Prishtinë, 11 qershor 2024
Në margjina të samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga The Economist Group, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me përfaqësues nga grupi i inovacionit “Yes-EU”. Delegacioni i këtij grupi udhëhiqej nga drejtuesi Benedikt Gudmundsson, e ku pjesëmarrës ishte dhe ish- ministri i Punëve të Jashtme të Islandës, Össur Skarphéðinsson.
Kurse Kryeministri Kurti, në këtë takim ishte i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Shefi i Stafit, Luan Dalipi.
Grupi “Yes-EU” është i njohur ndërkombëtarisht në fushën e inovacionit për projekte të ndryshme të zbatuara, të fokusuar dhe specializuar në projekte të energjisë, me theks në tranzicionin drejt energjisë së ripërtëritshme si dhe transportit të gjelbër.
Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhjen në Kosovë dhe shprehu mirënjohjen për interesimin e tyre për ta njohur vendin tonë dhe hulumtuar mundësitë për investime në vend. Kryeministri i prezantoi përfaqësuesit e “Yes-EU” me zhvillimin e progresin ekonomik që ka njohur vendi ynë në tri vitet e fundit e veçanërisht avancimet në fushën e energjisë dhe teknologjisë, përkatësisht investimet në këto sektorë.
Ai shprehu përkushtimin e Qeverisë për investime të gjelbra me synim reduktimin e emetimit të karbonit dhe promovimin e mobilitetit të qëndrueshëm urban, me qëllim mbrojtjen e mjedisit.
Duke i ftuar që të investojnë në Kosovë, si një vend që ofron hapësirë të volitshme të zhvillimit, të prodhimit të energjisë së gjelbër dhe avancimit të teknologjisë, kryeministri i uroi grupit “Yes-EU” qëndrim të frytshëm e takime sa më produktive.
Last modified: 11 Qershor, 2024