Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi banesat sociale në Shipol dhe Desi në të cilat po investohet në efiçiencë të energjisë

28 Prill, 2025

Mitrovicë, 28 prill 2025

Vizita e Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në pikat postare në Leposaviq dhe Zveçan, u pasua nga vizitat në dy banesat sociale në Shipol dhe Desi, në Mitrovicë.

Kryeministri pa nga afër intervenimet për kthimin e banesave sociale nga ndërtesa të amortizuara në shtëpi të denja për jetesë të sigurt, të ngrohtë dhe të dinjitetshme.

“Nuk mjafton vetëm të hyjmë në ndërtesa për banim social e aty të ketë mungesë të sigurisë e të ngrohjes. Tash po realizohet kjo në kuadër të investimit të përbashkët me Bashkimin Evropian. Është diku rreth 6 milionë euro në 25 ndërtesa anembanë Kosovës”. u shpreh kryeministri Kurti.

Dy ndërtesat në Shipol dhe Desi që janë të viteve 2003 dhe 2005, kanë mbetur pa izolim të duhur, dritare efikase dhe ngrohje adekuate. Tashmë falë investimit prej 381,622 euro për këto dy objekte, do të përfundojnë para vjeshtës dhe do të ndryshojnë jetën e 39 familjeve dhe 173 banorëve të Mitrovicës.

Në Shipol përfituese do të jenë 18 familje me sipërfaqe totale të ndërtesës që është pjesë e projektit të përgjithshëm prej 1,130 metrash katrorë, ndërsa në Desi përfituese do të jenë 21 familje me sipërfaqe totale të ndërtesës që është pjesë e projektit të përgjithshëm prej rreth 1,700 metrash katrorë.

Këto rinovime po bëhen nga Fondi i Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisё me mbështetje nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes grantit nga Bashkimi Evropian (me 90%) dhe pjesëmarrje të Komunës së Mitrovicës së Jugut (me 10%).

Qeveria vijon angazhimin për të përmirësuar kushtet e jetesës për qindra e mijëra qytetarë dhe ulur kostot e shpenzimeve të energjisë, gjersa deri më tani kemi mbështetur 3,000 familje me izolim të shtëpive e mbi 40,000 familje me pajisje efiçiente dhe panele solare, duke renovuar dhe 125 ndërtesa publike, kryesisht shkolla dhe spitale.

Deklarimi i Kryeministrit Kurti gjatë vizitës në Desi:

Unë edhe juve, edhe ministrinë, edhe fondin, ju përgëzoj për këtë punë që keni bërë, për shkak se është shumë e rëndësishme që kushtet e jetesës të jenë të dinjitetshme.

Nuk mjafton vetëm të hyjmë në ndërtesa për banim social e aty të ketë mungesë të sigurisë e të ngrohjes. Tash po realizohet kjo në kuadër të investimit të përbashkët me Bashkimin Evropian. Është diku rreth 6 milionë euro në 25 ndërtesa anembanë Kosovës.

Këtu në Desi të Mitrovicës janë 21 familje, gjithsej ishin rreth 1700 metra katrorë dhe shpresoj që veteranët, invalidët, rastet sociale, nënat vetushqyese do të kenë kushte më të mira edhe për jetë për familjet e tyre, për fëmijët e tyre sidomos dhe për përparimin e gjithmbarshëm që ato e duan, po edhe ne ia dëshirojmë e angazhohemi.

Pra, faleminderit edhe një herë!

Last modified: 28 Prill, 2025

Comments are closed.