Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe dy zëvendësministrat e këtij dikasteri, Mentor Arifaj dhe Resul Makreshi vizituan sot Agjencinë për Regjistrimin të Bizneseve të Kosovës (ARBK), ku u pritën nga drejtorja e kësaj Agjencie, Lebibe Haliti.
Kjo e fundit e njoftoi kryeministrin Kurti për punën e deritanishme, lehtësimin e procedurave përmes digjitalizimit të procesit për kryerje të shërbimeve, planet për të ardhmen dhe sfidat e Agjencisë. Duke e përgëzuar për rezultatet, angazhimin dhe shërbimet e reja të cilat ARBK ka filluar së fundi t’i ofroj, kryeministri Kurti dha mbështetjen e tij për avancimin e mëtejmë të këtij institucioni shumë të rëndësishëm për shtetin dhe bizneset.
Gjatë bashkëbisedimin u theksua rëndësia e digjitalizimit të sa më shumë shërbimeve të cilat kontribuojnë drejtpërdrejt në ambientin e të bërit biznes, zhvillimin e industrisë dhe rritjen e produktivitetit të bizneseve. Gjithashtu, u diskutua edhe për rolin që ARBK mund të luaj në raport me arsimin dual që tashmë është në vitin e dytë të zbatimit.
ARBK është themeluar në vitin 2002. Prej themelimit të saj deri më sot në ARBK janë regjistruar mbi 106 mijë biznese. Ka të punësuar në staf gjithsej 15 persona, përfshirë këtu edhe nga radhët e komunitetit jo shumicë serb, dhe ka gjithsej 32 qendra komunale duke përfshirë këtu edhe qendrën komunale në Leposaviq që për herë të parë u hap javën që lëmë pas. Javën e kaluar po ashtu Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Komunën e Mitrovicës Veriore përmes të cilit do të konsolidohet zyra e ARBK-së brenda kësaj komune ku bizneset e reja do të mund të regjistrohen dhe do të ofrohen edhe shërbime tjera për të gjitha bizneset.
Pas vizitës në ARBK, kryeministri Kurti u mirëprit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga ministrja Hajdari dhe stafi i saj dhe i ministrisë. Së bashku diskutuan për planet dhe prioritetet e vitit 2024.
Last modified: 31 Janar, 2024