Prishtinë, 15 nëntor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Drejtorin Rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore të Bankës Botërore, Asad Alam.
Kryeministri Kurti prezantoi arritjet e Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e sundimit të ligjit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Bankën Botërore në projekte që synojnë përmirësimin e sektorëve të ndryshëm që rrisin konkurueshmërinë e vendit.
Drejtori Rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore të Bankës Botërore, Asad Alam, vlerësoi përparimin e Kosovës dhe rikonfirmoi angazhimin e Bankës Botërore për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të vendit.
Në takim morën pjesë edhe Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, Këshilltari i Kryeministrit, Lulëzon Jagxhiu, Drejtori i Bankës Botërore në Kosovë, Massimiliano Paolucci; Ekonomisti Kryesor për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore, Richard Record, dhe përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, Besart Myderrizi.
Last modified: 15 Nëntor, 2024