryeministri.

Duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, ai tha: “Kur i shohim bashkë flamujt e dy shteteve tona, Republikës së Turqisë dhe Republikës së Kosovës, krah njëri-tjetrit, natyrisht që simbolizon miqësinë, partneritetin dhe aleancën e fuqishme që kanë Prishtina me Ankaranë, Prizreni me Stambollin dhe Republika e Kosovës me Republikën e Turqisë”.

Më tej, shtoi se kështu e ruajmë kulturën dhe e bëjmë atë artistike për neve që jemi artdashës, por edhe për të gjithë qytetarët të cilët kanë kënaqësinë e të vijnë ta vizitojnë.

Kryeministri i përgëzoi organizatorët për këtë organizim i falënderoi për mikpritje.

 

Last modified: 23 Prill, 2025

Comments are closed.